Gjyqtarja Arta Llazari (majtas) dhe avokatja e saj pas seancës dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Veting

Gjyqtarja Arta Llazari jep shpjegime për të ardhurat e saj dhe të familjarëve

Gjyqtarja Arta Llazari e Gjykatës së Shkodrës u përball të enjten më 9 shkurt 2023 me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për burimet që kishin shërbyer për krijimin e pasurive të saj dhe të prindërve me të cilët jeton, si dhe për transaksione të disa vlerave monetare nga prindërit, për të cilat subjekti deklaroi se i përkisnin vëllait. Llazari u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës si dhe nuk u evidentuan probleme domethënëse në kriterin profesional.

Procesi i vetingut për gjyqtaren Arta Llazari po kryhet nga trupa e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtar Roland Ilian. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Gerrit Sprenger.

Arta Llazari përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2001 dhe e ushtron funksionin prej më shumë se dy dekadash në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër. Ajo ka punuar edhe si këshilltare ligjore pranë Gjykatës Kushtetuese.

Gjetjet për pasurinë

Gjyqtarja Llazari ka deklaruar zotërimin e 1/3 e pjesës takuese në një apartament të përfituar nga familja e origjinës me anë të privatizimit, kur ishin katër anëtarë. Në vitin 2005 ajo ka deklaruar se ajo dhe prindërit kanë blerë prej vëllait pjesën e tij takuese kundrejt shumës 1 milion lekë, pasi ai është ndarë nga trungu familjar.

Relatorja Bekteshi konstatoi se subjekti nuk ka deklaruar në 2005-ën burimet që kanë shërbyer për blerjen e pjesës takuese të vëllait. Ndërsa gjatë hetimit administrativ ka deklaruar si burim kursimet e prindërve dhe të ardhurat e saj në vite. Nga analiza financiare ka rezultuar se subjekti dhe prindërit kanë pasur mundësi për blerjen e pjesës takuese, por i është kaluar barrë prove për mosdeklarimin e burimit.

Situatë e ngjashme është konstatuar edhe për blerjen e një sipërfaqe toke 1000 m2 në fshatin Pulaj të Shkodrës në vitin 2005, kundrejt çmimit 3 milionë lekë, ku subjekti zotëron 1/4 –ën pjesë takuese. Gjatë hetimit administrativ, subjekti ka deklaruar se si burim për pjesën e saj takuese kanë shërbyer kursimet dhe të ardhurat në vite.

Komisioni ka verifikuar deklarimet e subjektit, prej nga rezulton se ajo nuk ka deklaruar kursime cash në vitin 2004 dhe për rrjedhojë në analizë janë konsideruar vetëm të ardhurat për vitin 2005, duke rezultuar me balancë negative në shumën rreth 430 mijë lekë.

Bekteshi pohoi se subjekti ka shpjeguar se pagesa ishte kryer përpara nënshkrimit të kontratës me kursimet dhe të ardhurat në vite. Sipas relatores, nëse do të rishikohej analiza sipas shpjegimeve të Llazarit, duke u konsideruar edhe mundësia e kursimit në vitin 2004, analiza financiare do të rezultonte pozitive.

Gjyqtarja Llazari dha sqarime të përmbledhura lidhur me barrat e provës për pasurinë. Ajo konstatoi se gjatë hetimit nuk ishte evidentuar në mënyrë të qartë përbërja familjare nga viti 1990 e në vijim, si dhe as të ardhurat dhe kontributet e secilit prej katër anëtarëve të familjes. Ajo kërkoi falje për pasakaktësitë në vite, që i cilësoi si shkak për konstatimet e mungesave financiare.

Lidhur me mosdeklarimin në 2005-ën të burimit të krijimit të vlerës me të cilën është paguar pjesa takuese e vëllait në apartamentin e privatizuar, subjekti pohoi se në atë vit kishte pasqyruar ndryshimet e pjesëve takuese. Ajo shtoi se në pyetësor kishte shënuar se si burime kishin shërbyer kursimet e saj dhe të prindërve.

Llazari shpjegoi në seancë se babai kishte dalë në pension prej vitit 1989 dhe në vijim kishte punuar si mjek veteriner në një farmaci veterinare. Sipas saj, nëna përfitonte dy pensione, një për shkak të moshës dhe një invaliditeti.

Ajo theksoi se mosdeklarimi i burimit në vitin 2005 kishte ndodhur si pasojë e të kuptuarit të mënyrës së deklarimit, ndërsa mospasqyrimin në deklaratën “veting” e konsideroi si pakujdesi të sajën. “Nuk është fshehje e qëllimshme e burimit, por pasaktësi”, deklaroi Llazari.

Të njëjtin qëndrim ajo mbajti dhe për mosdeklarimin e burimit financiar që kishte shërbyer për blerjen e pjesës takuese të tokës në vitin 2005. Llazari e cilësoi si pasaktësi mosdeklarimin e gjendjes cash në vitin 2004.

Ajo këmbënguli se të ardhurat e saj ishin mëse të mjaftueshme për blerjen e pjesës takuese të tokës, ku ajo kisht blerë 1/4 ën dhe po aq kishte blerë një prej anëtarëve të familjes.

Subjekti solli në vëmendje se kishte filluar të punonte dhe të siguronte të ardhura financiare që prej vitit 1997. Ajo vërejti se në analizë nuk janë përfshirë të ardhurat e prindërve dhe të vëllait, për të cilin tha se ishte larguar nga trugu familjar në 2004-ën.

Llazari pohoi se babai, veç pensionit, ka siguruar të ardhura të konsiderueshme edhe nga vijimi ushtrimit të profesionit të tij, në shumën 1.3 milionë lekë deri në vitin 2003. Ajo theksoi se babai nuk kishte detyrimin të paguante sigurime shoqërore e shëndetësore, pasi ai ishte në pension.

Subjekti këmbënguli se kishte depozituar dokumentacion të mjaftueshëm edhe për aktivitetin tregtar të të vëllait. Ajo shtoi se i vëllai kishte krijuar të ardhura edhe prej punësimit në një projekt të huaj në vitet 2000-2001, ku për puën e tij ishte paguar nëpërmjet bankës.

Llazari pretendoi se të ardhurat e nënës janë përllogaritur gabim nga Komisioni, pasi nuk ka dalë në pension në vitin 1998, por një vit më vonë. Sipas saj, përgjatë gjithë viteve rezulton që nëna të ketë pasur të ardhura më shumë, në masën 547 mijë lekë.

“Në kuadër të objektivitetit, pamundësia e sigurimit të dokumenteve nga institucionet nuk mund të rëndojë mbi mua,” pohoi gjyqtarja Llazari dhe pretendoi se të ardhurat e familjes deri në vitin 2003 ishin në shumën totale rreth 8.2 milion lekë – vlerë për të cilën theksoi se ishte e mjaftueshme për blerjen dy pjesëve takuese të tokës.

Subjekti kërkoi që të bëhej korrigjimi i analizës financiare sipas provave dhe shpjegimeve të depozituara prej saj.

Llazarit i është kaluar barrë prove për mosdeklarimin e blerjes së një automjeti në vitin 2009 nga vëllai i saj kundrejt çmimit 600 mijë lekë. Si burim krijimi të kësj pasurie, subjekti ka shpjeguar gjatë hetimit administrativ se kanë shërbyer të ardhurat nga puna dhe nga shitja e një makine tjetër kundrejt çmimit 250 mijë lekë. Nga analiza financiare për blerjen e mjetit është konstatuar balancë negative në shumën 309 mijë lekë.

Gjyqtarja Llazari sqaroi edhe gjatë seanncës se mjeti kishte pësuar defekt të rëndë dhe për këtë arsye ia kishte kthyer të vëllait, duke marrë edhe vlerën e paguar. “Mjeti nuk u regjistrua në emrin tim pasi nuk e kam përdorur. Pasi nuk kam pasur shpenzime për shkak se u kthye vlera e paguar, nuk e kam vlerësuar të arsyeshme që ta deklaroj,” pohoi subjekti dhe kërkoi që makina të moskonsiderohet në analizën financiare.

Lidhur me konstatimin e balancës negative nga hetimi paraprak, ajo sqaroi se gabimisht nuk kishte deklaruar kursimet në vitin parardhës, por e konsideroi si diçka të paqëllimshme.

Nisur nga fakti se gjyqtarja Llazari figuron në të njëjtin trung familjar me prindërit me të cilët edhe jeton, Komisioni ka verifikuar deklarimet dhe pasuritë e tyre në cilësinë e personave të lidhur.

Nga hetimi është konstatuar se prindërit e subjektit nuk kanë deklaruar burimin e një gjendje cash në shumën 1.4 milionë lekë, megjithëse kanë rezultuar me bilanc pozitiv.

Ndërkohë, ka rezultuar pamundësi e prindërve në shumën 827 mijë lekë për depozitimin e një vlere 1.3 milion lekë në vitin 2003, me burim nga pagat dhe pensionet e tyre, si dhe nga të ardhurat e djalit dhe të vetë subjektit ndër vite.

Llazari deklaroi se depozita ka qenë në shumën 1.6 milionë lekë. Për burimet ajo ju referua pretendimeve të mëparshme lidhur me të ardhurat e të katër anëtarëve të familjes prej vitit 1990 e në vijim, duke këmbëngulur se prindërit kishin pasur burime të ligjshme të mjaftueshme për krijimin e kësaj depozite në vitin 2003.

Komisioni ka evidentuar disa transaksione bankare të kryera nga nëna e subjektit në vitet 2008-2009 në vlerën totale 63 mijë euro, që janë investuar për një periudhë kohe në depozita. Nëna rezulton që të ketë depozituar dy vlera nga 20 mijë euro për llogari të djalit.

Gjyqtarja Llazari ka shpjeguar se burim i këtyre vlerave kanë qenë të ardhurat nga aktiviteti tregtar i vëllait, konkretisht në menaxhimin e një palestre si dhe të një agjencie turistike.  KPK i ka kaluar subjektit barrë prove që të vërtetojë burimet e këtyre shumave nga të ardhurat e vëllait prej aktiviteteve të tij. Po ashtu, është konstatuar se ka mungesë të dokumentacionit për dhënien e shumës nga vëllai tek nëna.

Bekteshi sqaroi se subjekti ka vendosur në dispozicion të dhënat e llogarive bankare të vëllait, që sipas saj rezulton e provuar se ai qarkullon vlera të mëdha monetare prej aktivitetit tregtar të filluar në vitin 1995.

Llazari këmbënguli se depozitat janë krijuar nga të ardhurat e aktivitetit të vëllait, i cili kishte punuar dhe si agjent shitjesh. Sipas subjektit, i vëllai arkëtonte gjithë vlerën e biletave dhe vetëm në një vit rezultonte me qarkullim në masën e rreth 446 mijë eurove.

Sipas Llazarit, vlerat qëndronin në llogaritë e të vëllait për kohë të gjatë dhe ai kishte vendosur që një pjesë t’ia jepte nënës t’i investonte në depozita që të mund të përfitonte interesat. Subjekti pohoi se veprimet ishin kryer brenda 2008-ës, nga xhiroja e atij viti.

Ajo sqaroi se nëna ia kishte kthyer vëllait shumat, me të cilat ai kishte paguar dy këste nga 20 mijë euro për një apartament. Llazari vijoi se blerja e apartamentit nga vëllai nuk ishte realizuar dhe se me vlerën e paguar ai kishte blerë nga e njëjta shoqëri ndërtuese një ambjent ku dhe ushtron aktivitetin tregtar.

Nga hetimi i kryer prej Komisionit lidhur me udhëtimet e subjektit jashtë vendit, ka rezultuar se në një rast ajo ka udhëtuar me një avokat, ndërkohë që më vonë ka disponuar me një vendim për një të proceduar të përfaqësuar nga i njëjti avokat.

Gjyqtarja Llazari deklaroi se udhëtimi kishte qenë rastësor, pasi ajo dhe avokati në fjalë, kishin pasur shoqëri të përbashkët. Ajo theksoi se bëhej fjalë vetëm për një çështje dhe se vendimarrja e saj ishte lënë në fuqi.

Në përfundim të seancës, gjyqtarja Arta Llazari deklaroi se me atë çfarë kishte parashtruar mendonte se kishte qenë bindëse. Ajo pohoi se kishte punuar gjithmonë me përkushtim, ndershmëri e profesionalizëm për dhënien e një drejtësie të plotë. Subjekti vërejti ndër të tjera se të gjitha vendimarrjet e saj ishin lënë në fuqi.

KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 13 shkurt, në orën 10:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *