Gjyqtari Erarbër Madhi (majtas) dhe avokati Julian Mërtiri pas seancës në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Veting

Gjyqtari Erarbër Madhi refuzon barrën e provës për pasuritë e trashëguara nga nëna

Gjyqtari Erarbër Madhi i Gjykatës Administrative të Tiranës u përball të premten më 10 shkurt me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime dhe u pyet më së shumti për burimet e një apartamenti 124 m2 në Tiranë, të blerë nga nëna e tij e ndjerë në vitin 2012 si dhe një depozitë në vlerë të konsiderueshme në emër të saj – pasuri të cilat subjekti i ka përfituar nëpërmjet trashëgimisë ligjore.

Nga sa u relatua në séancë, vetë gjyqtari Madhi ka blerë një automjet me vlerë 350 mijë lekë dhe ka kursyer 720 mijë lekë në cash që prej kohës kur filloi të ushtrojë detyrën e gjyqtarit në vitin 2004.

Madhi deklaroi ishte shkëputur nga trungu familjar prej vitit 2004 dhe pretendoi se pasuritë e krijuara nga nëna e ndjerë kishin burim më së shumti të ardhurat e siguruara nga i ati, si dieta dhe honorare për ekspertizën e dhënë prej tij në disa organizata ndërkombëtare prej vitit 1996.

Ai sqaroi se kur babai ndërroi jetë në vitin 2005, mund t’i ketë lënë nënës gjendje cash në vlerën 350 mijë USD, që kjo e fundit e ka disponuar në banesë për shkak të frikës pas situatave të bankave në vitet 1996-1997.

Gjyqtari Madhi mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës, ndërkohë që dha shpjegime për dy çështje të gjykuara prej tij, të denoncuara nga publiku pranë KPK-së. Gjatë seancës dëgjimore ai u përfaqësua nga avokati Julian Mërtiri.

Erarbër Madhi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe u emërua gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Vlorës. Prej vitit 2013, ai e ushtron funksionin e gjyqtarit në Gjykatën Administrative të Tiranës.

Procesi i vetingut për gjyqtarin Madhi po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtare Genta Tafa Bungo. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Ferdinando Buatier.

Barra e provës për pasurinë

Gjyqtari Erarbër Madhi ka deklaruar se zotëron vetëm dy pasuri – një autoveturë tip “Mitsubishi” të blerë në vitin 2013 për çmimin 350 mijë lekë + shpenzime 107 mijë lekë dhe një gjendje cash 720 mijë lekë.

Nga hetimi është konstatuar se pala shitëse e ka blerë pak kohë më parë mjetin në Itali për vlerën 3000 euro, si dhe ka paguar zhdoganimin. Bazur në këto fakte, KPK konstaton se duket se çmimi i mjetit të blerë nga subjekti është disi me i ulët nga ai i tregut dhe nga sa e ka blerë pala shitëse.

Avokati Julian Mërtiri vërejti vërejti se subjekti kishte deklaruar në vitin përkatës edhe shpenzimet për mjetin. Ai theksoi se çmimi i blerjes së mjetit së bashku me shpenzimet e kryera nga gjyqtari Madhi, e tejkalonin vlerën që kishte paguar pala blerëse në Itali dhe për zhdoganimin.

Si burim krijimi për gjendjen cash, subjekti ka deklaruar të ardhurat e tij në vite, mes tyre edhe të ardhura nga shitja e dy librave që ka botuar. Sanxhaktari vërejti se subjekti ka provuar botimin e librave, por jo të ardhurat e siguruara nga shitja.

Mërtiri deklaroi se subjekti ka deklaruar çdo vit shtesat e cash-it. Lidhur me të ardhurat nga shitja e librave, avokati shpjegoi se për shkak të kohës së gjatë, nuk janë ruajtur të gjitha faturat. Ai kërkoi rishikimin e zërave të shpenzimeve duke pretenduar se kur subjekti punonte në Vlorë jetonte me qira atje dhe shkonte në Tiranë njëherë në javë ose dy herë në muaj.

Sipas Mërtirit, duhet që në analizën financiare për subjektin të mbahet në konsideratë edhe jeta e tij modeste. Avokati solli si argument faktin se Madhi rezulonte të kishte udhëtuar për herë të parë jashtë shtetit në vitin 2014.

Nga hetimi administrativ ka rezultuar se Madhi ka përfituar me trashëgimi ligjore në vitin 2019 një apartament me sipërfaqe 124 m2 në Tiranë, të blerë nga nëna e ndjerë në vitin 2012 për vlerën rreth 16 milionë lekë. Relatorja Sanxhaktari shpjegoi se kjo pasuri nuk është pasqyruar në deklaratën “veting” në vitin 2017, pasi ka qenë në pronësi të nënës së ndjerë të subjektit.

Po ashtu, ka rezultuar se nëna ka krijuar në vitin 2009 një depozitë në shumën rreth 4 milionë lekë, që subjekti e ka përfituar në 2019-ën, po me trashëgimi ligjore.

Komisioni i ka kërkuar subjektit të deklarojë burimet financiare që kanë shërbyer për krijimin e kësaj pasurie, por ai ka kërkuar që nëna të mos konsiderohet si person i lidhur dhe të mos kryhet hetimi administrativ.

Megjithatë, pas fillimit të verifikimeve për këtë pasuri, Madhi ka deklaruar se si burime mund të kenë shërbyer të ardhurat e babait të ndjerë, që sipas tij ka qenë një nga figurat kryesore të inxhinierisë kimike në vend.

Ai ka dorëzuar dokumente me të dhëna për punësimin e babait në Ministrisë e Mbrojtjes si dhe shërbimet e kryera prej tij si ekspert ndërkombëtar në fushën e inxhinierisë kimike.

Por, Sanxhaktari vërejti se subjekti nuk ka depozituar dokumentacion ligjor lidhur me të ardhurat e pretenduara se janë krijuar nga shërbimet pranë organizatave ndërkombëtare nga i ati përpara vitit 2005, kur ai ndërroi jetë. Të vetmet pasuri që ai ka zotëruar dhe janë provuar, ka qenë një apartament i përfituar nëpërmjet privatizimit, i shitur për shumën 1.6 milionë lekë në 2005-ën dhe tre paga që janë disponuar në llogarinë bankare.

Sipas relatores, nga verifikimi i dokumenteve të dorëzuara nga subjekti dhe atyre të administruara prej KPK-së, ka rezultuar se babai i subjektit ka punuar pranë institucioneve të ndryshme ushtarake për periudhën 1964-2002. Por, nuk kanë rezultuar të dhëna për pagesat e kryera nga shërbimi i tij në NATO dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare. Të dhëna për pagat janë siguruar vetëm nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes.

Nga analiza financiare paraprake e kryer në KPK ka rezultuar se nëna e ndjerë e subjektit ka qenë në pamundësi financiare për blerjen e apartamentit në vitin 2012 si dhe për krijimin e likujditeve bankare në 2009-ën.

Komisioni ka vendosur t’i kalojë subjektit barrën e provës për të provuar të kundërtën e këtyre konstatimeve. Madhi i ka kërkuar edhe Komisionit që t’i kërkojë NATO-s e organizatave të tjera ndërkombëtare ku ka punuar i atij, të dhëna për pagesat e kryera në favor të tij.

Avokati Julian Mërtiri këmbënguli se prindërit e ndjerë të subjektit nuk mund të konsiderohen si perosna të lidhur. Sipas tij, i vetmi moment kur nëna e subjektit mund të ishte konsideruar si person i lidhur ishte ai i plotësimit të deklaratës “veting”, nëse një gjë e tillë do të ishte vlerësuar nga ILDKPKI.

“Pasi ka ndërruar jetë, nuk mund të kalohet barra e provës për pasuritë e saj,” theksoi Mërtiri dhe renditi përcaktimet ligjore për konsiderimin e personave të lidhur, që sipas tij kualifikohen si tillë në rast të marrdhënieve të interesit pasuror si huadhënia e dhurimi. “Është e provuar se mes subjektit dhe prindërve nuk ka pasur asnjë transaksion bankar për dhënie ose marrje parash. Subjekti nuk ka krijuar marrëdhënie interesi me prindërit dhe nuk ka pasur dijeni për veprimet bankare të nënës dhe aq më tepër për pasuritë,” deklaroi Mërtiri.

Në vijim, ai solli në vëmendje se babai i subjektit ka qenë një figurat kryesore në vend të inxhinierisë kimike; se kishte qenë oficer madhor dhe mbajtur deri në gradën ‘Kolonel’; si dhe kishte punuar në NATO, në Organizatën për Parandalimin e Armëve Kimike e në organizata të tjera ndërkombëare. “Ka qenë i përfshirë në projekte si një nga ekspertët më të mirë për parandalimin e armëve kimike”, pohoi përfaqsuesi i Madhit dhe shtoi se veç pagës së mirë që përfitonte babai i subjektit, ai ishte trajtuar edhe me dieta e honorare nga organizatat ndërkombëtare, që sipas tij arrinin vlerat 1500-2000 USD në muaj.

Mërtiri pretendoi se babai i subjektit i kishte kursyer një pjesë të mirë të dietave dhe honorareve dhe i kishte mbajtur cash në shtëpi. Sipas tij, të gjitha kursimet i kanë mbetur nënës së subjektit, pasi ky i fundit nuk jetonte më.

Avokati konstatoi se është e pamundur që të gjenden të gjitha dokumentet për të ardhurat e prindërve të ndjerë të subjektit, pasi ata kanë ndërruar jetë. Ai argumentoi se blerja e apartamentit kishte ndodhur kur subjekti ishte shkëputur prej trungut familjar. Sipas Mërtirit, Madhi ishte ndarë nga familja në fitin 2004 dhe se nuk kishin pasur më asnjë lloj marrëdhënie financiare të përbashkët.  “Burim për këto pasuri është trashëgimia ligjore,” këmbënguli Mërtiri.

Nga ajo çfarë u deklarua nga subjekti dhe përfaqësuesi i tij ligjor, u evidentua një marrdhënie e ftohtë mes gjyqtarit Madhi dhe prindërve të tij të ndjerë, rrethanë që u bë shkak edhe për pyetjet e ngritura nga Komisioni dhe vëzhguesi ndërkombëtar lidhur me dijeninë e subjektit për të ardhurat e babait, si dhe për veprimet e kryera nga e ëma për blerjen e apartamentit. Madhi deklaroi se deri në vitin 2004 kishte jetuar me prindërit dhe se në dijeninë e tij, shuma cash e krijuar nga të ardhurat e të atit mund të ketë qenë në vlerën 350 mijë USD.

Bungo iu drejtua Madhit duke vërejtur se ai ishte gjyqtar karriere dhe do të kishte dashur të dëgjonte zërin e tij, që të ishte i aftë të mbrohej vetë. Për t’iu kundërpërgjigjur, Madhi pasqyroi një episod kur kandidonte për në Shkollën e Magjistraturës. Sipas tij, kur e kishin pyetur se si do vepronte nëse do të gjendej një ditë përpara një komisioni që do ta kontrollonte për gjithë punën dhe jetën e tij, ishte përgjigjur se do të merrte avokat, pasi ky i fundit është më i ftohtë dhe do të ishte më objektiv.

Anëtarja Bungo konstatoi pasi nëna e subjektit kishte ndërruar jetë, ky i fundit kishte çelur brenda muajit trashëgiminë ligjore. Ajo e pyeti se përse kishte qenë ky nxitim dhe Madhi u përgjigj se nëse nuk do kishte vepruar ashtu, do të kishte qenë i paragjykuar për fshehje pasurie.

I pyetur nga Buatier dhe Bungo nëse nëna i kishte treguar për apartamentin që do blinte, subjekti u shpreh se e ëma e kishte kryer vetë atë veprim. Sipas tij, kur babai kishte ndërruar jetë në 2005-ën, nëna kishte qenë e re dhe kishin qëndruar pak larg, edhe për faktin se ai punonte në Vlorë.

Madhi deklaroi se mund të kishte qenë gabim një qëndrim i tillë mes tij dhe prindërve, por këmbënguli se ka jetuar gjithmonë vetëm në apartamentet e marra me qira prej tij. Shënimin në një deklarim se nëna kishte jetuar se bashku me të, subjekti e cilësoi si lapsus, pasi kishte dashur të shkruante se secili jetonte në vendbanimin e tij.

KPK ka evidentuar se subjekti ka përfituar nëpërmjet trashëgimisë ligjore edhe një tjetër pasuri në Tiranë, një shtëpi me oborr, që ka rezultuar se nëna e kishte trashëguar nga babai i saj. Sipas Sanxhaktarit, gjyshi i subjektit e kishte blerë këtë shtëpi në vitin 1960.

Profesionalizmi

Një prej denoncuesve ka pretenduar se gjyqtari Madhi ka pranuar kërkesë -padinë e dorëzuar në emër të një personi që kishte ndërruar jetë më parë, padi që kishte pasur të bënte me njohjen e trashëgimtarëve ligjorë. Pas verifikimeve të kryera nga Komisioni, ka rezultuar se ky pretendim i denoncuesit ka qenë i drejtë. Megjithatë, ka rezultuar se subjekti ka vendosur t’u njohë gjithë trashëgimtarëve ligjorë pjesën takuese dhe se vendimarrja e tij nuk është ankimuar. “Duhej që subjekti të verifikonte kohën e vdekjes së paditësit që ka qenë përpara se të kryhej kërkesëpadia. Subjekti duhej të mos kishte pranuar padinë,” vërejti Sanxhaktari dhe konstatoi se Madhi e ka kryer gjykimin në zbatim të gabuar të ligjit.

Avokati Mërtiri konstatoi se situata ishte krijuar për shkak të mosnjohjes së ligjit nga ana e palës paditëse, që në këtë rast kishte kryer gabimin në kërkesën e padisë. Sipas tij, paditësit duhej ta kishin kryer padinë në emër të trashëgimtarëve ligjorë, por e kishin bërë në emër të pronarit të ndjerë.

Mërtiri pretendoi se subjekti ka dashur të japë drejtësi, duke përdorur legjislacionin procedural që përcakton se në rastet kur pala paditëse ndërron jetë, vijon me trashëgimtarët. “Ky përcaktim ligjor ka qenë i vetmi instrument për zgjidhjen e çështjes”, pohoi Mërtiri dhe sqaroi se në atë kohë mund të aplikohej edhe kthimi i padisë me të meta, por se një veprim i tillë do të kishte cënuar afatet. Sipas Mërtirit, nga vendimarrja e subjektit kanë përfituar të gjithë trashëgimtarët, përfshi edhe denoncuesi.

Në denoncimin e dytë janë ngritur pretendime për pranimin e një ankimi jashtë afatit. Mërtiri shpjegoi se ankimi ishte dërguar me postë në ditën e 12-të, brenda afatit ligjor. Sipas tij, ngatërresa e dërgimit të ankimit në Gjykatën e Apelit dhe jo në Shkallën e Parë ku duhej të ishte dorëzuar, nuk e passillte humbjen e afatit. Mërtiri argumentoi se afati përllogaritej me datën kur ishte dorëzuar në postë dhe jo se kur mbërrinte.

Në përfundim, gjyqtari Erarbër Madhi deklaroi se kishte figurë të pastër dhe se ishte shembull i pastërtisë dhe profesionalizmit. Ai theksoi se prej 19 vitesh kishte kontribuar për forcimin e besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 13 shkurt, në orën 09:40.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *