Gjyqtari Erarbër Madhi pas konfirmimit nga KPK. Foto:BIRN.
KPK Veting

KPK konfirmon me shumicë votash gjyqtarin Erarbër Madhi

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi me shumicë votash të hënën gjyqtarin Erarbër Madhi të Gjykatës Administrative të Tiranës.

Vendimi u njoftua nga trupa e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtare Genta Tafa Bungo. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Ferdinando Buatier.

Javën që shkoi në seancë dëgjimore dha shpjegime dhe u pyet më së shumti për burimet e një apartamenti 124 m2 në Tiranë, të blerë nga nëna e tij e ndjerë në vitin 2012 si dhe një depozitë në vlerë të konsiderueshme në emër të saj – pasuri të cilat subjekti i ka përfituar nëpërmjet trashëgimisë ligjore.

Madhi deklaroi ishte shkëputur nga trungu familjar prej vitit 2004 dhe pretendoi se pasuritë e krijuara nga nëna e ndjerë kishin burim më së shumti të ardhurat e siguruara nga i ati, si dieta dhe honorare për ekspertizën e dhënë prej tij në disa organizata ndërkombëtare prej vitit 1996.

Gjyqtari Madhi mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës, ndërkohë që dha shpjegime për dy çështje të gjykuara prej tij, të denoncuara nga publiku pranë KPK-së. Gjatë seancës dëgjimore ai u përfaqësua nga avokati Julian Mërtiri.

Erarbër Madhi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe u emërua gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Vlorës. Prej vitit 2013, ai e ushtron funksionin e gjyqtarit në Gjykatën Administrative të Tiranës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *