Gjyqtarja Fatmira Hajdari pas vendimit të shkarkimit nga KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni KPK Lajme Në Fokus

Gjyqtarja e Apelit, Fatmira Hajdari ngel në veting

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin e gjyqtares Fatmira Hajdari për pasuri të pajustifikuar prej 52 milionë lekësh si dhe mosdeklarimin e heqjes së dy vizave amerikane.

Gjyqtarja Fatmira Hajdari pas vendimit të shkarkimit nga KPK. Foto: LSA

Gjyqtarja Fatmira Hajdari e Gjykatës së Apelit të Tiranës u shkarkua nga detyra të enjten, pas problemeve të shumta me pasurinë dhe mosdeklarimin e revokimit të dy vizave amerikane në kriterin e figurës.

Vendimi u shpall nga trupa gjykuese e kryesuar nga Roland Ilia dhe me anëtarë Firdes Shuli dhe Etleda Çiftja. Vetë Hajdari e konsideroi vendimin “të pritshëm” pas seancës në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ndërsa avokati i saj, Maks Haxhia aludoi se “KPK po pastronte me lista”.

Fatmira Hajdari është e veja e Azem Hajdarit, deputetit dhe njërit prej drejtuesve të lëvizjes së dhjetorit ’90, i cili u vra në vitin 1998 si dhe nëna e deputetes Rudina Hajdari. Ajo e ka filluar karrierën në gjyqësor në vitin 2003, ndërsa në korrik 2013 u emërua gjyqtare në Apelin e Tiranës.

Në seancën dëgjimore të 15 qershorit, Hajdari u përball me një sërë pyetjesh mbi transaksionet me prona, me ndërtimin e një pallati 10 katësh pa leje dhe një bilanc negativ që shkon më shumë se 52 milionë lekë, sipas analizës financiare për të ardhurat dhe shpenzimet të bërë nga Komisioni.

KPK gjeti gjithashtu një sërë pasurish të padeklaruara asnjëherë nga Hajdari, përfshi një ullishte dhe disa transaksione të djalit në aksione kompanish që i ishin dhuruar pa kundërshpërblim.

Hajdari, e cila u vlerësua vetëm në dy kritere,  u cilësua po ashtu e papërshtatshme në kriterin e figurës, pasi sipas Komisionit nuk kishte deklaruar revokimin e dy vizave nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në formularin për këtë kriter.

Gjyqtarja Hajdari bëri tre mbrojtje të ndryshme për të kundërshtuar gjetjet në një seancë që zgjati 4 orë. Një përmes avokatit Maks Haxhia, i cili u përpoq të justifikonte juridikisht pse revokimi i vizës nuk ishte refuzim hyrje. Një të dytë përmes avokates Ilira Dane lidhur me pasurinë dhe një të tretë personalisht, duke deklaruar se ishte e pastër dhe nuk kishte shkelur ligjin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *