Gjyqtarja e Apelit të Korçës, Brunilda Malo shkarkohet nga detyra

Lajme
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e hetoi gjyqtaren Malo vetëm për kriterin e pasurisë dhe vendosi ta shkarkojë atë, pavarësisht kundërshtimeve të subjektit për shkeljen e së drejtës dhe paragjykim të procesit.

Gjyqtarja e Apelit të Korçës, Brunilda Malo (Orhani) pas seancës së zhvilluar më 4 nëntor. Foto: LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të enjten të shkarkojë nga detyra gjyqtaren e Apelit të Korçës, Brunilda Malo (Orhani) për problemet me pasurinë. Malo iu nënshtrua procesit të vetingut vetëm për njërin kriter, pavarësisht kërkesave të shumta të saj për riçelje të hetimeve edhe për kriteret e figurës dhe profesionalizmit.

Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar më 4 nëntor, Komisioni konstatoi si problem kryesor mungesën e dokumentimit të të ardhurave të përfituara nga bashkëshorti i ndjerë i subjektit si administrator dhe aksioner i kompanisë “D&G Construction”. Të ardhurat e deklaruara nga ky aktivitet si dhe nga shitja e aksioneve janë një burim i rëndësishëm i pasurive dhe shpenzimeve të familjes, me një vlerë të deklaruar prej 24.1 milionë lekësh.

Komisioni konstatoi se nuk provohet me dokumente tërheqja e dividentit dhe as pagesa e tatimit për fitimin e përfituar. Konkluzioni i Komisionit u mbështet gjithashtu tek një padi e të ndjerit Malo ndaj ortakëve të tjerë për shitjen e kuotave si dhe fitimin e pashpërndarë të kompanisë.

Si rezultat i përjashtimit të këtyre të ardhurave, subjekti rezultoi me pamundësi financiare prej 19.8 milionë lekësh. Ndërkohë, Komisioni evidentoi edhe pasaktësi dhe mospërputhje të tjera në deklaratat e pasurisë.

Brunilda Malo e ka nisur karrierën në sistemin shqiptar të drejtësisë në vitin 1995 si gjyqtare në Kolonjë. Në vitin 2003, ajo është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Korçës, detyrë të cilën e  mban edhe aktualisht.

Gjatë hetimit administrativ, Malo kërkoi përjashtimin e trupës gjykuese me pretendimin se nuk kishte marrë në shqyrtim provat e dorëzuara prej saj si dhe për shkelje të të drejtës për t’u njohur me vlerësimin e dy kritereve të tjera. Kërkesa u rrëzua nga një trupë tjetër gjyqësore.