Gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme, Etleva Deda përballet me vetingun

Lajme
KPK identifikoi një balancë negative prej 379 mijë lekësh për blerjen e një apartamenti në Tiranë në vlerën 92 mijë euro, ndërkohë që gjyqtarja mori vlerësim pozitiv për figurën dhe profesionalizmin.

Gjyqtarja Etleva Deda pas seancës dëgjimore në Kpk. Foto: Edmond Hoxhaj.

Gjyqtarja Etleva Deda e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u përball të mërkurën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut për Dedën përbëhet nga Genta Tafa Bungo kryesuese, Valbona Sanxhaktari relatore dhe Roland Ilia anëtar. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Branko Hrvatin.

Etleva Deda e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2004 si gjyqtare e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Në vitin 2010, Deda e drejtoi përkohësisht këtë gjykatë si kryetare e komanduar. Me shkrirjen e Krimeve të Rënda, ajo kaloi te Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Relatorja e çështjes, Valbona Sanxhaktari tha në fillim të seancës dëgjimore se Komisioni e ka përfunduar hetimin administrativ për gjyqtaren Deda në të tri kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmin.

Hetimi i pasurisë është përqendruar në një apartament 115 m2 në Tiranë, që Deda e ka blerë në vitin 2011 në vlerën 92 mijë euro. Sanxhaktari renditi burimet e krijimit të deklaruara nga Deda për këtë pasuri; një kredi në vlerën 5 milionë lekë të marrë në vitin 2006; të ardhura nga puna; dy dhurata nga prindërit, një në vlerën 15 mijë euro dhe një në shumën 4 mijë euro dhe vlera të përfituara nga shitja e dy objekteve.

Sipas Komisionit, gjyqtarja Deda e ka shlyer vlerën e apartamentit në dy këste, 72 mijë euro në vitin 2009 kur është porositur dhe 20 mijë euro në 2011-ën kur e ka marrë në dorëzim.

Sanxhaktari identifikoi mosdeklarimin e gjendjes cash në shtëpi të kredisë së marrë në vitin 2006 si edhe të ardhurave të përfituara nga shitja e objekteve.

Deda shpjegoi se mosdeklarimi i këtyre vlerave edhe si gjendje cash ka qenë një pasaktësi e paqëllimshme, rrjedhojë e kuptimit të deklarimit. Sipas gjyqtares, ajo kishte deklaruar kredinë dhe vlerat e përfituara nga shitja e objekteve në Durrës, duke e konsideruar këtë të mjaftueshme.

Nga hetimi administrativ ka rezultuar se Deda e kishte marrë kredinë 5 milionë lekë për blerjen e një apartamenti në qytetin e Durrësit në vitin 2006, kontratë e cila ishte revokuar. Vlera e kredisë është tërhequr nga Deda dhe sipas saj është mbajtur në shtëpi dhe më pas është përdorur për blerjen e apartamentit në Tiranë, disa vite më vonë.

Lidhur me mospasqyrimin në deklarata të kontratës së porosisë për apartamentin në Durrës, Deda sqaroi gjatë seancës dëgjimore se e kishte revokuar brenda vitit dhe se nuk e kishte zotëruar ndonjëherë si pronë.

“Për shkak të largësisë, hoqa dorë dhe mendova të blija një apartament në Tiranë. Vlera e kredisë është përdorur me të njëjtin qëllim, blerje apartamenti për banim,” pohoi ajo, duke shtuar se ishte mirëkuptuar për revokimin e kontratës së sipërmarjes nga ndërtuesi, të cilin e kishte të afërm.

Komisioni ka hetuar edhe të ardhurat e familjarëve të gjyqtares Deda, të cilat kanë rezultuar të mjaftueshme. Sanxhaktari tha se subjekti ka shpjeguar se prindërit kanë zotëruar një aktivitet tregtar, ndërkohë që kanë shitur apartamentin e tyre në Durrës prej nga kanë siguruar të ardhurat për dhurimin e 15 mijë eurove. Deda tha se ishte dakord me konstatimet e KPK-së për pasuritë, të ardhurat dhe shpenzimet e prindërve dhe të motrave.

Prej analizës financiare ka rezultuar një balancë negative në vlerën 379 mijë lekë për shlyerjen e vlerës së apartamentit. Sanxhaktari pohoi se subjekti kishte paraqitur shpjegime lidhur me këtë gjetje, të cilat do të vlerësohen para marrjes së vendimit përfundimtar.

Në fjalën e saj, Deda kërkoi që kursi i këmbimit për shumat e paguara në euro të vlerësohej bazuar në një mesatare të asaj periudhe. Komisioni paraqiti vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin e Dedës.

Në fund të seancës dëgjimore gjyqtarja Etleva Deda falënderoi Komisionin për hetimin administrativ të kryer për rivlerësimin e saj dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK do të shpallë vendimin me datë 12 janar, ora 09:30.