
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të enjten më 30 qershor vendimin për konfirmimin në detyrë të gjyqtares së Lezhës, Elsa Ulliri. Vendimi është marrë në mënyrë unanime nga trupa e KPK e kryesuar nga Roland Ilia, me relatore Etleda Çiftjan dhe anëtare Pamela Qirkon.
Gjatë seancës dëgjimore më 28 qershor, Ulliri u pyet dhe dha shpjegime për një bilanc negativ të familjes në vlerë të vogël dhe për disa vendime penale lidhur me kriterin profesional. Për pastërtinë e figurës, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK kishte dorëzuar në Komision dy raporte të kundërta, ku në të parin subjekti është cilësuar si e përshtatshme, ndërsa i dyti ka qenë negativ. Në seancë nuk u paraqitën detaje për raportin e dytë të DSIK-së, që u cilësua prej Ullirit si “fyes dhe zhgënjyes”.
Elsa Ulliri përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2014 dhe prej asaj kohe ushtron funksionin e gjyqtares në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë.