Entela Shedula pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Veting

Gjyqtarja Entela Shedula vlerësohet pozitivisht për figurën dhe profesionalizmin

Pas prishjes së vendimit të shkarkimit të kryetares së Gjykatës së Kavajës, Entela Shedula nga Kolegji i Posaçëm të Apelimit, KPA, ajo u përball sërish me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë një seance dëgjimore të shkurtër shprehu dakordësinë për konkluzionet e reja mbi hetimet për figurën dhe profesionalizmin.

Entela Shedula u shkarkua nga KPK më 4 qershor 2020 pasi u konkludua se kishte mungesë të burimeve financiare për ndërtimin e një vile tre katëshe dhe blerjen e një autoveture. Po ashtu, u konstatuan deklarime të pasakta e të pamjaftueshme për të ardhurat dhe për pasuritë.

Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar në KPK më 30 janar 2020, nuk u relatuan probleme për figurën dhe profesionalizmin, megjithatë vendimarrja në shkallën e parë u konkludua vetëm për pasurinë. Vendimi u mor nga trupa e KPK e kryesuar nga Xhensila Pine, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Brunilda Bekteshin.

Gjyqtarja Shedula e ankimoi në Kolegj vendimin e shkarkimit të saj, ku gjatë shqyrtimit në dhomë këshillimi u konstatuan shkelje procedurale të kryera në procesin e Komisionit dhe për rrjedhojë çështja u kalua për shqyrtim në seancë publike. Kolegji i gjeti të drejta shkaqet e subjektit për pasurinë dhe e riktheu çështjen në KPK, me qëllim vijimin dhe përfundimin e hetimit për dy kriteret e tjerë.

Në seancën e të mërkurës më 25 janar 2023, relatorja e çështjes Suela Zhegu, sqaroi se nuk janë gjetur probleme në pastërtinë e figurës.

Megjithëse Komisioni ka hetuar për ndonjë rast të mundshëm konflikti interesi lidhur me shoqëritë ku ka qenë i punësuar bashkëshorti i subjektit, ka verifikimet ka rezultuar se ajo nuk ka gjykuar çështje me palë ndërgjyqëse kompanitë në fjalë.

Në një rast në vitin 2009, një prej shoqërive që ka qenë palë në gjykim ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares Shedula për shkak të punësimit të bashkëshortit të saj, kërkesë që është pranuar nga gjykata dhe çështja është shqyrtuar nga gjyqtarë të tjerë.

Gjyqtarja Shedula deklaroi se ishte dakord me rezultatet e hetimit administrativ dhe kërkoi konfirmimin e saj në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 27 janar, në orën 09:45.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *