Gjyqtarja Irena Brahimi bindi KPK për morinë e dyshimeve mbi pasurinë dhe aftësitë profesionale
Lajme

Gjyqtarja Irena Brahimi bindi KPK për morinë e dyshimeve mbi pasurinë dhe aftësitë profesionale

Gjyqtarja e apelit të Gjirokastrës mori konfirmimin në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pasi sqaroi mungesat në të ardhura për pasuritë e blera si dhe një numër të lartë denoncimesh për konflikt interesi në çështjet e gjykuara prej saj.

Gjyqtarja e Apelit të Gjirokastrës, Irena Brahimi pas vendimit të KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Gjyqtarja Irena Brahimi mori konfirmimin në detyrë në korrik nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pasi arriti të bindë trupën gjykuese me shpjegime mbi mungesën e burimeve të ligjshme për blerjen e pasurive, për shitjen e një automjeti me çmim më të lartë se sa ai i blerjes dhe për një numër të lartë denoncimesh për konflikt interesi.

Vendimi i plotë mbi rivlerësimin e Brahimit u publikua nga KPK së fundmi. Sipas tij, gjyqtarja ka një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë, ka arritur së paku nivelin minimal kualifikues për vlerësimin e aftësive profesionale, dhe nivel të besueshëm për pastërtinë e figurës.

Brahimit iu ngritën pikëpyetje për ligjshmërinë e burimit të blerjes së një toke në Sarandë në vitin 1995, të një apartamenti dhe njësie tregtare në Gjirokastër si dhe për një makinë të vitit 1992, të cilën familja e gjyqtares rezultoi se e kishte shitur për 760 mijë lekë ose më shumë se sa e kishte blerë në vitin 2007. Brahimi u përball me një numër të lartë denoncimesh për vendimmarrje në kushtet e konfliktit të interesit, për të cilat arriti të japë sqarime bindëse për trupën gjykuese. Sipas shpjegimit të gjyqtares, makina në fjalë u shit më shtrenjtë nga sa ishte blerë për shkak se kishte një ngjyrë të pëlqyeshme nga shitësi që punonte si taksist.

Në total gjyqtares i rezultuan diferenca të pambuluara me të ardhura të ligjshme të pasurive me vlerë rreth 830 mijë lekë, por trupa gjykuese i konsideroi këto si probleme të pamjaftueshme për të sjellë shkarkimin e saj nga detyra.

“…duke e parë nën dritën e parimit të proporcionalitetit dhe në tërësinë e tij kriterin e pasurisë për këtë subjekt rivlerësimi – kjo mungesë financiare, si dhe pasaktësitë e konstatuara në deklarime, në vetvete, nuk kanë një peshë të tillë që të mund të përbëjë shkaqe të mjaftueshme për aplikimin e masës së shkarkimit nga detyra,” shkruhet në vendimin e trupës gjykuese të përbërë nga Brunilda Bekteshi, kryetare, Lulzim Hamitaj, relator dhe Olsi Komici, anëtar.

Gjyqtarja pati probleme gjithashtu me disa nga të 27 denoncimet e bëra nga publiku kundër saj, ku më seriozet ishin ato për gjykim çështjesh në kushtet e konfliktit të interesit. Në dy prej rasteve, gjyqtarja arriti të shpjegojë para trupës gjykuese se dorëheqja e saj është refuzuar dhe për rrjedhojë, konflikti i interesit ka qenë jashtë vullnetit të saj.

Në një rast, një avokat në Gjirokastër që kishte marrë me qira një mjedis nga vetë gjyqtarja, u ankua se kjo e fundit ka gjykuar çështjen e tij, në të cilën ai ishte akuzuar për fshehjen e të ardhurave.

“pretendimet e ngritura nga denoncuesi, ndonëse mund të ngrehin dyshime mbi një komunikim të ndikuar disi nga ekzistenca e një situate konfliktuale, nuk kalojnë pragun e provueshmërisë dhe besueshmërisë për të kristalizuar ndonjë mangësi në aftësitë profesionale apo përgjegjësi nën këndvështrimin e etikës së subjektit të rivlerësimit,” konkludoi trupa e KPK-së.

Vendimi i plotë gjendet këtu:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *