Kolegji i Posaçëm i Apelimit Lajme

Ish-gjyqtari Fatos Lulo humbet apelimin e vetingut

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të martën “unanimisht” lënien në fuqi të vendimit të shkarkimit nga detyra të ish-gjyqtarit kushtetues Fatos Lulo.

Trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që kreu procesin e rivlerësimit për gjyqtarin Fatos Lulo. Foto: Besar Likmeta/BIRN

Kolegji i Posaçëm i Apelimit la në fuqi vendimin e shkarkimit të Fatos Lulos, i cili u gjet i papërshtatshëm për detyrën e gjyqtarit pas një karriere 13 vjeçare në sistemin e drejtësisë për posedim pasurie të pajustifikuar me burime të ligjshme të të ardhurave. Vendimi i 23 marsit për shkarkimin e Lulos ishte i pari i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, institucionit të krijuar në bazë të reformës në drejtësi dhe që ka për detyrë të kontrollojë pastërtinë e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Lulo ka një pasuri të deklaruar prej 92 milionë lekësh, të cilën thotë se e ka krijuar në bazë të dhuratave në shuma të mëdha nga familjarë dhe nga puna e tij si avokat në Shqipëri dhe Kanada. Lulo i ka hedhur poshtë akuzat e ngritura nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve.

Kolegji, i cili shqyrton ankimet ndaj vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, përbëhej në rastin e shqyrtimit të apelimit të Lulos nga relatore Natasha Mulaj, me drejtues Luan Dacin dhe me anëtarë gjyqtarët  Albana Shtylla, Ardian Hajdari dhe Sokol Çomo.

Sipas njoftimit të kolegjit, vendimi për lënien në fuqi të vendimit të shkarkimit ishte “unanim” dhe ky është vendim përfundimtar dhe i formës së prerë.

Lulo është diplomuar si jurist në Universitetin e Tiranës në fillim të viteve 1980 dhe gjatë regjimit komunist ka shërbyer si jurist në Zyrën e Kryeministrit, Adil Çarçani, dhe në Ministrinë e Punës. Nga viti 1994 deri ne vitin 1999, i ushtroi detyrën e tij si avokat në Tiranë, me kursimet e së cilës ka justifikuar një pjesë të aseteve në deklarimin fillestar pranë ILDKPKI në vitin 2004. Sipas biografisë së tij, më 1999 emigroi në Kanada ku punoi si jurist në zyrën e Emigracionit të Kanadasë para se të kthehej në Tiranë më 2002 si avokat. Më 2003 u zgjodh komisionet në Këshillin Kombëtar të Radios dhe Televizionit. Ai vijoi karrierën si avokat deri më 2005 kur u emërua anëtar i Gjykatës së Lartë. Nga viti 2013 e mbrapa ai emërua anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *