Rivlerësimi i prokurores Elida Kaçkini në KPK, datë 16.07.2019 | Foto : Vladimir Karaj
Artikull kryesor Lajme KPK Lajme Në Fokus

Kandidatja për SPAK, Elida Kaçkini përballet me vetingun

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mbajti të martën seancën dëgjimore për procesin e rivlerësimi të prokurores së Prokurores së Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Elida Kaçkini.

Rivlerësimi i prokurores Elida Kaçkini në KPK, datë 16.07.2019 | Foto : Vladimir Karaj

Seanca dëgjimore për prokuroren e Tiranës Elida Kaçkini e zhvilluar të martën në mëngjes ishte e shkurtër. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vuri në dukje se pasuritë e saj rezultonin siç ishin deklaruar. Qëndrim të ngjashëm KPK pati sa i përket pastërtisë së figurës dhe profesionalizimit.

Por trupa gjykuese e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relatore Etleda Çiftja dhe anëtare Xhensila Pine, vunë në dukje se nga hetimi ishin gjetur mospërputhje sa i përket një apartamenti të blerë nga bashkëshorti i prokurores para lidhjes së martesës.

Kaçkini tha se kishte sjellë dokumente mbi huatë, por në shpjegimet në sallë mbajti qëndrim se ajo nuk kishte përgjegjësi për këtë pasuri të krijuara para martesës dhe bashkëjetesës dhe tha se bashkëshorti i saj do jepte përgjigje për këto çështje, pasi edhe ai vetë do të përballej me vetingun.

Bashkëshorti i saj Bezart Kaçkini, i cili është gjyqtar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë, ka deklaruar sipas KPK për apartamentin në deklaratën veting çmim 32 mijë euro dhe 38 mijë euro në deklaratën periodike. Nga hetimi KPK i ka rezultuar se kishte probleme për dy huatë që ai kishte marrë për apartamentin dhe mungesë burimesh për kursimet.

Relatorja Çiftja vuri në dukje se babai i gjyqtarit, nuk kishte pasur të ardhura për të dhënë huanë e deklaruar nga i biri. Po ashtu u bë me dije se huadhënësi tjetër, nuk kishte paraqitur dokumente për të vërtetuar të ardhurat.

Relatorja tha se vetë gjyqtari Kaçkini nuk kishte pasur burime për të mbuluar shpenzimet në vitin 2010 kur ishte blerë apartamenti.

Kaçkini, e cila e ka filluar karrierën e saj në vitin 2006 në Prokurorinë e Lushnjes dhe më pas në Tiranë, i tha KPK-së se kishte sjellë dokumente në lidhje me huatë dhe me të ardhurat e bashkëshortit. Por në qëndrimin e saj ajo vuri në dukje se nuk mund të mbahej përgjegjëse për këtë pasuri.

Ajo tha se mund të përgjigjej për rastet kur ajo kishte pasur mundësi vendimarrje dhe të shprehte vullnetin e saj dhe jo për veprime që ishin kryer sipas saj para bashkëjetesës.

E pyetur nga anëtarja e KPK, Xhensila Pine se ku kishte banuar në vitet 2010 deri në vitin 2012 kur ishte martuar, Kaçkini shpjegoi se ajo dhe bashkëshorti i ardhshëm kishin punuar në zona të ndryshme të vendit. Ajo tha se i shoqi kishte punuar gjyqtar në Tropojë, ndërsa ajo prokurore në Lushnje.

Kaçkini tha po ashtu se kishte jetuar në këtë periudhë me prindërit e saj. “Jemi një familje e madhe dhe kemi jetuar bashkë”, tha ajo, duke shpjeguar se bashkëjetesa me të shoqin nuk kishte qenë e mundur në këtë kohë.

Ajo shtoi se provë për këtë ishte fakti se shtëpia ishte bërë e banueshme pas vitit 2012, gjë që sipas saj provohej edhe nga faturat e energjisë dhe të ujit.

Pjesa tjetër e seancës për Kaçkinin u duk pa probleme. Asaj iu lexuan një sërë denonciumesh, por KPK edhe pse vuri në dukje që i kishet kërkuar shpjegime la të kuptohej se nga këto raste nuk kishte indicie për shkelje proceduriale.

Vetë Kaçkini përmendi disa prej denoncimeve duke shpjeguar se qëndrimet e saj si prokurore ishin konfirmua në gjykatë dhe se nuk kishte pasur njëanshmëri në asnjë prej çështjeve. Ajo këmbënguli se hetimet e saj kishin qenë të plota.

Pasuritë e tjera të prokurores ishin dy makina të blera 250 mijë dhe 500 mijë lekë, të cilat sipas KPK ishin të mbuluara nga burime të ligjshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *