Gjyqtari Arbër Çela në KPA | Foto: Edmond Hoxhaj
KPA Lajme Veting

Kolegji njihet me parashtrimet në çështjen e gjyqtarit Arbër Çela

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të enjten më 28 shtator me parashtrimet e Komisioneres Publike, Irena Nino për ankimin e ngritur ndaj konfirmimit në detyrë të gjyqtarit të Shkodrës, Arbër Çela, si dhe me pretendimet e këtij të fundit. Nino u qëndroi shkaqeve të ankimit duke konstatuar pobleme në kriterin e pasurisë dhe atë profesional, duke kërkuar shkarkimin e Çelës. Ky i fundit parashtroi prova të reja dhe i cilësoi shkaqet e ngritura të pabazuar në fakte, duke pretenduar se i rrëzonte ato.

Gjyqtari Arbër Çela u konfirmua në 7 dhjetor 2022 nga trupa e KPK e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtare Genta Tafa (Bungo), por Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM e vlerësoi të gabuar vendimin e KPK-së duke arsyetuar se nuk janë vlerësuar si duhet problemet e gjetura në kriterin e pasurive, të figurës dhe profesionalizmit.

Bazuar në rekomandimin e ONM, Komisionerja Irena Nino ushtroi ankim në Kolegj. Ajo vlerëson se gjyqtari Çela rezulton me bilanc negativ në vlerën reth 7.3 milionë lekë për investimet e kryera në blerjen e një apartamenti dhe mbulimin e shpenzimeve. Po ashtu, ajo ngriti dyshime për pasuri të fshehur duke i konsideruar disa prej transaksioneve si të pazakonta.

Nga hetimi administrativ ka rezutluar se Çela e ka blerë këtë pasuri në bashkëpronësi me një kushërirën e tij, me pjesë takuese ½ secili. Por, sipas dokumentacionit bankar ka rezultuar se ai ka paguar 78% të vlerës së apartamentit, kurse pjesa tjetër është shlyer nga kushërira në cilësinë e bashkëpronares. Më vonë, kushërira i’a ka shitur pjesën takuese babait të subjektit.

Sipas Ninos, subjekti nuk ka pasur burime financiare të ligjshme për të mbuluar vlerën e paguar. Komisionerja Publike konstaton se subjekti ka shënuar në pyetësorin standard se për pagesat e apartamentit ka shërbyer dhe një hua në shumën 30 mijë euro që nuk e ka deklaruar asnjëherë më parë. Po ashtu, nuk është provuar mundësia e huadhënësit për krijimin me burime të ligjshme të kësaj vlere.

Nino deklaroi se nuk provohej as mundësia e bashkëpronares për pagesën e pjesës së saj takuese, pasi për të ardhurat nga punësimi i saj nuk vërtetohet të jenë paguar detyrimet për vlerat neto të pretenduara. Gjithashtu, nuk është vërtetuar burimi i ligjshëm i huave të deklaruara si burime për pagesat e kryera prej saj.

Gjqytari Arbër Çela u paraqit në seancën publike në Kolegj së bashku me avokatin Julian Mërtiri. Pasi ky i fundit paraqiti parashtrime dhe argumente të detajuara kundër shkaqeve të ankimit, vetë subjekti në mënyrë të përmbledhur u ndal në ato që i cilësoi si tre pikat kryesore të procesit, lidhur me investimin e përbashkët me një të afërmen e tij; për të ardhurat e saj; si dhe huanë që ai vetë ka marrë.

“E kuptoj dyshimin se ka dhe kushërinj që ka kohë të gjatë që nuk i takoj. Prandaj duhet të hetohet marrëdhënia jonë”, deklaroi Çela dhe vërejti se sipas sistemit TIMS rezulton që aid he kushërira të kenë udhëtuar shpesh së bashku janë shtetit dhe të kenë kaluar pushimet së bashku.

Në vijim, ai pohoi se kishte deklaruar se ndante qiranë me kushërirën, përpara se të miratohej legjislacioni për vetingun e magjistratëve. Sipas tij, ishin të dy beqarë dhe të pastreh në Tiranë, dhe prandaj ishin dakordësuar për të blerë së bashku një apartament në kryeqytet.

Çela tha se babai i tij kishte pasur pak ditë para blerjes së apartamentit likujditete në bankë në vlerën 32 mijë euro dhe nëse do të kishte pasur nevojë për të justifikuar pasurinë, do të ishte ndihmuar nga i ati, ose do t’I ishte dhuruar ajo shumë. .

“Nuk ka veprime fiktive. […]Prandaj nuk ka dyshime për këtë investim”, theksoi ai.

Çela kundërshtoi pretendimin e Ninos se ai kishte shlyer pjesën më të madhe të çmimit të pasurisë. Subjekti argumentoi se ditën që kishte kryer pagesën kishte qenë së bashku me kushërirën dhe përfaqësuesen e shoqërisë ndërtuese që shiste apartamentin. Sipas tij, kontrata ishte nënshkruar nga të tre. Çela solli në vëmendje një vërtetim të lëshuar nga banka ku është kryer transaksioni, ku shënohet se pagesat cash kryhen nga një person edhe kur janë dy apo më shumë persona që paguajnë.

Subjekti këmbënguli se secili kishte shlyer gjysmën e çmimit të apartamentit, ashtu si dhe kishin përfituar pjesët takuese. “Nëse do të kishte paguar kushërira gjithë çmimin e apartamentit, do të ishte përjashtuar nga hetimi kjo pronë?”, solli Çela si argument rastin hipotetik të kundërt, nëse pagesat do të ishin kryer nga bashkëpronarja.

Lidhur me huanë e marrë prej tij në vlerën 30 mijë euro, subjekti pranoi mosdeklarimin. Ai tha se nuk e kishte deklaruar pasi e kishte kthyer brenda tre muajve. Ndërkohë që si gjurmë provuese të huave ai pretendoi se së bahsku me pronaren kishin deklaruar si burime të pagesave në bankë, kursimet dhe huatë.

Çela këmbënguli se huadhnësi kishte pasur burime të mjaftueshme për dhënien e shumës 30 mijë euro. Ai e cilësoi të pabazuar pretendimin e Ninos se një kontratë noteriale për një transaksion të kryer nga huadhënësi, nuk figuronte në regjistrat e Ministrisë së Drejtësisë për aktet noteriale.

Sipas subjektit, kontrata e shitjes është nënshkruar nga huadhënësi para noterit në muajin janar 2013-ës, ndërsa regjistrimi i deklaratave noteriale pranë Ministrisë së Drejtësisë kishte filluar në prill të atij viti.

Ai shtoi se të ardhurat e përfituara nga ky transaksion, nuk ishin të vetmet që kishte disponuar huadhënësi, pasi kishte pasur dhe aktivitete të tjera. Subjekti pretendoi se me dokumentacionin e dorëzuar gjatë hetimit administrativ dhe në Kolegj kishte provuar mundësinë e huadhënësit për krijimin e vlerës 30 mijë euro me burime të ligjshme.

Po ashtu, Çela pretendoi se kishte vërtetuar edhe mundësinë e bashkëpronares për pagesën e pjesës së saj takuese. Për të ardhurat nga puna, ai deklaroi se nuk ishte faji i kushërirës përse punëdhënësi kishte paguar detyrime për pagë minimale. Ai pohoi se kishte dorëzuar vërtetime të punëdhësit të kushërirës që tregonin se paga neto e saj kishte qenë më e lartë dhe kërkoi që të konsiderohet ajo vlerë.

Subjekti theksoi se ishte vërtetuar edhe mundësia e huadhënësit të kushërirës. Sipas tij, bashkëpronarja e kishte shënuar në dokumentacion bankar se burim i pagesave kishte qenë edhe huaja, veç kursimeve të saj.

Në vijim subjekti u ndal në katër çështjet lidhur me aspektin profesional. Nino evidentoi se në disa raste vendimarrjet e subjektit janë rrëzuar nga gjykatat më të larta, se është vepruar prej tij në kundërshtim me procedurat, si dhe kërkoi që të çmohet në drejtim të njohurive të gjyqtarit Çela.

Lidhur me ndryshimin e cilësimit të veprës penale për një të proceduar, nga “Vrasje e mbetur në tentativë” në “Plagosje të lehtë me dashje”, subjekti pretendoi se ishte provuar se autori nuk kishte pasur qëllim të vriste të dëmtuarin. “Ka pasur dy akte ekspertimi që e nxirrnin si “Plagosje të lehtë…” tha ai.

Lidhur me konstatimin e Ninos, se disponimi i subjektit për të mos i dhënë prokurorit të drejtë ankimi, ishte rrëzuar nga gjykata më e lartë Çela tha se ishte bazuar në praktikën e Gjykatës së Lartë.

Për heqjen e bashkëpunimit për dy persona të kapur nga policia në rugë, ku njëri ishte duke mbërritur me një qese me lënë narkitike, Çela tha se njëri ishte në rrugë, ndërsa tjetri po dilte nga shtëpia dhe në këto kushte kishte arsyetuar se nuk kishte bashkëpunim.

Lidhur me rrëzimin e kësaj vendimarrje nga Apeli, subjekti u mbrojt me pretendimin se nuk ishin konstatuar shkelje procedurale, por kishte pasur vlerësim të ndryshëm të provave.

Edhe për një tjetër vendimarrje të rrëzuar nga Apeli, subjekti pretendoi se nuk ishin konstatuar shkelje procedurale. Për pretendimin e denoncuesit se subjekti kishte favorizuar njërën palë, ai u përgjigj se nuk qëndronte një fakt i tillë, pasi pala në fjalë kishte kryer ankim dhe kishte hequr dorë në Apel. Sipas subjektit, Apeli e ka prishur vendimin e tij pas heqjes dorë të palës kërkese.

Një tjetër denoncues pretendon se gjyqtari Çela ka marrë vendim pasi ishte kërkuar përjashtimi i tij. Subjekti tha se vendimi përfundimtar ishte marrë pasi ishte rrëzuar kërkesa për përjashtim. Lidhur me pushimin e kësaj çështje, ai argumentoi se kishte ardhur si pasojë e mosparaqitjes së palëve në proces.

Gjyqtari Çela pretendoi se kishte rrëzuar gjithë shkaqet e ngritura nga Komisionerja Publike.

Pasi u tërhoq, Kolegji vendosi që të marrë kohë për të vlerësuar provat dhe e shtyuy seancën për ma datë 4 tetor, në orën 10:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *