Kolegji vendos të verifikojë aktivitetin privat të bashkëshortit të Lindita Zigurit

Lajme
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, me anë të një vendimi të ndërmjetëm të marrë me shumicë votash, vendosi të kryejë hetimin bazuar në kërkimet e Komisionerit Publik lidhur me aktivitetin privat të mëparshëm të bashkëshortit të prokurores Lindita Ziguri Male.

Prokurorja Lindita Ziguri dhe avokati i saj pas seancës në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: Edmond Hoxhaj.

Anëtarët e trupit gjykues të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA që po shqyrtojnë ankimin e Komisionerit Florian Ballhysa ndaj vendimit të Komisionit për prokuroren e Tiranës Lindita Ziguri, diskutuan gjatë para se të njoftonin vendimin për ecurinë e çështjes.

Në seancën parardhëse publike, të zhvilluar më 20 tetor Komisioneri Ballhysa parashtroi shkaqet e ankimit të bazuar në rekomandimin e ONM-së, duke konstatuar mungesë të hetimit të KPK-së mbi rrethanat e aktivitetit tregtar të bashkëshortit të subjektit të rivlerësimit në periudhën 2005-2007; për huamarrjet e tij në vitet 1993 dhe 1994 dhe për një hua 5000 euro të marrë nga prokurorja Ziguri për blerjen e një apartamenti në Tiranë. Gjithashtu, ai evidentoi se Komisioni nuk ka kryer rivlerësimin e çështjes në tërësi dhe kërkoi lënien në fuqi ose ndryshimin e vendimit të KPK për konfirmimin e Zigurit.

Prokurorja Lindita Ziguri paraqiti një duzinë me prova në funksion të shkaqeve të ankimit dhe paraqiti parashtrimet e saj duke kërkuar lënien në fuqi të vendimit të KPK.

Megjithëse Kolegji kishte përcaktuar që seanca të fillonte në orën 10:00 të datës 26 tetor, trupi gjykues hyri në sallë rreth orës 11:35. Kryesuesja Ina Rama njoftoi se vonesa kishte ardhur si pasojë e diskutimeve të gjata lidhur me vendimarrjen për mënyrën se si do të veprohet me hetimin gjyqësor.

Kolegji vendosi që të kryhen hetime të mëtejshme lidhur me kërkesat e Komisionerit Publik, për aktivitetin privat të bashkëshortit të subjektit gjatë periudhës 2005-2007, kur ai kishte lidhur një kontratë bashkëpunimi me një firmë ndërtuese si dhe kishte nënshkruar kontratë sipërmarrje me një person që kishte porositur blerjen e dy apartamenteve. Megjithëse Ziguri deklaroi se bashkëshorti ishte tërhequr nga këto transaksione pasi nuk kishte rënë dakord me firmën ndërtuese dhe ishte sëmurur rëndë në fillim të vitit 2008. Ballhysa kërkoi që të verifikohet se kush i ka ndërtuar apartamentet, kush ka përfituar nga shitja e tyre, si dhe cili i ka përfituar.

Po ashtu, Kolegji vendosi të kërkojë informacione nëse prokurorja Ziguri ka hetuar ndonjë prej shoqërive me të cilat ka bashkëpunuar bashkëshorti, apo nëse ai ka pasur ndonjë proces gjyqësor civil me këto subjekte.

Trupi gjykues vendosi të kërkojë informacion nëse subjekti ka hetuar huadhënësit e bashkëshortit në vitet 1993-1994, si dhe të tërheqi për verifikim dosjen e plotë të bashkëshortit të saj nga Agjencia e Trajtimit të Kredive.

Lidhur me një hua 5000 euro të marrë nga Ziguri prej dajës së saj për blerjen e një apartamenti, Kolegji vendosi të kërkojë informacione nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore të dhëna për huadhënësit gjatë periudhës 2005-2008.

Komisionneri Ballhysa evidentoi në seancë faktin se prej dokumenteve të dorëzuara nga vetë prokurorja Ziguri, kishte konstatuar dy vendime gjyqësore lidhur me dy kreditorë të bashkëshortit gjatë viteve 1993-1994, emrat e të cilëve nuk ishin përfshirë në listën e huadhënësve për të cilët subjekti kishte kërkuar informacion në prokuroritë ku ka punuar, nëse i ka hetuar ose jo.

Në seancën parardhëse, Ziguri dorëzoi si prova vërtetime të prokurorive ku ajo ka punuar me të cilat pretendoi se provonte se nuk kishte hetuar asnjëherë asnjë prej personave që i kishin dhënë hua bashkëshortit, para lidhjes së martesës.

Prokurorja Ziguri tha se mosvendosja e emrave të tyre në kërkesën për informacion që kishte kërkuar mund të kishte ardhur si pasojë e pakujdesisë. Ajo tha se kishte kërkuar informacion bazuar në listat e kreditorëve që kishin gjetur në objektin që zotëronte në atë kohë bashkëshorti, duke shpjeguar se ndërtesa ishte djegur gjatë trazirave të vitit 1997 dhe se pjesa më e madhe e dokumenteve ishin shkatërruar.

Në fund kryesuesja Ina Rama u shpreh se subjekti ishte e lirë të siguronte edhe ajo dokumente në funksion të kërkimeve dhe njoftoi shtyrjen e seancës për më datë 18 nëntor, ora 10:00.