Prokurorja Mariola Mërtiri pas seancës në KPK. Foto:BIRN
KPK Veting

Komisioni konfirmon me shumicë prokuroren Mariola Mërtiri

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi të mërkurën se me shumicë votash kishte konfirmuar në detyrë prokuroren Mariola Mërtiri.

Hetimi administrativ për Mërtirin u krye nga trupa e kryesuar prej Etleda Çiftjas, me relator Roland Ilia dhe anëtare Pamela Qirko, ndërsa vëzhgues ndërkombëtar ishte Willem Brower.

Gjatë seancës dëgjimore u bë me dije se Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kishte paraqitur si gjetje në kriterin e figurës së prokurores së Tiranës, Mariola Mërtiri dhe i kërkoi asaj shpjegime për lidhjet e saj dhe të bashkëshortit me personat e shpallur në kërkim për akuza të korrupsionit në aferën e inceneratorëve.

Prokurorja Mariola Mërtiri është kunata e Mirel Mërtirit dhe Stela Gugalljes, por ajo mohoi në fjalën e saj të kishte kontakte të papërshtatshme.  Ajo i tha KPK-së se njohjet e saj me kunatën  kishin qenë të përcipta dhe lidheshin vetëm prej faktit se ajo ishte bashkëjetuese e vëllait të bashkëshortit të saj. Ndërsa mohoi të njihte Zoton dhe personat e tjerë të përmendur në aferën e inceneratorëve. Dhe minimizoi rolin e bashkëshortit të saj si i punësuar i kompanisë në fjalë.

Mariola Mërtiri përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2009 dhe punoi si prokurore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier. Prej vitit 2016, Mërtiri e ushtron funksionin pranë Prokurorisë së Tiranës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *