KPK Lajme Veting

Prokurori Kote jep shpjegime për balancat negative dhe për një mik përdorues kokaine

Prokurori Robert Kote i Prokurorisë së Tiranës u përball të enjten më 15 dhjetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për balancat negative lidhur me shpenzimet e shkollimit të vajzës në Vjenë të Austrisë, për udhëtimet dhe pushimet  jashtë shtetit, si dhe për pamundësinë e blerjes së një makine.

Po ashtu, paraqiti qëndrimin e tij edhe për konstatimet në kriterin e figurës dhe profesionalizmit ku mes të tjerash u evidentua  miqësia e tij me një person me precedentë penalë, për të cilin subjekti pohoi se bëhej fjalë për një prej personave më të pasur në Tiranë, që është përdorues kokaine.

Procesi i vetingut për prokurorin Kote po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Valbona Shanxhaktarin dhe anëtare Genta Tafa Bungo. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Gerrit Sprenger.

Robert Kote e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1989. Ai punon prej më shumë se dy dekadash si prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Mungesat financiare

Nga hetimet e pasurive të subjektit ka rezultuar se në vitin 2011 ai ka blerë një automjet “Range Rover”, kundrejt shumës 1500 euro. Këtë makinë rezulton ta ketë shitur në 2014-ën për çmimin 4000 euro.

“Duket se çmimi i shitjes në 2014 është më i lartë se çmimi i deklaruar nga subjekti në vitin 2011, në shumën 1500 euro”, vërejti Sanxhaktari dhe e cilësoi pa logjikë ekonomike këtë transaksion. Për rrjedhojë, vlera e deklaruar si e përfituar nga shitja e këtij automjeti nuk është përfshirë në analizën financiare paraprake.

Si pasojë e moskonsiderimit të kësaj shume në analizë, Kote ka rezultuar në pamundësi për blerjen e një automjeti “Audi A4” në vitin 2014, në vlerën totale 1 milion lekë. Nga analiza financiare është konstatuar balancë negative në shumën 700 mijë lekë për blerjen e Audi-t.

Sanxhaktari shtoi se automjeti tip “Audi A4” është rikthyer sërish tek shoqëria që e kishte shitur. “Duket se subjekti nuk ka pasur mundësi financiare dhe prandaj e ka kthyer”, pohoi realtorja.

Në vijim, Sanxhaktari relatoi lidhur me konstatimet për dy kontrata paraprake të njëjta, të nënshkruara nga subjekti në muaj shkurt dhe mars të vitit 2017 për blerjen e një mjedisi njësi shërbimi me sipërfaqe 68 m2 në Tiranë, kundrejt  çmimit 45 mijë euro.

Kontratat janë nënshkruar pas plotësimit të deklaratës veting, por ato nuk janë pasqyruar as në deklarimin periodik të vitit 2017. Megjithatë, subjekti ka deklaruar marrjen e një kredie në vlerën 30 mijë euro për blerjen e një njësie.

Nga hetimi ka rezultuar se si garanci për kredinë është vendosur një pronë tjetër dhe jo njësia që do të blihej. Ndërkohë, shoqëria ndërtuese ka informuar Komisionin se kontrata paraprake e vitit 2017 është revokuar, si dhe ka depozituar dokumentacion që vërteton se njësia është blerë nga një shtetase tjetër e cila e disponon si pronë.

Sipas Sanxhaktarit, subjekti ka shpjeguar se nuk e dispononte shumën 15 mijë euro, prandaj dhe ishte tërhequr duke kryer revokimin e kontratës paraprake. Kote ka vendosur në dispozicion të Komisionit dokumentacion lidhur me kontratat si dhe për kthimin e shumës së kredisë. Po ashtu, ka depozituar edhe një vendim gjykate që ka rrëzuar vendimmarrjen e ILDKPKI-së, që e ka ndëshkuar subjektin me gjobë për shkak të mosdeklarimit të transaksioneve për njësinë e shërbimit.

Komisioni nuk ka gjetur situatë të konfliktit të interesit mes subjektit dhe ndërtuesit, por konstatohet se veprimet e Kotes duket se kanë pasur si qëllim të vetëm përfitimin e kredisë.

Nisur nga fakti se Kote nuk ka krijuar pasuri me kredinë e marrë, për shkak se ky veprim është kryer pas periudhës së rivlerësimit, si dhe bazuar në faktin se është trajtuar si rast nga institucioni kompetent, subjekti është pyetur vetëm lidhur me destinacionin e vlerës së kredisë.

KPK ka gjetur se në periudhën 2014-2017, janë kryer disa transferta vlerash monetare nga bashkëshortja e subjektit për llogari të vajzës së tyre në Vjenë të Austrisë, periudhë në të cilën ajo ka jetuar atje me qëllim që të ndiqte studimet.

Sanxhaktari sqaroi se subjekti ka shpjeguar pranë ILDKPKI se pagesat janë kryer për studimet e vajzës në Universitetin Publik të Vjenës si dhe për shpenzimet e saj jetike. Ai ka deklaruar se e bija ka qëndruar fillimisht në një apartament me qira dhe pastaj është transferuar në konvikt, ku është strehuar gjatë gjithë kohës.

Sipas relatores, Kote nuk i ka shënuar këto shpenzime në deklarimet periodike dhe as në atë “veting”, por janë bërë të ditura prej tij për herë të parë në pyetësorët e Komisionit.

Komisioni ka përllogaritur shpenzimet vjetore të vajzës së subjektit sipas të dhënave të Eurostat, nga ka rezultuar për çdo vit rreth 14 mijë euro. Sanxhaktari vërejti se referencat sipas Eurostat tregojnë shpenzime më të larta nga ato të deklaruara prej subjektit. Për rrjedhojë është konstatuar pamundësi financiare në masën 1 milion lekë në vitin 2015 dhe 600 mijë lekë në 2016-ën. Subjektit i është kaluar barrë prove edhe për mosdeklarimin e këtyre shpenzimeve.

Po ashtu, Kote është përballur me barrë prove për të vërtetuar deklarimet e tij se shpenzimet gjatë qëndrimit tek familjarët në Greqi, janë mbuluar prej tyre. Nga hetimi ka rezultuar se subjekti nuk ka deklaruar shpenzime për udhëtimet e kryera gjatë periudhës 2005-2016, por ka shënuar si vendqëndrim shtëpinë e prindërve, të vëllait e të motrës në Korinth të Greqisë, si dhe se nuk ka pasur shpenzime.

Edhe për dy udhëtime që kanë pasur në Vjenë, ka pretenduar se kanë qëndruar tek miq që jetojnë atje. Sanxhaktari konstatoi se është provuar se personat e deklaruar nga subjekti jetojnë në Greqi, por subjekti nuk ka depozituar të dhëna që vërtetojnë se shpenzimet janë mbuluar prej familjarëve.

Për rrjedhojë, nga analiza financiare paraprake në të cilën shpenzimet e vajzës janë konsideruar bazuar në referencat e Eurostat, si dhe duke mospërfshirë shumën 4000 euro nga shitja e automjetit, për periudhën 2014-2016 ka rezultuar balancë negative në vlerën totale 2.6 milionë lekë.

Relatorja shtoi, se subjektit i është bërë me dije se nëse nuk do të dorëzojë prova për qëndrimin tek të afërmit, shpenzimet e udhëtimeve do të përllogariten 50 euro në ditë për person dhe atëherë balanca negative totale do të shkojë rreth 5 milionë lekë.

Prokurori Kote kërkoi që të konsiderohet shuma 4000 euro. Ai solli si argument faktin se blerësi ishte një biznemsen që kishte fuqi blerëse të konsiderueshme dhe se i kishte pëlqyer ngjyra dhe targa e mjetit. Edhe pas pyetjes së vëzhguesit ndërkombëtar, Gerrit Sprenger, subjekti këmbënguli se vlera e shitjes së mjetit ishte 4000 euro dhe kërkoi që të përfshihet në analizë.

Lidhur me shpenzimet e udhëtimeve jashtë shtetit, Kote argumentoi se familjarët e tij, nisur dhe nga fakti se ishin nga Gjirokastra kishin emigruar në Greqi. Ai deklaroi se prej vitit 1993 shkonte t’i takonte. “Jam përpjekur të sjell dokumente për të ardhurat e tyre. Ata janë të pajisur prej kohësh me pasaporta greke. Kam sjellë dokumentacion me vulë  apostile në formë e kërkuar nga ligji lidhur me të ardhurat e familjarëve të mi. Do lutesha që shpenzimet e qëndrimit jashtë shtetit të përllogariten 5 euro në ditë”, kërkoi Kote.

Në vijim ai këmbënguli se kishte provuar me dokumentacion se akomodimi i vajzës në Vjenë kishte kushtuar 300 euro në muaj. Ai e cilësoi si përllogaritje të pasaktë vlerën e shpenzimeve të kryer nga Komisioni dhe pretendoi se shpenzimet totale të vajzës në muaj mund të kenë qenë 700 ose 800 euro, por kurrsesi 1300 euro.

Kote pranoi se kishte pasur pasaktësi në deklarime pasi nuk kishte pasqyruar kursimet. “Është gabimi im se kam deklaruar çdo vit pagat, mjetet e përdorura dhe kreditë. Është pasaktësi”, pohoi ai dhe pretendoi se me 35 vjet punë si magjistrat kishte pasur mjaftueshmëri financiare për të mbuluar udhëtimet tek nëna dhe motra e tij në Greqi.

Lidhur me destinacionin e kredisë, subjekti shpjegoi se vlera ishte përdorur për shpenzimet e vajzës, si dhe u ishte dhënë borxh familjarëve në Greqi, kur ata kishin pasur nevojë për shkak të krizës ekonomike atje.

Figura dhe profesionalizmi

Sanxhaktari vërejti se raporti i parë i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ishte pozitiv, por se nuk përmbante mendimin e një prej institucioneve verifikuese. Pas pwrditwsimit të infove, DSIK e ka deklasifikuar pjesërisht raportin e dytë dhe i ka kërkuar Komisionit që të vlerësojë.

Komisioni ka verifikuar një procedim penal të vitit 2016, nga ka rezultuar se dy persona që janë kapur me dy arka me municione dhe janë lënë në masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur”. Prokurori Kote e ka pushuar procedimin penal duke u bazuar në ligjin për amnistinë, por KPK vlerëson se subjekti ka bërë kualifikim të gabuar të veprës penale duke sjellë për pasojë pushimin e procedimit dhe kthimin e një mjeti të sekuestruar.

Kote deklaroi se ndaj këtyre personave ishte caktuar masa e sigurimit personal. Ai shtoi se në atë periudhë prokuroria ishte e centralizuar dhe kërkesat e vendimmarrjet diskutoheshin me drejtuesin. Ai e quajti të drejtë cilësimin e veprës penale “mbajtje pa leje të armëve dhe municionit luftarak”, duke vërejtur se edhe policia e kishte sjellë referimin po për këtë vepër penale.

Kote shpjegoi se bëhej fjalë për një person me 9 fëmijë që po përpiqej të shiste municionin për 200 mijë lekë ‘të vjetra’.

Sprenger e pyeti Koten se çfarë mendonte se do të kishin bërë apo pse do t’i përdornin të proceduarit dy arkat me municione. Subjekti deklaroi se njëri prej të proceduarve kishte tentuar, por shitja e tyre kishte mbetur në tentativë.

Sanxhaktari evidentoi në vijim, se gjatë hetimeve për pasurisë, ka rezultuar se subjekti ka vendosur si kolateral një pasuri të dy shtetasve, njëri prej të cilëve ka rezultuar se ka pasur disa precedentë penalë. “Por subjekti nuk ka hetuar këtë shtetas për të cilin ka deklaruar se e ka shok prej 25 vjetësh”, pohoi Sanxhaktari dhe shpjegoi se prej verifikimeve të kryera në internet ka rezultuar se ka qenë i proceduar për shitje narkotikësh, përshtatje të lokalit për mbajtje të lëndëve narkotike dhe ndërtim pa leje.

Relatorja pohoi se ky rast është hetuar në drejtim të kontaktit të papërshtatshëm dhe subjekti ka sjellë shpjegime për historikun e procedimeve.

Prokurori Kote deklaroi në seancë se kishte shpjeguar dhe më parë se shtetasin Y.G. e njihte prej vitesh dhe këmbënguli se ndaj tij nuk kishte procedime penale pasi nuk ishte i përfshirë në paligjshmëri. Subjekti pohoi se Y.G. është një nga personat më të pasur në Tiranë, që sipas tij, zotëron gjysmën e kodrës së Linzës dhe se është përdorues kokaine. “Në vendime gjykate përmendet se është përdorues”, sqaroi ai për mikun e tij.

Relatorja Sanxhaktari vërejti se po të shikoje dokumentet e prokurorisë, dukej sikur ky shtetas po dërgohej për gjykim, ndërsa po të lexoje vendimin e gjykatës duhej si hetimi për Y.G. ishte pushuar.

Në seancë nuk u relatuan probleme domethënëse në kriterin profesional.  Në përfundim, prokurori Kote kërkoi konfirmimin e tij në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 19 dhjetor, në orën 09:40.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *