Prokurori Elion Mustafaj pas seancës dëgjimore. Foto: Vladimir Karaj.
KPK Veting

Prokurori Elion Mustafaj përballet me vetingun

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi të mërkurën seancën dëgjimore ndaj prokurorit Elion Mustafaj, të cilit iu kërkuan shpjegime kryesisht sa i përket kontratave kontradiktore për blerjen e një apartamenti në Yzberisht Tiranë.

Mustafajt po ashtu iu kërkuan shpjegime për bilance negative prej rreth 700 mijë lekësh në total, ndërsa u vlerësua pozitivisht sa i përket profesionalizmit dhe figurës.

Prokurori nga ana e tij vlerësoi procesin dhe falënderoi trupën. Ai këmbënguli se kontradiktat në dy kontratat ishin gabime, por edhe se kishte dhënë shpjegime që vërtetonin pohimet e tij. I pyetur nga vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs mbi faktin se kishte firmosur kontrata përmbajtja e të cilave nuk përputhej me realitetin, Mustafaj tha se kishte qenë një gabim. “I mirëkuptoj dyshimet tuaja,” tha ai, ndërsa përsëriti se bëhej fjalë për një gabim.

Procesi i tij i vetingut po kryhet nga trupa e përbërë nga Valbona Sanxhaktari kryesuese, Olsi Komici anëtar dhe Firdes Shuli, relatore.

Elion Mustafaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë si kancelar në prokurorinë e Durrësit. Ai është emëruar prokuror në vitin 2012 dhe e ka ushtruar funksionin në Prokurorinë e Korçës, atë të Vlorës si dhe në prokurorinë e Lushnjes.

Kontrata për apartamentin

Relatorja Firdes Shuli vuri në dukje në shpjegimet e dhëna se për një apartament në Yzberisht blerë përfundimisht për rreth 42 mijë euro, ishin dy kontrata me çmime të ndryshme. Mustafaj zotëron 50% të apartamentit.

Në kontratën e parë në vitin 2005 çmimi i apartamentit ishte 33 mijë euro, ndërsa prindërit e Mustafajt kishin paguar 20 mijë euro ndërtuesit para nënshkrimit të kontratës dhe premtonin shlyerjen e pjesës tjetër me kredi pas marrjes së pronësisë.

Por në kontratën e dytë, apartamenti rezultonte 42 mijë euro. Në kontratë nuk përmendej pagesa e kryer në vitin 2005 dhe premtohej pagesa me këste në vijim. Sipas KPK-së,  subjekti pretendonte se pagesa në 2005 ishte kryer dhe se mospërmendja e saj në kontratën e vitit 2007 ishte një gabim i noteres. Subjekti kishte sjellë edhe faturë sa i përket kësaj pagese.

Në shpjegimet e tij, Mustafaj i qëndroi kontratës së dytë në të cilën ai tha se u bë pjesë pasi prindërit nuk mund të merrnin kredi për shkak të moshës.  KPK nuk kishte gjetur probleme të burimeve, por Shuli vuri në dukje se subjektit i ishin kërkuar shpjegime sa i përket kontradiktës në kontrata dhe vlerës reale të apartamentit.

Mustafaj këmbënguli në seancë se çmimi i paguar plus shtesën prej rreth 10 mijë euro për punime të tjera, ishte çmimi real. Ai solli dokumente nga Kadastra dhe kontrata të fqinjve në të cilat sipas tij vërtetohej se ishte paguar e njëjta vlerë për pronën.

Megjithatë prokurori pranoi problemin me kontratat, duke pretenduar se ishte në gabim i noterit të cilit ata nuk i kishin kushtuar rëndësi në momentin e nënshkrimit. Ai tha se familja e tij e kishte pasur të pamundur të paguante më shumë për apartamentin dhe se ai ishte blerë në një zonë të pazhvilluar pikërisht për çmimin.

Vëzhguesi Jacobs megjithatë nuk u duk i bindur nga shpjegimet. Jacobs duke vënë në dukje ndryshimet mes dy kontratave, deklarimet e vetë Mustafajt dhe një deklaratë noteriale të prindërve të tij, tha se procesi e kishte bërë të dyshonte dhe se njëri nga deklaruesit “po gënjente”. “Nuk e kuptoj dot se si magjistratët, prokurorë apo gjyqtarë, firmosin deklarata që nuk përputhen me realitetin. Kjo më bën dyshues. Po shpresoja mos hidhni pak dritë në këtë rrëmujë,” tha Jacobs.

Mustafaj pranoi pjesërisht vërejtjet, ndërsa përsëriti argumentet e dhëna për komisionin. Këmbënguljes së Jacobs ai iu përgjigj se e mirëkuptonte dyshimin. “Është bërë një gabim, por ju siguroj që kjo që po deklaroj është e vërteta,” tha ai.

Mustafaj iu kërkuan shpjegime dhe për dy bilance negative. Një prej rreth 600 mijë lekësh para fillimit të detyrës dhe një i dytë prej 100 mijë lekësh pas fillimit të detyrës, i përbërë kryesisht nga bilance negative më të vogla në disa vite.

Mustafaj tha në seancë se bilanci i parë krijohej pasi KPK nuk kishte marrë në konsideratë se disa prej kësteve të kredisë për apartamentin ishin paguar nga prindërit dhe po ashtu një pjesë të të ardhurave të bashkëshortes, për të cilat ai tha se kishte sjellë prova.

Ai po ashtu këmbënguli se bilanci i dytë ndikohej kryesisht prej të parit. Mustafaj po ashtu pretendoi se katër udhëtime për të cilat i ishin llogaritur shpenzime ishin bërë në fakt për llogari të punës.

Prokurori dha shpjegime edhe mbi shpenzimet e lindjes së një fëmije në SHBA. Ai tha se ai dhe bashkëshortja ishte rezidentë në Konektikat dhe se shpenzimet i kishte mbuluar siguracioni i bashkëshortes, për të cilin kishte sjellë një email në të cilin detajoheshin pagesat dhe shpenzimet e kryera.

Shuli përmendi disa nga denoncimet dhe dy kallëzime penale të mosfilluara ndaj Mustafajt. Ajo tha se KPK njësoj si Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk i kishte gjetur probleme të punës prokurorit. Mustafaj po ashtu u vlerësua pozitivisht edhe sa i përket figurës. Në fund të seancës ai kërkoi konfirmimin në detyrë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *