Prokurori Arben Agovi ne KPK
KP Lajme Veting

Konfirmimi i prokurorit Arben Agovi ankimohet në Kolegj

Institucioni i Komisionerëve Publikë njoftoi të hënën më 29 janar ankimin e vendimit të Komisionit për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Tiranës, Arben Agovi, duke kërkuar shkarkimin e tij.

Arben Agovi u konfirmua në detyrë më 13 dhjetor 2023 në mënyrë unanime nga trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK e kryesuar nga Suela Zhegu, me relator Roland Ilian dhe anëtare Genta Tafa Bungon. Gjatë seancës dëgjimore më 11 dhjetor, Agovi dha shpjegime për burimin e një apartamenti të blerë nga prindërit, një bilanc negativ si pasojë e pasaktësive në deklarimin e kursimeve cash si dhe për gjetjet në disa prej çështjeve të denoncuara nga publiku. Ndërkohë, ai mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës.

Komisionerja Publike, Irena Nino vlerëson ndryshe nga KPK. sipas saj, lidhur me kriterin e aftësive profesionale, subjekti i rivlerësimit nuk ka dhënë shpjegime bindëse, si dhe nuk ka arritur të provojë të kundërtën e barrës së provës

“[…]Vlerësojmë se të metat e konstatuara në shqyrtimin e dosjeve të trajtuara gjatë procesit, evidentohen që përsëriten në mënyrë të vazhdueshme dhe në praktika të ndryshme, përbëjnë përjashtim nga rastet e konfirmimit në detyrë të subjekteve të rivlerësimit dhe duhet të vlerësohen negativisht”, shprehet Nino në ankim.

Sipas saj, gjetjet në vlerësimin e kriterit profesional reflektojnë mangësi profesionale, të tilla që nuk mund të plotësohen nëpërmjet programit të trajnimit; si moskryerja e të gjitha veprimeve hetimore të nevojshme, mënyra jokorrekte e vlerësimit të fakteve dhe provave, argumentimi jo i plotë dhe jo në përputhje me dispozitat ligjore.

Megjithëse edhe Nino e cilëson pamjaftueshmërinë e burimeve financiare në shumën 765 mijë për periudhën 1993-2016 të pamjaftueshme për të sjellë penalizim, kërkon që Kolegji ta çmojë në vlerësimin tërësor të çështjes.

Nino parashtron dhe një denoncim anonim ku ngrihen pretendime se subjekti i rivlerësimit është i korruptuar, pasi çdo vërtetim në Prokurorinë Lezhë e ka lëshuar kundrejt korrupsionit, ashtu siç ka mbyllur dhe shumë dosje. Për këtë, denoncuesi jep dhe link, dhe tekstin e publikuar nga një emision televiziv ku përmendet se prokurori Agovi ka përfituar në mënyrë korruptive shumën prej 500 euro.

Komisioni, në rezultatet e hetimit, ka arsyetuar se çështjet e pretenduara janë në kuadrin e hetimit penal dhe nuk ka indicie për të vlerësuar ndonjë çështje të ndjekur nga subjekti e për rrjedhojë ka vendosur të mos vijojë hetimin administrativ për këtë denoncim. Sipas Ninos, Komisioni duhej t’i kërkonte shpjegime subjektit.

Në përfundim, Nino vlerëson se prokurori Arben Agovi nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin e tij në detyrë dhe kërkon shkarkimin e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *