Konfirmohet gjyqtarja Etleva Deda e Gjykatës së Posaçme

Lajme
Gjyqtarja Etleva Deda e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u konfirmua në detyrë pas hetimit në të tre kriteret.

Gjyqtaret Etleta Deda dhe Miranda Andoni takohen në sallën e KPK-së pas vendimeve.

Gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Etleva Deda u konfirmua në detyrë mëngjesin e së premtes. Deda ka një karrierë 16 vjeçare në gjyqësor.

Vendimi i konfirmimit u lexua nga kryesuesja e trupës gjykuese, Genta Tafa Bungo, ndërkohë që procesi i vetingut për të u krye edhe nga relatorja Valbona Sanxhaktari dhe Roland Ilia.

Hetimi i pasurisë për Dedën u përqendrua në një apartament 115 m2 në Tiranë, që Deda e ka blerë në vitin 2011 në vlerën 92 mijë euro. Nga hetimi administrativ ka rezultuar se Deda e kishte marrë kredinë 5 milionë lekë për blerjen e një apartamenti në qytetin e Durrësit në vitin 2006, kontratë e cila ishte revokuar. Vlera e kredisë është tërhequr nga Deda dhe sipas saj është mbajtur në shtëpi dhe më pas është përdorur për blerjen e apartamentit në Tiranë, disa vite më vonë.

Prej analizës financiare ka rezultuar një balancë negative në vlerën 379 mijë lekë për shlyerjen e vlerës së apartamentit. Sanxhaktari pohoi se subjekti kishte paraqitur shpjegime lidhur me këtë gjetje, të cilat do të vlerësohen para marrjes së vendimit përfundimtar.