KPA lë në fuqi shkarkimin e prokurorit Çlirim Shahini

Lajme
Në mënyrë unanime, trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit i ka rrëzuar shkaqet e ngritura në ankimin e ish-drejtuesit të Prokurorisë së Lushnjës, Çlirim Shahini dhe ka vendosur lënien e shkarkimit në fuqi.

Prokurori Çlirim Shahini gjatë seancës së KPK-së | Foto nga : Edmond Hoxhaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të enjten të rrëzojë ankimin e ish-prokurorit Çlirim Shahini kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin e tij.

Në njoftimin e KPA-së thuhet se trupi gjykues i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Rezarta Schuetz relatore, Ardian Hajdari, Ina Rama dhe Natasha Mulaj anëtarë, pasi shqyrtuan në dhomë këshillimi ankimin e Shahinit, në mënyrë unanime vendosën lëinen në fuqi të vendimit nr. 124, datë 26 mars 2019 të KPK, duke e larguar atë përfundimisht nga sistemi i drejtësisë.

Prokurori Çlirim Shahini u shkarkua nga Komisioni pasi hetimi zbuloi se ai kishte përdorur makinën e një personi të dënuar dhe të hetuar edhe nga vetë ai, si dhe kishte fshehur faktin se një ndërtesë në pronësi të tij në Sarandë përdorej si “hotel” gjatë sezonit turistik.

Vendimi i zbardhur i KPK-së tregon se Shahini nuk e kishte deklaruar asnjëherë funksionin e ndërtesës, ndërsa biznesi nuk ishte regjistruar as në Qendrën Kombëtare të Bizneseve (QKB). Komisioni po ashtu gjeti se prokurori nuk kishte burime të ligjshme për ndërtimin e godinës në fjalë. Ai u gjet me probleme edhe në kriterin e pastërtisë së figurës dhe pasurisë, ndërkohë që një denoncim nga publiku nxorri në pah mangësi në kryerjen e hetimeve.