KPA lë në fuqi shkarkimin nga detyra të ish-prokurorit Edison Ademi

Lajme
Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur në mënyrë unanime të rrëzojë ankimin e ish-drejtuesit të Prokurorisë së Sarandës, Edison Ademi.

Anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit në seancën e parë të procesit për gjyqtaren Alma Kolgjoka. Foto: LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA, vendosi të hënën lënien në fuqi të vendimit të Komisionit për shkarkimin nga detyra të ish-drejtuesit të Prokurorisë së Sarandës, Edison Ademi.

Në njoftimin e KPA thuhet se, trupi gjykues i përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Ardian Hajdari relator dhe anëtarët Albana Shtylla, Natasha Mulaj e Sokol Çomo anëtarë, pasi përfunduan gjykimin e ankimit të ish-prokurorit Ademi në dhomë këshillimi, vendosën në mënyrë unanime ta rrëzojnë atë.

Edison Ademi u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK më 9 mars 2019, për shkelje të etikës dhe probleme me pasurinë.

Komisioni vlerësoi se ish-prokurori Ademi kishte shkelur etikën për shkak të qëndrimeve kontradiktore në lidhje me njohjen e dy personave për të cilët i kishte kaluar barra e provës në kriterin e profesionalizmit

Shkelje e etikës profesionale u konsiderua edhe mosprishja e një kontrate qiraje për një sipërfaqe toke me ish-Komunën Qendër Vlorë.

Komisioni konkludoi deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë. Në vendimin e KPK thuhet se ai ka kryer deklarime të pasakta e të pamjaftueshme; si dhe deklarim të rremë për shkak të mospasqyrimit në deklaratën veting të të ardhurave të vëllait në emigracion.

Sipas KPK-së Ademi mundi të provonte me dokumente të ligjshme dhe me vulë apostile të ardhurat e të vëllait vetëm për vitin 2016, por nga ana tjetër dërgesat me vlerë rreth 25 mijë paund për periudhën 2004-2014 nuk u morën në konsideratë si të ardhura të ligjshme, duke ndikuar negativisht në analizën financiare të tij.