Ish-Prokurori i Apelit i Tiranës Edmond Hyka, pas vendimit të KPA. Foto:Edmond HoxhaJ/BIRN
KPA Veting

KPA lë në fuqi vendimin e shkarkimit të Edmond Hykës

Kolegji i Posaçëm i Apelimit njoftoi të enjten se kishte vendosur të linte në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkinin e prokurorit të Apelit të Tiranës Edmond Hyka.

Trupa e KPA e kryesuar nga Rezarta Schuetz, me relator Sokol Çomo dhe anëtar Albana Shtylla, Mimoza Tasi dhe Natasha Mulaj, njoftoi se vendimi i KPK ishte “i bazuar në fakte dhe ligj”.

Schuetz që lexoi vendimin tha se Hyka nuk mund të justifikonte pasuritë e krijuara dhe se kishte pamjaftueshmëri të burimeve për likuiditetet dhe pasuritë e paluajtshme të vëna me burim mbi ato likujditete. Hyka pretendoi se një pjesë e pasurisë vinte nga trashëgimia, por KPA arsyeton se kjo nuk u provua dhe se prindërit e subjektit nuk kishin pasur mundësi për t’i krijuar këto pasuri.

Edmond Hyka u shkarkua nga detyra më 20 dhjetor 2019, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi mungesë burimesh të ligjshme për dhuratat nga prindërit në shuma të mëdha, blerjen e një apartamenti, si dhe investimet në bono thesari.

Pas ankimit të Hykës në KPA, Kolegji vendosi në dhomë këshillimi që të riçelë procesin duke konstatuar parregullsi proceduriale në veprimet e KPK. Sipas Kolegjit Hykës nuk i ishte dhënë nga KPK kohë e mjaftueshme për të dorëzuar prova. Por edhe pas marrjes së këtyre provave KPA la në fuqi vendimin e shkarkimit duke gjetur të drejtë vendimin e Komisionit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *