Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të mërkurën më 2 prill me parashtrimet në çështjen e prokurorit të Tiranës, Hysni Mulaj, lidhur me pretendimet e ngritura në ankimin e ish-Komisioneres Publike, Irena Nino që kërkoi shkarkimin e këtij subjekti rivlerësimi me argumentin se nuk arrin nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë.
Hysni Mulaj u konfirmua në detyrë nga Komisioni i pavarur i Kualifikimit në 8 qershor 2022. Në fillim KPK e gjeti Mulajn në pamundësi financiare për të mbuluar shpenzimet, kursimet dhe blerjen e një apartamenti. Po ashtu, u gjet në pamundësi babai i tij për dhënien e një huaje prej 4 milionë lekësh dhe një dhuratë në shumën 500 mijë lekë, të deklaruara si burime për apartamentin.
Mulaj i kundërshtoi gjetjet e KPK duke këmbëngulur të uleshin shpenzimet, të konsideroheshin të ardhurat nga bujqësia dhe të ardhurat nga emigracioni. KPK vendosi të rihapë hetimin dhe zhvilloi një seancë të dytë dëgjimore, kur u evidentua se ishin pranuar disa nga parashtrimet e subjektit.
Në përfundim të hetimit administrativ, KPK konkludoi se Mulaj rezultoi me një bilanc negativ prej 1.5 milion lekësh, i shpërndarë në 4 vjet, që u konsiderua i pamjaftueshëm për të sjellë penalizim
Nino në ankim pretendoi se Komisioni kishte vlerësuar gabim gjendjen e pasurive dhe mundësive financiare të subjektit. Sipas saj prindërit e Mulajt nuk kanë pasur të ardhura të mjaftueshme për të justifikuar huanë dhe dhurimin. Po ashtu, ajo vlerësoi se konkluzioni i Komisionit në lidhje me të ardhurat e të afërmve të subjektit nga emigracioni bie ndesh me precedentët e vendosur tashmë nga KPA. Sipas ish-Komisioneres Publike, Mulaj nuk ka dëshmuar ligjshmërinë e të ardhurave nga emigracioni, të ardhurave të prindërve nga bujqësia e të ngjashme.
Prokurori Klodian Braho, përfaqësuesi i atuorizuar nga drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, për të paraqitur parashtrimet në këtë çështje, deklaroi të mërkurën se u qëndronin gjithë shkaqeve të ankimit. Sipas tij, përfundimi i Komisionit për apartamentin është arritur në vlerësim jo të drejtë të provave të administruara dhe të legjislacionit për vetingun e magjistratëve.
Braho evidentoi se subjekti në deklaratën vjetore dhe atë veting, ka deklaruar si burim të huasë së dhënë nga babai vetëm të ardhurat e këtij të fundit, ndërsa gjatë hetimit administrativ ka shtuar dhe kontributin e vëllezërve dhënë të atit. Prokurori Braho nënvizoi se pretendimi i subjektit për përfshirjen e të ardhurave të vëllezërve dhe kontributeve të tyre si burim për huanë, nuk janë në përputhje me provat.
Ai shtoi se për të ardhurat e vëllait që ka jetuar e punuar në Blegjikë është administruar vetëm një kontratë pune, që nuk plotëson kushtet ligjore, pasi nuk vërtetohen të ardhurat për të cilat janë paguar detyrimet tatimore. Sipas Brahos, nuk provohet as mënyra e sjelljes së vlerave monetare në Shqipëri.
Lidhur me pretendimet për të ardhurat e vëllait tjetër, Braho solli në vëmendje se ai është ndarë nga trungu familjar prej vitit 1991 dhe ka krijuar familjen e tij të re.
Braho tha se nuk provohet mundësia e prindërve të subjektit për krijimin e vlerës së dhënë hua dhe asaj të dhuruar, prej nga rezulton pamundësi financiare për blerjen e apartamentit. Ai theksoi se pamjaftueshmëria konstatohej edhe po të konsideroheshin të ardhurat e vetë subjektit për periudhën 1997-2002, në vlerën afro 3 milionë lekë.
Prokurori Braho kërkoi që pamundësia financiare e konstatuar për blerjen e apartamentit, të konsiderohet së bashku me pamundësitë financiare të gjetura në vite. Sipas tij, në këto rrethana, Mulaj nuk e kalon testin e besueshmërisë.
Megjithatë, ai vërejti se nëse subjekti do të sjellë prova të reja përsa u përket të ardhurave të vëllezërve dhe kontributit të tyre ne familjen e prindërve, shkaqet e ankimit do të vlerësohen në harmoni me provat e administruara.
Në përfundim, prokurori Braho kërkoi ndryshimin e vendimit dhe shkarkimin nga detyra të Mulajt.
Prokurori Hysni Mulaj, u paraqit në seancë të mërkurën së bashku me avokaten Romina Zano, e cila parashtroi mbrojtjen e tij.
Zano u shpreh se shkaqet e ankimit nuk qëndrojnë dhe solli në vëmendje se kanë paraqitur fakte të reja shkresore që vërtetojnë burimet ndaj të cilave ngrihen pretendime. Avokatja Zano shpjegoi se pretendimet ngrihen vetëm për një apartament të porositur në vitin 2004, ku subjekti dhe familja e tij jetojnë dhe aktualisht.
Sipas Zanos, të dhënat dhe deklarimet e subjektit në vite për burimet e huasë, janë në përputhje me qëndrimin e tij gjatë procesit të rivlerësimit. Ajo nënvizoi se subjekti ka dhënë shpjegime në vitin 2011 dhe në 2016-ën për këtë pasuri, kur ka depozituar dokumente për dhurimin dhe për burimet e huasë, përfshi dhe për aktivitetin privat të të atit, një bar-kafe.
Duke e cilësuar të padrejtë qëndrimin e ngritur në ankim për huanë, Zano tha se është deklaruar prej subjektit se vlera e marrë prej babait përbëhet nga të ardhurat e gjithë familjes, që administroheshin nga i ati. Ajo dhe subjekti deklaruan në seancë se deri në atë periudhë kanë jetuar të gjithë së bashku, përfshi dhe vëllai që ishte ndarë nga trungu familjar në 1991-in. Sipas subjektit, ai ka jetuar me familjen e origjinës, derisa ka krijuar familjen e tij të re.
Po ashtu, u evidentua se subjekti e ka kthyer huanë në vite duke treguar koherencë dhe vërtetësi.
Lidhur me mungesën e transaksioneve bankare, u deklarua se në atë periudhë veprime të tilla kryheshin cash në mënyrë të drejtëpërdrejtë, duke sjellë në vëmendje dhe faktin se gjithçka ishte kryer mes anëtarëve të familjes.
Tjetër e dhënë që u soll në vëmendje të Kolegjit nga Zano lidhur me burimet e prindërve për dhënien e huasë, ishin dhe të ardhurat nga mbledhja e shitja e bimëve medicinale, si dhe ato të krijuara nga familja bujqësore.
Lidhur me ligjshmërinë e të ardhurave, Zano parashtroi se vërtetohet se vëllai i subjektit që është ne emigrim në Blegjikë nuk ka asnjë detyrim tatimor për të shlyer, ndërkohë që ka pasur kontratë pune pa afat nga viti 2003 e në vijim.
Në vijim u konstatua se personat e lidhur me Mulajn, nuk kanë qenë ndonjëherë subjekte deklarues. Po ashtu, u këmbëngul se është vërtetuar se babai ka pasur aktivitetin privat dhe ka gjeneruar të ardhura.
Duke përmendur jurispudencën e institucioneve të vetingut, Zano kërkoi që Kolegji të vlerësojë se ka pasur burime të mjaftueshme për dhënien e huasë dhe dhurimit. Ajo evidentoi se shkaqet janë ngritur për një pasuri të vetme, të krijuar 20 vjet para procesit të vetingut të subjektit.
Zano tha se prokurori Mulaj ka 28 vjet që e ushtron detyrën me integritet dhe se është vlerësuar gjithmonë shumë mirë. Ajo kërkoi që të merren në konsideratë edhe vlerësimet për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.
Në përfundim, avokatja Zano kërkoi riçeljen e hetimit, administrimin nga Kolegji të provave të reja dhe lënien në fuqi të vendimarrjes së Komisionit për konfirmimin në detyrë të prokurorit Hysni Mulaj.
Gjatë seancës, subjekti u pyet nga relatorja e çështjes, gjyqtarja Albana Shtylla, lidhur me faktin se në certifikatën familjare bënte pjesë vetëm një prej vëllezërve. Subjekti pranoi se ky fakt është i vërtetë, por ritheksoi se ai dhe vëllai tjetër kanë jetuar të gjithë së bashku me prindërit, pavarësisht se kishin bërë ndarje nga trungu familjar për rrethana të kohës. Ai pohoi se de facto, në familje deri në vitin 2005, kanë qenë 8 anëtarë.
Kolegji vendosi të riçëlë hetimin, administroi provat dhe shtyu seancën për më datë për më datë 7 prill, në orën 14:00, kur palët do të paraqesin konkluzionet përfundimtare.




