Gjyqtarja Vjollca Spahiu pas vendimit të KPK. Foto | LSA
KPK Lajme Veting

KPK konfirmon në detyrë gjyqtaren Vjollca Spahiu

Gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës Vjollca Spahiu u konfirmua në detyrë të premten nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pas rivlerësimit në të tri kriteret.

Spahiu, që ka shërbyer një pjesë të madhe të karrierës në Kukës dhe u transferua në Tiranë në vitin 2014, iu nënshtrua gjatë një seance dëgjimore një sërë pyetjesh në lidhje  me disa transaksione dhe pasurinë e saj.

Spahiu siç rezultoi në seancë kishte kryer disa transaksione që KPK i gjeti nën vlerën e tregut, po ashtu burimet për pasuritë e blera u vunë në dyshim nga Komisioni për shkak se koha e marrjes së kredive nuk përputhej me kohën e pagesave sipas kontratave të nënshkruara. Por prapësimet e Spahiut duket se kanë bindur KPK-në.

Vetë Spahiu vlerësoi punën e KPK-së, duke e cilësuar hetimit të detajuar dhe të thelluar dhe ra dakord me gjetjet në kriterin e profesionalizmit dhe figurës. Ajo tha në seancë se pasuria e saj ishte vetëm sa 1/3 e të ardhurave në vite dhe sqaroi transaksionet e kryera me rrethanat në të cilat ishte ndodhur familja.

Procesi i vetingut ndaj Spahiut u krye nga trupa e përbërë nga Valbona Sanxhaktari, Firdes Shuli dhe Lulzim Hamitaj.

Vjollca Spahiu e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe ka punuar fillimisht si gjyqtare në Kukës. Prej vitit 2014, Spahiu e ushtron funksionin në Gjykatën e Rrethit Tiranë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *