Prokurori Gjergji Tako pas konfirmimit nga KPK. Foto:BIRN
KPK Lajme Veting

KPK konfirmon pas “riedukimit” prokurorin Gjergji Tako

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë të premten prokurorin e Prokurorisë së Tiranës, pasi u njoh me rezultatet që ky i fundit arriti në Shkollën e Magjistraturës. Procesi i rivlerësimit për Takon u ndërpre në qershor 2022, pasi prokurori u gjet me probleme në aftësitë profesionale.  Pas problemeve të konstatuara, Komisioni vendosi të pezullojë atë nga detyra për një vit dhe detyrimin e tij për të ndjekur programin e trajnimit në Shkollën e Magjistraturës.

Procesi i rivlerësimit kalimtar për prokurorin Tako u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Roland Ilia, me reatore Etleda Çiftjan dhe anëtare Pamela Qirkon.

Gjatë leximit të vendimit Ilia bëri me dije se Tako kishte arritur rezultate të mira gjatë trajnimit në Shkollën e Magjistraturës dhe se KPK kishte vendosur konfirmimin e tij në detyrë. KPK ka marrë vendime të ngjashme në të gjitha rastet kur është vendosur pezullimi për shkak të aftësive profesionale.

Gjatë dy seancave dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit të zhvilluara për Takon në datat 27 prill dhe 15 qershor 2022, prokurori Tako dha shpjegime për përdorimin e automjeteve pa dokumentacion të rregullt si dhe për pushimin e çështjeve pa kryer më parë veprimet hetimore të nevojshme.

Gjergji Tako përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe u emërua si prokuror në Prokurorinë e Lushnjës. Prej vitit 2007, ai e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Rrethit gjyqësor Tiranë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *