Trupa e KPK gjatë seancës për verifikimin e dorëheqjes së një ish-prokurori. Foto:BIRN
Lajme Vendi

KPK mblidhet të konfirmojë vullnetin për dorëheqje të Henrik Ligorit

Pedagogu i Shkollës së Magjistraturës, Henrik Ligori mungoi në seancën e Komisionit, por konfirmoi përmes një letre vullnetin për t’u tërhequr nga statusi i magjistratit.

Trupa e KPK gjatë seancës për verifikimin e dorëheqjes së ish-prokurorit Henrik Ligori. Foto:BIRN

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u mblodh në seancë të hënën për të verifikuar nëse dorëheqja e ish-Prokurorit të Krimeve të Rënda, Henrik Ligori ishte dhënë me vullnetin e këtij të fundit.

Pedagogu i Shkollës së Magjistraturës, Henrik Ligori, ka dhënë dorëheqjen në vitin 2018 ndërsa ishte me funksion prokuror pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Gjatë seancës për të verifikuar këtë dorëheqje, trupa e kryesuar nga Suela Zhegu, me anëtare Etleda Çiftja dhe anëtare Alma Faskaj, konstatoi se Ligori mungonte.

Zhegu lexoi se ish-prokurori kishte dërguar KPK një letër në janar në të cilën thoshte se ishte dakord me rezultatet e hetimit dhe se konfirmonte vullnetin e tij për t’u tërhequr nga statusi i magjistratit, siç e kishte bërë në vitin 2018.

Seanca jo e zakontë e konfirmimit të vullnetit të të dorëhequrit u zhvillua pas një vendimi të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, që e bëri këtë format të detyrueshëm për Komisionin.

Vendimi i KPA u mor pas një sërë ankesash nga subjekte të ndryshme, përfshirë edhe ish-anëtarët e Gjykatës së Lartë që pretenduan në KPA se nuk kishin dhënë dorëheqjen edhe pse ishin larguar nga sistemi dhe kërkuan prishje të vendimeve që u ndalonin rikthimin në sistemin e drejtësisë për 15 vjet. Kolegji i ka rrëzuar deri tani të gjitha pretendimet e kësaj natyre, por ka orientuar Komisionin që të mos lërë hapësira për të verifikuar vullnetin e subjekteve për dorëheqje.

Henrik Ligori e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe prej vitit 2004  ka mbajtur postin e zv/drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Në vitin 2018, Ligori dha dorëheqjen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi u emërua pedagog në Shkollën e Magjistraturës. Pasi lexoi relacionin e shkurtër dhe citoi letrën e Ligorit, kryesuesja e KPK njoftoi se trupa do të tërhiqej për vendim.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *