Alaudin Malaj, gjatë një konference për Reformën në Drejtësi me temë
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

KPK pranon dorëheqjen e Alaudin Malajt dhe i ndërpret vetingun

Pas dorëheqjes nga statusi i magjistratit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për gjyqtarin e Apelit të Tiranës, Alaudin Malaj.

Alaudin Malaj, gjatë një konference për Reformën në Drejtësi me temë “Sfida e së Sotmes, Garanci e së Ardhmes, Ndryshimet Kushtetuese në Sistemin e Drejtësisë”. | Foto nga : Malton Dibra/ LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur më 15 shtator  të ndërpresë procesin e rivlerësimit kalimtar për gjyqtarin e Apelit Tiranë, Alaudin Malaj, pas dorëheqjes së tij, si dhe t’i heqë të drejtën për t’u emëruar në institucionet e drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare.

Në vendim thuhet se Komisioni është vënë në dijeni të dorëheqjes së Malajt më 30 korrik, si dhe me një vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor për mbarimin e këtij statusi.

Gjithashtu më 3 shtator, Malaj ka njoftuar Komisionin për dorëheqjen dhe ka kërkuar marrjen e një vendimi për përfundimin e procedurës së vlerësimit.

“Komisioni çmon se subjekti i rivlerësimit ka shfrytëzuar të drejtën që i njeh Kushtetuta për dorëheqje. Ndërprerja e procesit të rivlerësimit për shkak të dorëheqjes së subjektit të rivlerësimit sjell si pasojë përfundimin e kësaj procedure administrative…”, citohet në vendim.

Alaudin Malaj me një karrierë prej gati tre dekadash dha dorëheqjen nga statusi i magjistratit, duke shmangur përballjen me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Ai disponon një pasuri të deklaruar prej 1.7 milionë euro, për të cilën u hetua dhe doli i pafajshëm nga Prokuroria.

Të dhënat e grumbulluara nga BIRN tregojnë se së paku 40 gjyqtarë dhe prokurorë kanë dhënë dorëheqjen deri më sot para përballjes me procesin e vetingut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *