Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

KPK shkarkon gjyqtarin Besim Trezhnjeva, nuk justifikon pasurinë

Vendimi për Trezhnjevën u mor bazuar mbi kriterin e vlerësimit të pasurisë, i cili sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ishte i mjaftueshëm për ta shkarkuar. Avokati i gjykatësit tha se do të apelonte vendimin.

Seanca dëgjimore e KPK-së për vlerësimin e gjykatësit të Apelit Durrës Besim Trezhnjeva. Foto:Vladimir Karaj/BIRN

Besim Trezhnjeva u bë, mëngjesin e të premtes, gjykatësi i dytë që shkarkohet nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Në një seancë që zgjati më pak se pesë minuta, kryesuesja Alma Faskaj njoftoi se gjykatësi i Apelit të Durrësit dhe kandidati për në Këshillin e Lartë Gjyqësor, nuk kalonte vetingun bazuar në kriterin e pasurisë.

Ajo tha se “Rezulatet e hetimit vetëm për kriterin e vlerësimit të pasurisë ishin të mjaftueshme për të marrë vendimin”. Ndërsa njoftoi shkarkimin e Trezhnjevës nga detyra. Vendimi u mor nga treshja Alma Faskaj, Firdes Shuli dhe Roland Ilia.

Trezhnjeva, i cili mungoi në seancën e dhënies së vendimit, sipas avokatit të tij do të apelojë vendimin. “Vetëm procedurë e thelluar hetimi administrativ nuk ishte”, i tha BIRN pas seancës avokati Fatmir Braka.

Trezhnjeva është gjykatësi i tretë, për të cilin u realizua procesi i rivlerësimit të figurës në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, dhe i dyti që shkarkohet pas gjykatësit Fatos Lulo. Ndërkohë gjykatësja Vitore Tusha, u rikonfirmua në Gjykatën Kushtetuese. Që prej fillimit të punës së KPK 11 subjekte, përfshi ish-Prokurorin e Përgjithshëm dhe një ish anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhanë dorëheqjen duke iu shmangur procesit.

Sa i përket Trezhnjevës Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në raportin paraprak të lexuar në seancën dëgjimore të mërkurë më 11 Prill akuzoi  Gjyqtarin e Apelit Durrës njëkohësisht kandidat për Këshillin e Lart Gjyqësor (KLGJ),  se kishte bërë deklarim të rremë të pasurisë, nuk e justifikonte atë me të ardhurat dhe se kishte fshehur pasurinë. Në raportin e lexuar nga relatorja Firdes Shuli theksohej po ashtu se KPK e cilësonte të mjafueshëm vlerësimin e gjykatësit përmes kriterit të pasurisë, ndërsa nuk kishte përfunduar hetimi sa i përket pastërtisë së figurës dhe vlerësimin profesional.

Konkretisht sipas raportit paraprak gjykatësi akuzohet për fshehje pasurie dhe deklarim të rremë. “Nga analiza e thellë financiare kanë rezultuar deklarime të pasakta lidhur me të ardhurat e bashkëshortes. Mungesë burimesh financiare për të justifikuar pasurinë. Deklarime të rreme në të ardhurat e bashkëshortes”, thuhet në raportin e KPK-së.

KPK pretendon se një kredi 50 mijë euro e deklaruar si pagesë për një  apartament 120 metra katrorë në Tiranë, rezulton se nuk është paguar për këtë apartament, por është përdorur për një apartament në Durrës.  Po ashtu gjatë seancës doli se sipas KPK të ardhurat e gjyqtarit nuk justifikonin një shifër prej 20 milionë lekësh dhe se ai nuk kishte deklaruar një llogari bankare të vajzës së tij me vlerë 148 mijë lekë.

Pasuria e Trezhnjevës, siç gjeti BIRN, në një analizë aritmetike u rrit bruto me 4.3 herë prej fillimit të deklarimit deri në vitin 2014.

Fatmir Braka, avokati i Gjykatësit i tha BIRN, se “apelimi është më e pakta që mund të bëjmë”. Duke kundërshtuar vendimin Braka tha se tani ishin katër raporte vlerësimi të pasurisë së gjykatësit. Ai vuri në dukje se ILDKPKI (Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit), kishte dhënë më parë dy vlerësime pozitive dhe duke lënë të kuptohet se nuk ishte normale që në hetimin e tretë ILDKPKI, që sipas tij ka bërë proces të njëjtë administrativ, të dilte në një përfundim të ndryshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *