Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

KPK akuzon gjykatësin Besim Trezhnjeva për deklarim të rremë dhe fshehje pasurie

Raporti paraprak i lexuar në seancën dëgjimore nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit thotë se gjykatësi i Apelit të Durrësit dhe kandidati për Këshillin e Lartë Gjyqësor ka kryer fshehje pasurie dhe nuk e justifikon pasurinë e deklaruar. Avokati i gjykatësit pretendoi për pasaktësi llogaritje në raportin paraprak dhe mosmarrje në konsideratë të të ardhurave të bashkëshortes nga rimbursimi i barnave prej ISKSH-së.

Seanca dëgjimore e KPK-së për vlerësimin e gjykatësit të Apelit Durrës Besim Trezhnjeva. Foto:Vladimir Karaj/BIRN

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në raportin paraprak të lexuar në seancën dëgjimore të së mërkurës akuzoi  Gjyqtarin e Apelit Durrës, njëkohësisht kandidat për Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ), Besim Trezhnjeva, se kishte bërë deklarim të rremë të pasurisë, se ai nuk e justifikonte atë me të ardhurat dhe se kishte fshehur pasurinë. Në raportin e lexuar nga relatorja Firdes Shuli theksohej po ashtu se KPK e cilësonte të mjafueshëm vlerësimin e gjykatësit përmes kriterit të pasurisë, ndërsa nuk kishte përfunduar hetimi sa i përket pastërtisë së figurës dhe vlerësimin profesional.

Gjykatësi Trezhnjeva i pranishëm në seancë, përmes avoaktit Fatmir Braka, kundërshtoi gjetjet. Braka tha se “raporti paraprak i KPK ka anomali dhe pasaktësi”, ndërsa pretendoi se nuk ishin marrë në konsideratë të gjitha burimet e të ardhurave.

Trezhnjeva është gjykatësi i tretë që kalon procesin e vlerësimit të figurës në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, pas Fatos Lulos që u shkarkua nga detyra për pasuri të pajustifikuar dhe Vitore Tushës, e cila u rikonfirmua në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë që prej fillimit të punës së KPK 11 subjekte, përfshi ish-Prokurorin e Përgjithshëm dhe një ish anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhanë dorëheqjen duke iu shmangur procesit.

Seanca ndaj Trezhnjevës filloi me leximin e raportit paraprak nga relatorja Shuli. Ajo theksoi që në fillim se ndërsa gjatë gjithë periudhës së hetimit administrativ gjykatësit – i cili ka edhe barrën e provës në këtë proces – ishte dhënë mundësia të dokumentonte pasurinë ai nuk kishte qenë bashkëpunues.

“Gjatë këtij komunikimi u konstatua se nuk ka qenë tërësisht bashkëpunues”, tha Shuli. KPK iu referua ILDKPKI, e cila ka bërë edhe vlerësimin e pasurisë së gjyqtarit dhe është shprehur se “Deklarimi i pasurisë nga gjykatësi, nuk është i saktë dhe në përputhje me ligjin”.

Konkretisht sipas raportit paraprak gjykatësi akuzohet për fshehje pasurie dhe deklarim të rremë. “Nga analiza e thellë financiare kanë rezultuar deklarime të pasakta lidhur me të ardhurat e bashkëshortes. Mungesë burimesh financiare për të justifikuar pasurinë. Deklarime të rreme në të ardhurat e bashkëshortes”, thuhet në raportin parpak të KPK-së.

Konkretisht KPK pretendon se një kredi 50 mijë euro e deklaruar si pagesë për një  apartament 120 metra katrorë në Tiranë, rezulton se nuk është paguar për këtë apartament, por është përdorur për një apartament në Durrës.  Po ashtu gjatë seancës doli se sipas KPK të ardhurat e gjyqtarit nuk justifikonin një shifër prej 20 milionë lekësh dhe se ai nuk kishte deklaruar një llogari bankare të vajzës së tij me vlerë 148 mijë lekë.

Pasuria e Trezhnjevës, siç gjeti BIRN, në një analizë aritmetike u rrit bruto me 4.3 herë prej fillimit të deklarimit deri në vitin 2014.

“Trupa gjykuese e konsideron të mjaftueshëm kriterin e vlerësimit të pasurisë dhe vendosi të mos vazhdojë me hetimin e pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit (dy kriteret e tjera në shqyrtim)”, tha relatorja Shuli, duke lënë të kuptohet se gjykatësi kishte pak shance të merrte miratimin pas hetimit që i ishte bërë pasurisë së tij.

Avokati i gjykatësit tha se një raport auditimi privat i porositur prej gjykatësit kishte nxjerrë të dhëna mjaft të ndryshme nga rezultatet e hetimit të KPK-së dhe fillimisht kërkoi që të caktohej një grup ekspertësh për të vlerësuar pasurinë e gjykatësit, por pas tërheqjes për shqyrtim, KPK e rrëzoi ëtë kërkesë.

Më pas avokati Braka paraqiti pretendimet e tij, duke theskuar se “procesi nuk ishte i rregullt dhe i mbështetur në ligj”. Ai tha se pasuria e Trezhnjevës ishte hetuar më herët dy herë nga ILDKPKI e cila në vitin 2015 kishte gjetur, ndryshe nga sa i ka raportuar KPK-së, se nuk kishte shkelje të ligjit.

Braka tha se duke pasur parasysh këtë vlerësimi i pasurisë së gjykatësit duhej të cilësohej “gjë e gjykuar” dhe se ai nuk mund të gjykohej sërish për këtë. Braka po ashtu paraqiti të dhëna nga raporti i auditit privat i bërë nga gjyqtari, që sipas tij rrëzojnë pretendimet e ngritura në raportin paraprak të KPK-së.

Sipas tij, pretendimi se gjykatësi ka një pasuri prej 20 milionë lekësh të pajustifikuar është i pasaktë. Ai tha se vetëm të ardhurat nga Fondi i Sigurimeve Shendetësore, për farmacinë e bashkëshortes janë 28 milionë lekë, ndërsa pretendoi se për disa vite këto të ardhura nuk ishin llogaritur në raportin paraprak. Ai po ashtu kundërshtoi fshehjen e 148 mijë lekëve, duke e cilësuar neglizhencë të vajzës së gjyqtarit, por tha se ato ishin të ardhura page nga puna e saj në Bordin e ISKSH-së dhe se duke qenë të ardhura nga institucion publik nuk mund të kosnideroheshin të fshehura.

Ai pranoi se kredia nuk ishte marrë për apartamentin në Tiranë, por tha se dokumentet dhe pagesat vërtetonin marrjen e kredisë dhe se kredimarrësi nuk ishte i kufizuar se si do e përdorte atë.

Në fund të seancës KPK njoftoi seancën e ardhshme më 13 prill në orën 9 të mëngjesit, ku pritet edhe të jepet vendmi për gjykatësin Trezhnjeva.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *