KPK shkarkon nga detyra prokurorin Kol Hysenaj

Lajme
Pas dy seancash dëgjimore dhe problemeve të shumta me pasurinë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli të hënën vendimin për shkarkimin nga detyra të  prokurorit të Tiranës, Kol Hysenaj.

Prokurori Kol Hysenaj pas shpalljes së vendimit të shkarkimit., Foto: Edmond Hoxhaj.

Trupi gjykues i KPK, i kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Xhensila Pine dhe anëtar Olsi Komici, shpalli të hënën vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit Kol Hysenaj pas dy seancash dëgjimore.

Hysenaj e priti me qetësi vendimin dhe u largua nga salla pasi tha: “Ju faleminderit”.

Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar më 18 shtator 2020, prokurori Hysenaj u përball me probleme në të tri kriteret e rivlerësimit. Komisioni evidentoi atëherë mosdeklarim të kursimeve dhe gjendjes cash në vite, si dhe deklarim të paplotë të burimeve për disa prej pasurive të deklaruara. Gjithashtu, Komisioni vlerësoi si “financiarisht jo të logjikshme” një sërë transakionesh të kryera nga Hysenaj.

Ai u përball edhe me një raport të rishikuar të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK që e gjente subjektin të papërshtatashëm për të ushtruar detyrën.

Ndërkohë, KPK vuri në dukje se atij i ishin kërkuar sqarime për tre denoncime në kriterin e profesionalizmit si dhe për një aksident ku ishte përfshirë Hysenaj, që kishte pasur edhe viktimë.

Pas riçeljes së hetimit, në seancën e dytë të 15 prillit u renditën sërish probleme nga KPK për blerjen e një apartamenti dhe për të ardhurat e bashkëshortes nga një aktivitet privat si dhe për blerjen e një autoveture tip “Benz” për 500 mijë lekë dhe dhe të shitur dy vjet më vonë për 22 mijë euro.

Kol Hysenaj e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1997 dhe ka punuar për më shumë se dy dekada si prokuror në Prokuroritë e Lushnjes, Kavajës dhe Tiranës.