KPK shkarkon nga detyra prokurorin Sali Hasa

Lajme
Prokurori i akuzuar për korrupsion, Sali Hasa u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për problemet e shumta me pasurinë.

Trupa e KPK-së gjatë shpalljes së vendimit për prokurorin Sali Hasa. Foto: Edmond Hoxhaj.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të premten vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Sarandës, Sali Hasa, tashmë i arrestuar për korrupsion. Ashtu si në seancën dëgjimore, Hasa nuk u paraqit as në shpalljen e vendimit.

Trupi gjykues që kreu procesin e rivlerësimit për prokurorin Sali Hasa kryesohej nga Firdes Shuli, me relator Roland Ilian dhe anëtare Firdes Shulin.

Prokurori Sali Hasa u arrestua për veprën penale të korrupsionit pasiv më 19 qershor të këtij viti, pas hetimeve të nisura ndaj një grupi të trafikut të drogës nga ana e SPAK. Procesi i tij i rivlerësimit u përfundua vetëm për kriterin e pasurisë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjeti balanca negative në vlera të mëdha si dhe ngriti dyshime për dhurimin e një sipërfaqe toke në Porto Palermo në emër të fëmijëve të prokurorit të Sarandës, Sali Hasa.

Gjatë seancës dëgjimore të mërkurën u relatuan konstatime të shumta për mospërputhje dhe paskatësi në deklarimin e pasurive dhe burimeve të krijimi; mungesë burimesh të ligjshme në vlera të mëdha për krijimin e tyre dhe shpenzimet ndër vite; si dhe paqartësi në dhurimin e dy parcelave tokë në bregdet në favor të fëmijëve nga një person jashtë rrethit familjar. Po ashtu u konstatua përdorimi pa kundërshpërblim i dy apartamenteve në Sarandë për disa vite dhe përfitimi i një kredie bazuar në një vendim qeverie nga bashkëshortja dhe djali.