KPK u nda për një apartament të prokurores së Apelit Durrës, Afërdita Ndoi

Uncategorized
Prokurorja e Afërdita Ndoi e bindi shumicën e trupit gjykues të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit se me tepricat nga pagat ndër vite kishte pasur mundësi për blerjen e një apartamenti në Tiranë. Anëtarja Brunilda Bekteshi në pakicë vlerëson se pretendimet e Ndoit për kursimet e padeklaruara në vite mbeten në nivel deklarativ dhe kërkon shkarkimin.

Prokurorja Aferdita Ndoi (qendër), pas shpalljes së vendimit të KPK | Foto : Edmond Hoxhaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 8 tetor 2020 të konfirmojë në detyrë me shumicë votash prokuroren e Apelit Durrës, Afërdita Ndoi, pasi trupi gjykues u nda lidhur me mundësinë financiare blerjen e një apartamenti në Tiranë. Ndërkohë, Ndoi u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Kryesuesi Olsi Komici dhe relatorja Firdes Shuli i konsideruan bindëse shpjegimet e prokurores Ndoi për shlyerjen e çmimit të apartamentit në kryeqytet dhe vendosën konfirmimin e saj në detyrë, ndërsa anëtarja Brunilda Bekteshi konkludon se subjekti ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për këtë pasuri dhe kërkon shkarkimin.

Si burim krijimi të apartamentit 66.2 m2 të porositur në shkurt të 2009-ës dhe të blerë një vit më vonë kundrejt shumës 25 mijë e 219 euro, prokurorja Afërdita Ndoi ka deklaruar kursimet e krijuara ndër vite nga paga e saj dhe e bashkëshortit.

Në vitin 2003 ajo ka deklaruar gjendje cash në shumën 200 mijë lekë dhe në vitin 2004 shumën 510 mijë lekë, me burim kursime nga pagat e viteve respektive. Ndërkohë, nga viti 2005 deri në 2008-ën, nuk ka deklaruar gjendje cash.

Gjatë hetimit administrativ, subjekti ka konfirmuar gjendjet cash të viteve 2003 dhe 2004, ndërsa për periudhën 2005-2008 ka deklaruar se nuk mund të shpjegonte me saktësi të plotë se sa ka qenë gjendja e tyre në fund të këtyre viteve. “Por në datën 19.2.2009 gjendja e të gjitha kursimeve të të ardhurave nga paga është 25.219 euro”, ka deklaruar Ndoi duke pretenduar se mbulohej çmimi i apartamentit.

Pasi kursimet për këtë periudhë nuk janë deklaruar periodikisht gjatë periudhës 2005-2008, Komisioni nuk i ka konsideruar në analizën financiare fillestare, prej nga ka rezultuar një balancë negative në shumën 2 milionë e 642 mijë lekë. Në këtë analizë, KPK ka konsideruar se e gjithë vlera e çmimit të blerjes së pasurisë, është shlyer tërësisht në momentin e lidhjes së kontratës së sipërmarrjes, në shkurt të 2009-ës.

E pyetur nga Komisioni lidhur me mënyrën e likuidimit të çmimit të apartamentit, Ndoi ka vendosur në dispozicion një deklaratë noteriale të shoqërisë ndërtuese të prillit 2020, ku thuhet se vlera është shlyer me nënshkrimin e kontratës.

Më vonë, ajo ka dorëzuar në KPK një shkresë tjetër të shoqërisë, ku kjo e fundit informonte se nga kontrolli i listës së klientëve të ruajtur në mënyrë elektronike, rezultonte se pagesat për shlyerjen e vlerës së apartamentit janë kryer me katër këste, në maj dhe dhjetor të 2007-ës; në dhjetor të 2008-ës dhe në shkurt të vitit 2009.

Prokurores Ndoi i është kaluar barra e provës për të paraqitur shpjegime lidhur me mosdeklarimin e shtesave të likujditeteve e gjendjeve cash për vitet 2005, 2006, 2007 dhe 2008; për mosdeklarimin në vitet 2007 dhe 2008 të asnjë fakti për prenotimin e apartamentit dhe pagesat e kryera gjatë këtyre viteve, si dhe të provonte vërtetësinë e pagesave të kryera sipas katër mandatpagesave dublikate të servirura gjatë hetimit administrativ nga shoqëria ndërtuese.

Në lidhje me mosdeklarimin e gjendjes cash dhe shtesave të likuiditeteve, subjekti ka sqaruar se kjo pasaktësi lidhej me konfuzionin që të krijonte formulari i deklarimit të pasurisë, në të cilin nuk kishte një vend specifik ku të deklarohej gjendja e kursimeve cash. Ajo ka shtuar se në atë periudhë kanë ndodhur ndryshime të shumta në jetën e saj, si zhvendosja në Lezhë në vitin 2005, martesa dhe ardhja në jetë e dy fëmijëve.

Sipas subjektit, fakti që ka qenë thjesht pakujdesi, provohet edhe dhe nga statementet bankare të cilat rezultojnë me vlera pozitive në çdo fund-viti që tregonin pasjen e kursimeve në llogaritë bankare.

Komisioni çmon se dispozitat ligjore lidhur me këtë detyrim kanë qenë të qarta dhe nuk lënë vend për konfuzion ashtu si ka deklaruar subjekti. Ndërsa pretendimet në lidhje me ndryshimet në jetën e Ndoit gjatë kësaj periudhe, janë gjetur të vërteta prej KPK që i vlerëson si shkaqe objektive që mund të kenë favorizuar mungesën e vëmendjes dhe pakujdesinë gjatë plotësimit të deklaratave të pasurive të këtyre viteve.

Përkundër arsyetimin e shumicës, Bekteshi në pakicë çmon se pretendimet e subjektit nuk qëndrojnë dhe as ndikojnë në mosplotësimin e saktë të deklaratave periodike pas vitit 2004, pasi në deklaratat pararendëse gjendja cash e disponuar është deklaruar dhe plotësuar qartësisht nga prokurorja Ndoi.

Lidhur me mosdeklarimin në vitet 2007 dhe 2008, të porositjes së apartamentit, pagesave të kryera, si dhe të detyrimeve financiare të prapambetura ndaj shoqërisë, Ndoi ka shpjeguar se në vitin 2007 pati një marrëdhënie mirëbesimi verbale me shoqërinë ndërtuese, e cila u angazhua në gjetjen e alternativave të banimit.

Ajo ka pretenduar se kjo lloj marrëdhënie nuk hynte në ato për të cilat ekzistonte detyrimi i deklarimit, pasi nuk ishte përcaktuar përfundimisht objekti dhe as të drejtat reale mbi të dhe, si pasojë, as pagesat e kryera shoqërisë ndërtuese.

Shumica i jep të drejtë prokurores Ndoi për mosdeklarimin e apartamentit në vitet 2007 dhe 2008 dhe e  për mosdeklarimin e detyrimeve ndaj shoqërisë ndërtuese.

“[…]subjekti me të drejtë pretendon se nuk ka pasur një marrëveshje të materializuar me shoqërinë ndërtimore dhe as kishte fituar të drejta reale të pronësisë, sepse objekti akoma nuk ekzistonte”, thotë shumica dhe vijon se, pasi nuk ka paur një marrëveshje me shkrim midis palëve, subjektit nuk i ka lindur detyrimi për të deklaruar detyrime financiare.

Në pakicë, Bekteshi vëren se në aspektin ligjor, një marrëdhënie juridike nis me një parashikim paraprak kontraktor siç mund të jetë kontratë porosie apo sipërmarrje.

Ajo thekson se në aspektin logjik, është jo bindës arsyetimi i fakteve, që një pasuri ndërsa e porosit me kontratën e sipërmarrjes dhe nënshkruan për një shumë fikse të pranuar si të shlyer jashtë zyrës noteriale, të mund ta interpretosh në shpërndarje pagesash në vite të mëparshme të paprovuara në asnjë mënyrë apo me ndonjë fakt në kohë real.

Ndoi ka këmbëngulur se likuidimi i çmimit është kryer me këste dhe për të vërtetuar pretendimin e saj ka depozituar disa kontrata të tjera me palë sipërmarrëse të njëjtën shoqëri ndërtuese prej nga ka blerë apartamentin, në të cilat ka qenë i përcaktuar momenti i pagesës.

Duke ju referuar kontratave të depozituara nga subjekti, shumica vlerëson se në të tria rastet, pagesa tërësisht ose pjesërisht e çmimit të shitjes, ka ndodhur në momentin e lidhjes së kontratës, duke u shprehur specifikisht ky fakt.

“Ndërsa në rastin e kontratës së sipërmarrjes së subjektit, në asnjë moment nuk parashikohet që likuidimi i çmimit të shitjes apo një pjesë të tij, të jetë kryer në ditën e nënshkrimit të kontratës”, vëren shumica.

Komici dhe shuli shtojnë se në kontratën e sipërmarrjes të bashkëshortëve Ndoi, kuptohet qartazi dhe konfirmohet se likuidimi tërësor i çmimit të shitjes së pasurisë ka përfunduar në shkurt të 2009-ës, por jo në momentin e nënshkrimit të kontratës.

Në lidhje me vërtetësinë e katër mandatarkëtimeve dublikate për pagesat e kryera në vitet 2007, 2008 dhe 2009, Komisioni vëren subjekti se ka bërë përpjekje për të provuar vërtetësinë e tyre, por se nuk ka mundur të sigurojë informacion nga Drejtoria Rajonale Tatimeve, DPT Tiranë, sipas kërkesës së bërë.

Edhe KPK, ka kërkuar informacion të detajuar nga DPT-ja Tiranë për shoqërinë ndërtuese, por nuk janë gjetur dokumente ku të pasqyrohen të dhëna analitike mbi arkëtime nga klientët.

Në përfundim shumica vlerëson se nga analizimi me kujdes i deklaratave periodike ka rezultuar se subjekti nuk ka pasur likujditete në cash gjatë viteve 2005-2009 dhe i konsideron bindëse shpjegimet e Ndoit se gjithë kursimet janë përdorur për shlyerjen e kësteve të apartamentit.

“Pra, subjekti nuk ka deklaruar gjendje cash për vitet 2005 – 2009, për shkak se të gjitha kursimet nuk i ka akumuluar por i ka përdorur për blerjen e pasurisë”, shprehet shumica dhe evidenton se gjatë kësaj periudhe nuk u konstatuan investime apo shpenzime të tjera të bashkëshortëve Ndoi, përveç pak udhëtimeve të evidentuara në sistemin TIMS, të cilat janë përfshirë në analizën financiare.

Shuma 25 mijë e 219 euro, e cila gjatë hetimeve paraprake ishte konsideruar si e paguar tërësisht në momentin e nënshkrimit të kontratës së porosisë në shkurt të vitit 2009, u vlerësua se ishte paguar me këste në vitet e pretenduara nga Ndoi.

Në procesin e vlerësimit përfundimtar, shumica ka vlerësuar se subjekti ka pasur mundësi me të ardhura të ligjshme për të paguar çmimin e shitjes së pasurisë, me përjashtim të një balance negative prej 166 mijë lekë në vitin 2009 që nuk është çmuar e konsiderueshme dhe shkak për penalizim e subjektit.

Bekteshi vlerëson se nuk rezultoi e pasqyruar në kontratën e sipërmarrjes, mënyra e pagesës së kryer për këtë pasuri në këste dhe në vite para nënshkrimit të saj, sikurse subjekti pretendoi gjatë hetimit administrativ.

“[…]bëhet e pabesueshme të paguash, madje thuajse të gjithë shumën për një pasuri të panjohur, të padisponuar në atë kohë nga shoqëria ndërtimore dhe të mos marrësh asnjë masë për çdo eventualitet të mëvonshëm i cili realisht mbetet tërësisht i paprovuar dhe që për pasojë nuk mundet të kërkosh ligjërisht asnjëherë, të paktën kthim të palëve në gjendjen e mëparshme duke kërkuar shumat e dhëna[…], argumenton Bekteshi.

Ajo konkludon se Ndoi nuk ka deklaruar në kohë reale asnjë prej veprimeve të pretenduara, si të kryera. “Subjekti minimalisht për të bërë bindëse pretendimet e saj nuk ka deklaruar as në deklaratën Vetting mënyrën e pagesës së kësaj pasurie”, arsyeton Bekteshi.

Gjithashtu, ajo i quan kontradiktore dy deklarimet e shoqërisë ndërtuese lidhur me shlyerjen e çmimit të apartamentit. “Në vlerësimin tim ligjor janë detajuar veprime apo mosveprime konkrete të subjektit të cilat konkurojnë në raport me provat e dubluara”, vijon ajo.

Sipas Bekteshit, asnjë prej dokumenteve të vëna në dispozicion nga DPT-ja Tiranë, nuk referojnë dhe mbështesin provueshmërinë e mandateve dublikatë.

Ajo arsyeton se në favor të subjektit, mbetet vetëm gjendja cash e mbartur e pandryshueshme nga viti 2004, ndërsa i konsideron në nivel deklarativ pretendimet e tjera të Ndoit për akumulimet e vlerave në bankë gjatë periudhës 2005-2008 dhe tërheqjen e tyre për pagesën kësteve të çmimit të apartamentit.

Bekteshi sjell në vëmendje se, para dy tërheqjeve bankare në vitin 2007, janë bërë derdhje shumash në bankë e më pas tërheqje dhe se për këto vlera nuk janë identifikuar burimet. “Pra, nuk konstatohen depozita të krijuara nga paga të pa tërhequra në mënyrë konsistente”, evidenton Bekteshi dhe çmon se nuk vërtetohet që shumat e akumuluara të kenë shërbyer realisht për pagesën e kësteve të apartamentit.

Në përfundim Bekteshi konkludon se Ndoi gjendet në balancë negative për krijimin e kësaj pasurie në shumën 2 milionë e 642 mije lekë dhe se duhet shkarkuar.