Viza amerikane
Lajme

Mashtrim përmes Instagramit; falsifikonin aplikimet për vizë amerikane

Prokuroria e Tiranës dhe Policia e Shtetit njoftuan ditën e enjte arrestimin e gjashtë shtetasve shqiptarë të cilët u përfshinë në një skemë mashtrimi të aplikimit dhe marrjes së vizave amerikane.

“Departamenti i Policisë Kriminale, nëpërmjet Njësisë Speciale të njohur si ‘Joint Shield’, në bashkëpunim të ngushtë me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kanë përmbyllur fazën e parë të operacionit ‘The Rogue Son’ lidhur me hetimet për veprat penale ‘Mashtrimi’, ‘Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve’, dhe ‘Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, shkruan njoftimi i Policisë së Shtetit.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, një prej shtetasve të arrestuar përdorte një adresë në rrjetin social “Instagram”, ku reklamonte ofrimin e vizave Amerikane me “100% garanci”.

“Shtetasi R.N., garantonte marrjen e vizës Amerikane turistike 10-vjeçare me ndërhyrjen e tij në Ambasadë kundrejt shumës 10.000 euro”, shkruan njoftimi i Prokurorisë së Tiranës.

Sipas të dhënave nga veprimet hetimore rezulton se ky shtetas falsifikonte të dhënat e aplikantëve në formularët elektronikë të aplikimit për vizë amerikane, në mënyrë që aplikanti të kishte një profil kualifikues.

“Shtetasi R.N paraqitej ditën kur aplikantët kishin intervistën në konsullatë, dhe i shoqëronte dhe i udhëzonte se si të silleshin gjatë intervistës. Pasi ata përfundonin intervistën, në rast se merrnin vizën, shtetasi R.N merrte shumën prej 10.000 Eurosh”, njofton Prokuroria e Tiranës.

Ky rast është kallëzuar nga Shërbimi Diplomatik i Sigurisë pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë (DSS), të cilët i bëjnë thirrje qytetarëve shqiptarë të mos bien pre e mashtrimeve të tilla, por të ndjekin rrugët zyrtare të aplikimit.

“Aplikantët për viza duhet të tregojnë kujdes në lidhje me mashtrimet në platformat e mediave sociale që pretendojnë se garantojnë viza amerikane”, shkruan Ambasada e SHBA-së në Tiranë në reagimin publik të saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *