Prokurori Urim Buci pas seancës në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Lajme

KPA njihet me parashtrimet në çështjen e prokurorit Urim Buci

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të enjten më 8 shkurt me parashtrimet në ështjen e rivlerësimit kalimtar të prokurorit të Dibrës, Urim Buci dhe pasi mbylli shqyrtimin gjyqësor, shtyu seancën për t’u dhënë kohë palëve të përgatisin konkluzionet përfundimtare. Komisionerja Publike, Irena Nino, pasi parashtroi argumentet e saj për mungesë të burimeve financiare të Bucit në ndërtimin e një shtëpie tre kate + papafingo së bashku me të vëllanë dhe kunatin, si dhe për konflikt interesi në lidhjen e një kontrate qiradhënie me Bashkinë Kamëz, kërkoi shkarkimin e këtij subjekti rivlerësimi. Prokurori Buci i cilësoi të pabazuara shkaqet e ngitura nga Nino dhe kërkoi që vendimarrja e Komisionit për konfirmimin e tij të lihet në fuqi.

Urim Buci u konfirmua me shumicë votash më 27 prill 2023, por vendimi u ankimua në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit mbi bazën e një rekomandimi të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Komisionerja Nino ngriti shkaqe ankimi për pasurinë dhe për gjendjen e dyshuar të konfliktit të interesit, të cilat ajo i parashtroi të enjten.

Lidhur me pasurinë tokë arë dhe godinën me tre kate + papafingo, Nino mban qëndrim të ndryshëm nga shumica e Komisionit. Sipas KPK, subjekti ka deklaruar saktë këtë pasuri që është krijuar shumë vite para detyrës së tij si prokuror dhe në zbatim të parimit të objektivitetit e proporcionalitetit, pamundësia financiare që rezulton si pasojë e moskonsiderimit të të ardhurave të Bucit nga emigracioni, nuk mund të sjellë deklarim të pamjaftueshëm.

Sipas Ninos, subjekti i rivlerësimit ka qenë kontradiktor në deklarime, duke referuar vlera të ndryshme të investimit, në deklaratën e vitit 2004 të plotësuar në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore, në atë të para fillimit të detyrës në vitin 2015 dhe në përgjigjet e dhëna gjatë procesit të vetingut. Po ashtu, Nino vëren se subjekti nuk ka deklaruar në vitin 2015 investim në këtë banesë nga kunati, ashtu si ai pretendon në deklaratën “veting” dhe gjatë hetimit administrativ.

Nino konstatoi deklarime kontradiktore edhe lidhur me vlerën e ndërtimit dhe burimet e përdorura. Ajo vërejti se në vitin 2004, subjekti ka deklaruar vlerën e ndërtimit 10 milionë lekë dhe pjesë takuese 50% ai dhe gjysmën i vëllai. Në deklaratën para fillimit të detyrës në vitin 2015 ka deklaruar pjesë takuese 100%, ndërsa si burim të ardhurat e tij nga emigracioni gjatë viteve 2000-2004, pa përcaktuar shumën e tyre. Ndërsa në deklaratën “veting” ka shënuar se vlera e ndërtimit ishte rreth 6.9 milionë lekë me pjesë takuese 100%, ndërsa gjatë hetimit administrativ ka pohuar se prej tij është investuar vlera prej reth 3.5 milionë lekësh.

Deklarimet kontradiktore lidhur me vlerën e investuar për pasurinë dhe burimet e përdorura, çojnë në pamundësi të kontrollit dhe verifikimit të saktë të burimit, kohës dhe vlerës së krijimit të kësaj pasurie”, pohoi Nino.

Ajo theksoi se subjekti nuk ka arritur të provojë ligjshmërinë e burimeve të pretenduara si të ardhura nga emigracioni në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas Ninos, aktet e dorëzuara nuk subjekti nuk provojnë as masën e të ardhurave dhe as ligjshmërinë e tyre, sipas legjislacionit për vetingun e magjistratëve. Ajo solli në vëmendje edhe mos deklarimin e gjendjes cash në vitin 2005, në cilësinë e oficerit të Policisë Gjyqësore.

Komisionerja e cilësoi të gabuar aplikimin e parimit të proporcionalitetit dhe objektivitetit nga shumica e trupës së KPK dhe vlerësoi se subjekti ndodhej në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm.

Konkluzionin e KPK se pasuria është krijuar para detyrës, u cilësua prej Ninos në kundërshtim me jurispudencën e Kolegjit.

Prokurori Urim Buci theksoi në fillim të parashtrimeve të tij se prova që ka dorëzuar si dhe ato që janë administruar nga Komisioni gjatë hetimit administrativ provojnë konfirmimin e tij në detyrë. Ai pohoi se godina është ndërtuar me kontributet e tij, të vëllait dhe se për një kat ka kontribuar edhe kunati.

Buci e cilësoi të gabuar pretendimin e Komisioneres për pamundësi të kontrollit si pasojë e deklarimeve kontradiktore. Duke sjellë në vëmendje jurispudencën e KPA-së, ai këmbënguli se pasaktësitë në deklarimet periodike nuk mund të sjellin shkarkim. Për vlerat e ndryshme të ndërtimit, ai shpjegoi se ka pasur konfondim të deklarimeve me lekë ‘të vjetra’ dhe lekë ‘të reja’. Subjekti theksoi se në vite i kishte deklaruar të ardhurat nga emigracioni, por shtoi se nuk kishte deklaruar një vlerë të saktë për shkak të mungesës së dokumentacionit.

Sipas Bucit, vlerat e përfituara në emigracion i kishte dërguar nëpërmjet Western Union ose me miqtë që jetonin në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas tij, shumat e dërguara i ka administruar nëna, e cila i’a ka dhënë kur kryen investimin.

Ai pranoi pasaktësinë në vitin 2015 për mosdeklarimin e investimit të kryer nga kunati në katin e tretë të banesës, por vërejti se më pas e kishte pasqyruar këtë rrethanë. Sipas tij, kjo pasaktësi nuk kishte ndonjë vlerë.

Në vijim, Buci solli në vëmendje se praktika e KPA kishte evoluar lidhur me trajtimin e burimit të ligjshëm në rastet e mospagesës së detyrimeve tatimore. “Për të ardhurat nga emigracioni kam provuar se kam pasur të ardhura të ligjshme,”, pohoi Buci dhe shtoi se këto të ardhura ishin deklaruar edhe më parë dhe jo për qëllim të vetingut ashtu si pretendon Komisionerja.

Duke i cilësuar konsistente deklarimet e tij, Buci tha se nuk mund të penalizohej lidhur me të ardhurat e tij nga emigracioni të krijuara përpara fillimit të detyrës. Ai këmbënguli se ishte detyrim i punëdhënësve që të shlyenin detyrimet tatimore.

Sipas subjektit, pasuria e tij është krijuar para fillimit të detyrës si prokuror dhe se ai kishte vërtetuar bindshëm burimin e krijimit. Ai vërejti se nuk mund të kishte sanksion nëse nuk konstatohej ndonjë tentativë për fshehje pasurie dhe e cilësoi të drejtë aplikimin e parimit të proporcionalitetit.

Nino parashtroi qëndrimin e saj edhe lidhur me një kontratë qiradhënie të lidhur mes subjektit dhe Bashkisë Kamëz, konkretisht të dhënies së katit të parë të banesës për një kopësht fëmijësh.

Komisioni fillimisht i ka kaluar subjektit barrë prove për gjendjen e tij në kushtet e konfliktit të interesit. Megjithëse KPK i ka vlerësuar të pabazuara pretendimet e Bucit se kontrata kishte natyrë administrative, në përfundim ka vlerësuar se përjashtohet nga konflikti i interesit kur lidhja e kontratës bëhet për qëllime publike ose trajtime të posaçme të kategorive të ndryshme të zyrtarëve.

Nino vlerëson ndryshe, duke çmuar se Buci ndodhet në kushtet e konfliktit të interesit dhe ndalimit për të përfituar të mira, fonde publike nga kontratat publike, rrethanë e cila duhet të merret për bazë në vlerësimin tërësor të rastit.

Në përfundim, Nino kërkoi shkarkimin e Bucit nga detyra.

Prokurori Buci theksoi se legjislacioni i identifikon qartë rastet e konfliktit të interesit. Sipas tij, një kontratë e tillë nuk ndalohet nga ligji dhe për këtë arsye përjashtohet nga konflikti i interesit. Ai konstatoi se Komisionerja nuk argumenton se përse kjo gjetje duhet trajtuar edhe në aspektin profesional dhe e cilësoi jashtë periudhës së rivlerësimit.

Për tre denoncime të reja të mbërritura në Kolegj pas ushtrimit të ankimit, Komisionerja Nino u shpreh se ato nuk mund të sjellin ndonjë ndryshim në kërkime e për rrjedhojë e la në çmim të Kolegjit për të vendosur nëse do t’ia nënshtrojë ose jo gjykimit.

Buci dha qëndrimin e tij për denoncimet, ndërkohë që KPA vendosi të administrojë provat e dorëzuara prej tij dhe mbylli hetimin gjyqësor brenda seancës së të enjtes. Në përfundim, Kolegji shtyu seancën për më datë 16 shkurt në orën 10:00, për t’u dhënë kohë palëve të përgatisin konkluzionet përfundimtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *