Kryetari i Gjykatës Administrative të Apelit, Kastriot Selita në KPA. Foto: Vladimir Karaj.
KPA Lajme Vendi

Mungojnë Komisionerët, KPA shtyn seancën ndaj Kastriot Selitës

Për shkak të mungesës së dy Komisionerëve Publikë KPA njoftoi shtyrjen e seancës së parë publike ndaj drejtuesit të Gjykatës Administrative të Apelit Kastriot Selita. 

Gjyqtari Kastriot Selita në KPK

Në një seancë të shkurtër Kolegji i Posaçëm i Apelimit njoftoi të mërkurën shtyrjen për në datën 17 mars tëseancës për drejtuesin e Gjykatës Administrative të Apelit, Kastriot Selita.

Trupa që gjykon Selitën në KPA, e kryesuar nga Albana Shtylla, me relatore Ina Rama dhe anëtar Sokol çomo, Rezarta Schuetz e Natasha Mulaj, u mblodh vetëm pak minuta. Kryesuesja verifikoi mungesën e Komisionerëve Publikë dhe bëri me dije se ata kishin paraqitur njoftim se nuk kishin mundësi të ishin në seancë për shkak  të gjendjes shëndetësore.

Kastriot Selita, i cili drejton Gjykatën Administrative të Apelit prej vitit 2013 u konfirmua në detyrë në qershor 2019 me votat e Brunilda Bekteshit dhe Lulzim Hamitajt në KPK, ndërkohë që kryesuesi Olsi Komici votoi për shkarkimin.

KPK vendosi gjithashtu ta referojë Selitën në KLGJ lidhur me vendimin e dhënë prej tij për Bledar Valikajn; e konsideruar me mangësi profesionale për shkak se gjyqtari kishte disponuar me urdhërimin e KLP-së për emërimin si prokuror pa kërkesën e palës.

Pas konfirmimit nga KPK, ONM kërkoi në rekomandim rihapjen e hetimeve “që nuk u kryen në mënyrë të plotë dhe gjithëpërfshirëse nga KPK” për pjesën më të madhe të pasurive familjare si dhe për kriterin e profesionalizmit.

Pas rekomandimit Komisioneri Publik njoftoi ankimimin e vendimit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *