Gjyqtarja Irida Kacerja | Foto: B.Likmeta
Artikull kryesor Lajme KPK Lajme Vendi

‘Denoncimi nga i vdekuri’ njollos hetimin e KPK-së ndaj gjyqtares Irida Kacerja

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit përdori një denoncim të ‘falsifikuar’ – nga një shtetas që ka ndërruar jetë në vitin 2018, për të ngritur pretendime mbi profesionalizmin e gjyqtares, Irida Kacerja.

Gjyqtarja Irida Kacerja | Foto: B.Likmeta

Gjyqtarja e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, Irida Kacerja u përball të mërkurën me gjetjet e hetimit administrativ të Komisionit të Pavarur të Kualifkimit, si pjesë e procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëvë dhe prokurorëve.

Trupa gjykuese e KPK-së përbëhej nga Valbona Sanxhaktari kryesuese, Etleda Çiftja relatore dhe Genta Tafa Bungo anëtare. Hetimi administriv i KPK-së ndaj subjektit u shtri në të tre kriteret e vetingut, përfshirë pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Për pastërtinë e figurës dhe pasurinë e subjektit, gjetjet e hetimit administrativ të KPK-së ishin në tërësinë e tyre pozitive. Ndërkohë, për kriterin e tretë, KPK ngriti pretendime serioze mbi profesionalizmin dhe etikën e gjyqtares, kryesisht të bazuara në një seri denoncimesh të ardhura në Komision për çështje të shqyrtuara nga subjekti dhe një raport inspektimi paraprak të bërë nga ish-Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Sipas relatores Etleda Çiftja denoncimet kishin ardhur në KPK nga qytetarë të ndryshëm, një grup gjyqtarësh së Gjykatës së Shkodrës dhe në një rast nga një ish-inspektor i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili kishte përpiluar raportin paraprak ndaj subjektit në vitin 2011.

Por siç doli nga debati në seancë dëgjimore, të paktën dy nga denoncimet e përmendura nga KPK kundër gjyqtares Kacerja rezultojnë të jenë të ‘falsifikuara’, pasi në një rast denoncuesi kishte ndërruar jetë përpara se ta dërgonte denoncimin, ndërsa ish-inspektori i Këshillit të Lartë të Drejtësië mohoi ta kishte dërguar denoncimin, nëpërmjet një deklarate të paraqitur nga subjekti në seancë.

Gjatë fjalës së saj përpara KPK-së gjyqtarja Kacerja, theksoi se 3 nga denoncimet duket se vinin nga i njejti person edhe pse me emra të ndryshëm, pasi përmbanin të njejtat akuza.

“Këto denoncime kanë përmbajtje abuzive dhe kriminale,” tha gjyqtarja Kacerja. “Qëllimi ka qenë shpifja shtoi ajo.

Kacerja e ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2008. Nga viti 2007 deri në vitin 2012 ajo ka shërbyer si gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër. Nga viti 2012 derin e vitin 2015, Kacerja ka punuar si këshiltare ligjore në Gjykatën e Lartë, ndërsa pas vitit 2015 është rikthyer në Gjykatën e Shkodrës. Subjekti i rivlerësimit është kandidate për Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Raportet i institucioneve ndihmëse për pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin e subjektit kanë qenë pozitive. Ndërkohë, hetimi administrativ i KPK-së për pasurinë ka konstatur disa balanca negative në shuma të vogla për likuiditetet e subjektit në vitet 2009-2011, por relatimi i Komisioneres Etleda Çiftja u përqendrua gjërësisht në denoncimet e ardhura në KPK për profesionalizmin.

Ndryshe nga raste të tjera ku denoncimet trajtohen me një përmbledhje statistikore, Çiftja i trajtoi me detaje denoncimet e bëra ndaj subjektit të rivlerësimit, duke theksuar edhe gjetjet negative për të cilat KPK i kishte kaluar barrën e provës gjyqtares.

Relatorja deklaroi se nga vlerësimi i dosjeve të gjyqtares kur kjo e fundit punonte si këshilltare në Gjykatën e Lartë, KPK kishte konstatuar se në një rast subjekti kishte kishte argumentuar vetëm 1 nga 3 çështjet e rekursit të sjellë nga prokuroria. Çiftja theksoi në fjalën e saj se kjo e bëntë relacionin e subjektit të ‘paarsyetuar.

Relatorja tjeksoi se hetimi i KPK-së kishte zbuluar se subjekti kishte shkelur marrëveshjen e ekstradimit midis SHBA-së dhe Shqipërisë në një çështje në Gjykatën e Shkodrës. Duke cituar analizësn e KPK-së për disa nga denoncimet që kishin ardhur në KPK, relatorja deklaroi se gjyqtajra në një rast nuk kishte respektuar dispozitat ligjore, nuk kishte depozituar procesverbalet e një çështjeje dhe në raste të tjera kishte zvarritur gjyqe.

Duke cituar një denoncim të ardhur nga “një grup gjyqtarësh’ në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër, relatorja deklaroi se subjekti akuzohej se mungonte pa arsyet në punë, favorizonte bashkëshortin avokat dhe shmangte trajtimin e çështjeve të rrezikshme duke dhënë dorëheqjen.

Sipas KPK-së një nga denoncimet i dërguar nga një ish-inspektor i KLD-së i referohej një raporti inspektimi paraprak, sipas të cilit gjyqtarja kishte zvarritur një çështje për 9 seanca për shkak të mungesës së ekspertit.

Çiftja deklaroi se një vlerësim i bërë nga KPK, kishte arritur përfundimin se subjekti nuk kishte respektuar afatet për dorëzimin e dosjeve dhe kishte mungesë aftësish organizative për të përballuar ngarkesën në punë.

Gjetjet e hetimit administrativ të KPK-së mund të perceptoheshin si të rënda për profesionalizmin e subjektit, po mos të merrej në konsideratë fakti se disa nga denoncimet mbi të cilat ato bazoheshin dhe faktet që referonin ishin të dyshimta.

Siç doli nga debati në seancë dëgjimore, një shtetas që supozohej të ishte autori i një prej denoncimeve, kishte vdekur në vitin 2018 dhe mund ta kishte dërguar ankesën në KPK vetëm nga bota e përtejme.

Edhe ish-inspektori i KLD-së që reforohej në hetimin administrativ të relatores Çiftja, mohonte në një deklaratë të depozituar në Komision se ishte autorit i denoncimit.

Sipas gjyqtares edhe përmbajtja e këtij inspektimi ishte e pasaktë, pasi nuk kishte përfshirë një fashikull të gjykimit dhe çështja nuk ishte shtyrë me për 9 senca, por për 4 seanca dhe këto nuk kishin qenë të njëpasnjëshme.

Sa për akuzën se kishte shkelur traktatin e ekstradimit me SHBA, subjekti theksoi se për rastin në fjalë nuk i ishte kaluar barra e provës dhe me sa mbante mend nga çështja bëhej fjalë për një shtetas mbi 70 vjeç dhe të paralizuar.

Të ballafaqur me faktet dhe pretendimet që vinin në pikëpyetje hetimin administrativ të ndërmarrë në KPK, trupa gjykuese u tërhoq për disa minuta.

E paturbulluar për akuzat për falsifikime deklaratash dhe impersonime të vdekurish, anëtarja Genta Tafa Bungo mori në pyetje subjektin duke i kërkuar llogari se si e kishte siguruar cerfikatën e vdekjes të denoncuesit dhe si e kishte kontaktuar inspektorin e KLD-së, për të cilin pretendoi se Komisioni ishte i paaftë ta gjente.

Bungo theksoi se subjekti duhet të mbrohej nga ata çfarë përmbante denoncimi dhe pak rëndësi kishte nëse denoncuesi ishte i vdekur, duke theksuar se KPK merrte dhe denoncime anonime.

Gjyqtarja Kacerja nuk e shpjegoi si e kishte siguaruar certifikatën e vdekjes të ‘denoncuesit’ nga Zyra e Gjendjes Civile. Sa për vonesat në dorëzimin e vendimeve ajo ia atribuojë ngarkesës që kishte dhoma civile e Gjykatë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Në fund të seancës dëgjimore Kacerja i kërkoi KPK-së konfirmimin në detyrë. Vendimi do të shpallet me 16 mars, ora 9:45.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *