Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Pikëpyetjet për pasurinë e integritetin, KPK shkarkon prokurorin Artur Selmani

Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme Artur Selmani u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Në seancë dëgjimore KPK vuri në dyshim integritetin, profesionalizmin dhe burimin e pasurive të tij.  

Prokurori Artur Selmani në seancën dëgjimore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme Artur Selmani u shkarkua të hënën nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i cili më herët në seancë dëgjimore pati venë në dyshim integritetin, profesionalizmin dhe burimin e pasurive të tij.

Trupa gjykues që hetoi Selmanin u drejtua nga Roland Ilia, me relatore Etleda Çiftja dhe anëtare Firdes Shuli. Gjatë seancës dëgjimore të ejten Selmani u përball me një sërë problemesh që kishin dalë gjatë hetimit administrativ të KPK.

Lexo edhe: Llotot dhe lehtësimi i akuzave për masakrën e Çoles “vulosin” vetingun e Selmanit

Rezultatet e hetimit administrativ zbuluan sipas relatores probleme në të tre kriteret e rivlerësimit. Në raportin e saj, ILDKPKI e kishte konsideruar të pasaktë deklarimin e Selmanit, ndonëse theksonte se ka burime të ligjshme për të justifikuar pasurinë, ndërsa DSIK e konsideroi të papërshtatshëm, duke iu referuar informacioneve për përfshirjen e prokurorit në llotari sportive në vitet 2006, 2007 dhe 2008.

Prokuroria e Përgjithshme i përcolli KPK-së një raport me tre vlerësime “shumë mirë” për Selmanin, por edhe të dhënat për pezullimin e tij nga detyra dhe procedimet penale për rastin e masakrës së Çoles. Të dyja procedimet, sipas relatores Etleda Çiftja ishin pushuar me argumentin se nuk kishte të dhëna që prokurori ishte ndikuar në mënyrë të paligjshme në vendimin e tij për lehtësimin e akuzave. Çiftja megjithatë tha se ai nuk “ka respektuar të drejtat e familjarëve të viktimave”.

Problem për prokurorin i cili një vit më parë kandidoi edhe për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm u bë përfshirja e tij në në llotari sportive, e ndjekur nga deklarimi i 10 mijë dollarëve të fituara si burim për pasurinë, të cilat KPK i cilësoi të paprovuara.

Selmani pranoi problemet me kumarin tha se nuk ndjehej krenar dhe nuk kërkonte shfajësim, por këmbënguli se nuk ishte një aktivitet i paligjshëm.

Lidhur me reduktimin e akuzës nga 35 vjet në 4 vjet burg për të akuzuarin kryesor të masakrës së Çoles, Selmani u zgjat në shpjegimin e bindjes së tij për të balancuar përfaqësimin e akuzës me të drejtat e të pandehurve, ndërsa shtoi se “dosja nuk kishte prova”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *