Prokurorja Elfrida Bregova në seancën dëgjimore në KPK. Foto: Vladimir Karaj.
KPK Lajme

Prokurores Elfrida Bregova i kërkohen shpjegime mbi transaksionet bankare dhe huatë

Prokurorja e Tiranës, Elfrida Bregova u përball të martën me pikëpyetje mbi mundësitë financiare të saj dhe të bashkëshortit po ashtu prokuror, Saimir Bahiti, në blerjen e një apartamenti 104 metra katrorë në Tiranë.

KPK vuri në dukje se Bregova rezultonte me fonde të pamjaftueshme dhe një bilanc negativ në total prej 2.9 milionë lekësh, që siç u tha në seancë, vinin nga mosnjohja si burim i ligjshëm i një huaje 1.2 milionë lekë, mosnjohja e shpenzimit të një dhurate 10 mijë euro dhe një transfertë e dyshimtë bërë në emër të bashkëshortit prej 21 mijë eurosh.

Bregova e mohoi transfertën duke këmbëngulur se ishte falsifikuar dhe solli si provë në seancë se ditën e transferimit të fondeve në një bankë në Tiranë, bashkëshorti në fakt kishte qenë në gjykatën e Shkodrës.  Ajo e cilësoi pasaktësi mosdeklarimin e shpenzimit të shumë 10 mijë euro, ndërsa këmbënguli se huadhënësi i shumës 1.2 milionë lekë kishte pasur të ardhura dhe huaja duhej të njihej e ligjshme.

Bregova po ashtu u pyet nga vëzhguesi ndërkombëtar, Theo Jacobs mbi etikën e marrjes së një huaje 50 mijë euro nga një biznesmen, që siç doli në seancë kishte pasur mundësi financiare.

Prokurorja nga ana e saj vlerësoi hetimin e Komisionit dhe theksoi se “ishte dakord me rezultatet e hetimit”.

Trupa që hetoi Bregovën është e përbërë nga Alma Faskaj kryesuese, Lulzim Hamitaj anëtar dhe Genta Tafa Bungo, relatore.

Elfrida Bregova përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2006 dhe u emërua fillimisht prokurore pranë Prokurorisë së Kavajës. Prej vitit 2010, ajo e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Tiranë.

Hetimi mbi apartamentin dhe huatë

Relatorja Genta Tafa (Bungo)  vuri në dukje gjatë relatimit se ndaj prokurores kishte një raport negativ nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Sipas relatores, ILDKPKI kishte dalë në përfundimin se prokurorja kishte bërë deklarime të pasakta, ishte në pamundësi financiare dhe po ashtu kishte bërë deklarim të rremë e fshehje të pasurisë.

Nga relatimi në KPK u kuptua se pjesa më e madhe e këtij raporti ishte e fokusuar në transaksionet e kryera për blerjen e një apartamenti për shumën 104 mijë euro. Bungo relatoi se burimet në blerjen e apartamentit ishin kryesisht hua;  një shumë 50 mijë euro nga një biznesmen me emrin P.G, një hua nga I.H në shumën 3 milionë lekë dhe një hua në shumën 1.2 milion lekë nga S.A. Pjesa tjetër sipas deklarimit ishte mbuluar nga kursimet në shumën 3 milionë lekë.

KPK tha se hetoi burimin e ligjshëm të huadhënësve. Nga hetimi rezultoi se P.G, i cili para dhënies së huasë kishte bërë një shitje pasurie me vlerë mbi 1 milion euro, i kishte pasur mundësitë për të dhënë huanë dhe e konsideroi atë burim të ligjshëm.

Por vëzhguesi ndërkombëtar, Theo Jacobs kërkoi shpjegime shtesë nga Bregova. Pasi mori konfirmimin se huaja ishte dhënë pa interes dhe duke iu referuar një kredie të marrë nga Bregova dhe bashkëshorti për shlyerjen e saj, Jacobs tha se biznesmeni në fjalë u kishte dhuruar 500 euro çdo vit. Jacobs pyeti prokuroren nëse shihte probleme të etikës në këtë marrëdhënie mes dy magjistratëve dhe një biznesmeni dhe për njohjen e saj me P.G.

Prokurorja tha se biznesmeni ishte njohje shoqërore e bashkëshortit dhe se ajo vetë nuk e kishte takuar dhe as kishte njohje me të. Ajo tha se huamarrja kishte qenë e vetmja mënyrë se si ata mund të mbulonin blerjen e apartamentit në mungesë të një kolaterali dhe këmbënguli se ishte nevoja për shtëpi që i kishte shtyrë drejt huave. Ajo tha se nuk kishte pasur konflikt interesi me huadhënësin.

Ndërkohë, KPK nuk gjeti probleme as në huanë 3 milion lekë marrë nga I.H, por vuri në dukje se nga hetimet kishte rezultuar se një prej huadhënësve, i cili kishte dhënë shumën 1.2 milion lekë nuk kishte pasur burime financiare për të kursyer shumën në fjalë.

Bregova këmbënguli se personi me inicialet S.A kishte pasur mundësi financiare. Ajo tha se kishte sjellë dokumente që provonin burimin e të ardhurave të familjes së S.A, duke këmbëngulur se ato ishin të mjaftueshme.

Nga ana tjetër, një dhuratë 10 mijë euro nga nëna e Bregovës edhe pse rezultoi e mbuluar me burime të ligjshme, nuk u pranua nga Komisioni të kishte shërbyer për shlyerjen e një pjesë të huave të marra. Bungo tha se dhurata nuk ishte deklaruar as si shtesë kursimesh dhe as si pakësim në vitin kur pretendohej se ishte përdorur në shlyerje huaje.

Bregova e kundërshtoi këtë gjetje. Ajo pranoi megjithatë se mosdeklarimi si shtim dhe pakësim i dhuratës nga nëna ishte një pasaktësi e saj, por kërkoi që ajo të merrej në konsideratë duke këmbëngulur se bëhej fjalë për një harresë dhe keqkuptim dhe jo një shmangie nga detyrimi.

Mosnjohja e huasë 1.2 milionë lekë dhe shpenzimi i dhuratës 10 mijë euro sillte sipas KPK një bilanc negativ rreth 2 milionë lekë për dy prokurorët në vitin 2012 dhe 2013. Por prokurorja këmbënguli se provat e sjella e rrëzonin këtë barrë prove dhe se të ardhurat në të dy vitet kishin qenë të mjaftueshme.

Pagesa 21 mijë euro

Pjesa tjetër e bilancit negativ, rreth 900 mijë lekë, ndikohej nga një pagesë prej 21 mijë eurosh në emër të bashkëshortit të Bregovës në bankë në vitin 2012. Pagesa ishte bërë sipas relatimit për llogari të kompanisë së ndërtimit si pjesë e shlyerjes së kësteve.

Por Bregova pretendoi se ata i kishin paguar detyrimet ndaj kompanisë në vetëm dy këste, për të cilat prokurorja tha se kishte vënë në dispozicion faturat duke mohuar pagesën në bankë. Ajo pretendoi se një ekspertizë grafike kishte dokumentuar se fatura në fjalë ishte e falsifikuar dhe nuk ishte nënshkruar nga bashkëshorti i saj.

KPK tha se pas interesimit pranë kompanisë, kjo e fundit kishte pranuar kryerjen e transferimit në bankë të parave të marra cash nga prokurori Bahiti për disa pagesa të tjera, por kishte pretenduar se pagesa në fjalë ishte bërë nga vetë prokurori. KPK po ashtu doli në përfundimin se ekspertiza për firmat nuk mund të merrej si bazë, pasi ishte bërë mbi dokumente të falsifikuara.

Por Bregova tha në KPK se ata nuk kishin bërë pagesë tjetër veç shumave të derdhura cash për kompaninë. Prokurorja tha se në datën e pagesës, bashkëshorti i saj kishte qenë në Shkodër. Ajo tha se bazuar në dokumentacionin nga Gjykata e Shkodrës, i shoqi kishte përfaqësuar prokurorinë në tre seanca gjyqësore që kishin filluar pak pas orës 9 të mëngjesit dhe kishin përfunduar pas orës 13 po atë ditë.

Bregova vuri në dukje se pagesa në bankë mbante orën 9.44 minuta dhe tha se ishte e pamundur që bashkëshorti të ishte njëkohësisht edhe në bankë në Tiranë edhe në seancë gjyqësore në Shkodër. Ajo tha se bashkëshorti udhëtonte çdo ditë për në Shkodër në orën 6 të mëngjesit dhe këmbënguli se dokumenti ishte i falsifikuar.

E pyetur nga anëtari i trupës, Lulzim Hamitaj se pse për të kallëzuar këtë fakt kishin pritur 1 vit pas njohjes me sa kishte ndodhur, Bregova tha se fillimisht kishin tentuar të merrnin informacion nga banka dhe shoqëria.

Probleme të tjera

Hetimet e KPK-së ishin fokusuar në disa prej pasurive të prokurores dhe transaksionet e kryera për përfitimin e tyre. Komisioni vuri në dukje se Bregova nuk kishte deklaruar një tokë arë në fshatin Kuturman në Librazhd me sipërfaqe 2225 metra katrorë, në të cilën ajo dhe bashkëshorti kishin 20 për qind të pjesës.

Bregova mohoi të kishte pasur dijeni për tokën që ishte deklaruar nga bashkëshorti në vitin 2007. Ajo po ashtu tha se bashkëshorti nuk kishte marrë pjesë në blerje, pasi nuk kishte qenë në Shqipëri në kohën kur ishte kryer transaksioni me vlerë 100 mijë lekë dhe ai ishte kryer nga vjehrri që kishte vendosur edhe emrat e fëmijëve që ata të “kishin një lidhje me fshatin e tij të origjinës”.

Bregova po ashtu këmbënguli edhe gjatë seancës se nga toka e blerë vite më parë nuk ishte marrë asnjë fryt dhe ajo nuk ishte kultivuar.

KPK ndërkohë tha se kishte hetuar edhe dyshimet e ngritura nga raporti i ILDKPKI mbi një makinë të blerë për 2 mijë euro nga bashkëshorti i subjektit, por nuk kishte gjetur probleme në këtë transaksion.

KPK vuri në dukje se Bregova kishte pasur vlerësim pozitiv për profesionalizmin. Komisioni megjithatë tha se i kishte kërkuar shpjegime prokurores në lidhje me një rast tejkalimi afatesh dhe një rikthim çështje për hetim nga gjykata.

Bregova tha se tejkalimi i afatave kishte ardhur si pasojë e ngarkesës. Ajo këmbënguli se kishte kryer hetimet në rastin e dytë dhe se pyetja e një notereje nuk kishte qenë e nevojshme sa kohë që palët kishin deklaruar se nuk kishin kryer veprime pranë saj. Ajo tha se ky qëndrim i saj ishte pranuar nga Gjykata e Apelit.

Prokurorja po ashtu ishte vlerësuar e përshtatshme nga DSIK sa i përket figurës, megjithatë institucioni kishte vënë në dijeni Komisionin se asaj dhe bashkëshortit u ishin revokuar vizat nga ambasada e SHBA. Siç u citua në seancë, DSIK thoshte se ky revokim ishte bërë një vit pas dorëzimit të deklaratës së pastërtisë së figurës, por i kërkonte KPK-së ta shqyrtonte atë.

Bungo nuk tha nëse KPK kishte bërë ndonjë vlerësim, por se i kishte kërkuar shpjegime Bregovës mbi situatën.

Prokurorja tha se nuk ishte në dijeni të arsyeve. Ajo tha se një vit pas marrjes së vizës ishte thirrur në ambasadë ajo dhe bashkëshorti dhe vizat e tyre ishin revokuar, ndërsa ato të fëmijëve jo. Ajo tha se ky nuk mund të ishte shkak penalizimi për të, pasi në të gjitha rastet penalizimi ishte bërë vetëm kur ky fakt nuk ishte deklaruar.

Në fund të seancës, Bregova kërkoi konfirmimin në detyrë. Seanca e radhës u caktua në 8 prill në orën 9.30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *