Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Gerd Hoxha pas seancës në Kolegj. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Lajme Vendi

KPA riçel hetimin gjyqësor për gjyqtarin Gerd Hoxha

Kolegji i Posaçëm i Apelimit u njoh të martën me parashtrimet e Komisionerit Publik, Darjel Sina lidhur me ankimin ndaj vendimit të konfirmimit në detyrë të gjyqtarit të Tiranës, Gerd Hoxha. Gjatë seancës që zgjati rreth 7 orë, KPA vendosi të pranojë kërkesën e Sinës për çeljen e hetimit dhe kryerjen e analizës financiare, si dhe të provave të dorëzuara nga subjekti.

Gjyqtari Gerd Hoxha u konfirmua në detyrë me shumicë votash më 3 qershor 2021 nga komisionerët Genta Tafa Bungo dhe Olsi Komici, ndërsa Brunilda Bekteshi në pakicë çmoi se subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë burimin e një huaje të marrë nga ish-bashkëshortja prej prindërve të saj, që ka shërbyer për shlyerjen e një kredie 25 mijë euro të përdorur për rikonstruksionin e një apartamenti. Konfirmimi i Hoxhës u ankimua nga Komisioneri Publik Darjel Sina pas një rekomandimi të Operacionit ndërkombëtar të Monitorimit, ONM.

Hoxha u përball thuajse me të njëjtat probleme si ish-bashkëshortja, gjyqtare e Apelit të Tiranës, Elbana Lluri, e cila njëlloj është konfirmuar nga KPK dhe e apeluar me rekomandim të ONM-së. Ndryshe nga rasti i ish-bashkëshortes, për Hoxhën u ngritën shkaqe dhe për profesionalizimin, lidhur me një çështje të gjykuar dhe dy qëndrime të tij si anëtar i ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, KLD në dhënien e lejes prindërore për ish-gjyqtarin Gjin Gjoni dhe rrëzimin e një kërkese për masë disiplinore ndaj Petrit Aliajt.

Parashtrimet për pasurinë

Komisioneri Publik, Darjel Sina u qëndroi të gjitha shkaqeve të ankimit, duke e konsideruar jo të plotë dhe në përputhje me provat, hetimin e kryer në shkallën e parë të vetingut. Ai e cilësoi vendimin e KPK të cënueshëm dhe kërkoi rivlerësimin e pasurive, hetimin e mëtejshëm të tyre si dhe rikryerjen e analizës financiare.

Për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 125 m2 në Tiranë në vitin 2011, në bashkëpronësi me ish-bashkëshorten, subjekti ka deklaruar se ka paguar individualisht shumën 6.5 milionë lekë. Hoxha ka sqaruar se gjysma e apartamentit i është dhuruar ish-bashkëshortes nga pala shitëse, për shkak të marrëdhënies së posaçme mes tyre.

Sipas Sinës, gjatë hetimit në KPK subjekti ka deklaruar si burim krijimi për pjesën e tij një kredi në shumën 5 milionë lekë të marrë në 2011-ën dhe vlerën e mbetur 1.5 milion lekë nga të ardhurat e siguruara nga puna në sektorin privat gjatë periudhës 1995-2000; të ardhurat nga Shkolla e Magjistraturës në vitet 2000-2002; nga pagat si gjyqtar për periudhën nëntor 2002 – shkurt 2011; si dhe të ardhura të tjera nga shpërblime si ekspert, lektor etj..

Komisioneri konstaton se rezulton e provuar se nuk janë paguar detyrimet tatimore për të ardhurat nga punësimi në sektorin privat dhe kërkoi rikryerjen e analizës financiare.

Duke iu referuar gjetjeve të ONM-së, ku konstatohet se subjekti e ka disponuar këtë pronë përpara se ta deklaronte, Komisioneri kërkoi që të hetohet edhe mbi mundësinë financiare të prindërve të ish-bashkëshortes së Hoxhës, për dhënien e një huaje 25 mijë euro në vitin 2011 që ka shërbyer për shlyerjen e një kredie të marrë në 2009-ën për rregullimin e apartamentit në fjalë.

Gjatë hetimit në Komision, subjekti ka deklaruar se prindërit e ish-bashkëshortes, veç të ardhurave nga puna dhe pensioni janë ndihmuar prej vajzës së madhe në vlerën 40 mijë lekë në muaj prej vitit 1995. Komisioneri kërkoi të rishikohet analiza financiare për mundësinë e prindërve të ish-bashkëshortes, me argumentin se shuma 40 mijë lekë e deklaruar si ndihmë nga vajza e madhe ka pasur si qëllim mbulimin e shpenzimeve jetësore të tyre të një niveli mesatar. Ndërkohë, nga verifikimi i deklarimeve të ish-bashkëshortes së subjektit ka rezultuar se ajo ka pasqyruar kursime cash në shtëpi në shumën 5 milionë lekë deri në vitin 2004, ku si burime janë shënuar edhe kursimet e familjes së origjinës dhe dhurimet nga motra.

Për këtë arsye, Sina kërkoi që analiza për mundësinë e prindërve të ish-bashkëshortes së subjektit për kursimin e vlerës 25 mijë euro të dhënë hua të kryhet për periudhën 2005-2011.

Gjyqtari Hoxha vërejti në fillim të fjalës së tij se edhe vetë Komisioneri nuk është i bindur për shkaqet e ankimit që ka ngritur, pasi nuk e ka kundërshtuar vendimin e Komisionit për konfirmimin e tij. “Por ka kërkuar një arsyetim më bindës,” pohoi Hoxha duke i konsideruar shkaqet e ankimit të pabazuara.

Lidhur me pagesën e shumës 1.5 milionë lekë me burim nga kursimet, Hoxha deklaroi se kjo vlerë nuk është krijuar deri në vitin 2003 ashtu si pretendoi Komisioneri, por deri në 2011-ën. Subjekti sqaroi se kishte punuar me kohë të pjesshme si kamarier gjatë periudhës 1995-2000, kur sipas tij kishte fituar edhe bakshishe. “Është fakt i njohur botërisht se fitohen të ardhura nga bakshishi,” deklaroi ai.

Sipas Hoxhës, këto të ardhura ishin krijuar rreth 27 vite më parë, kur ai nuk ishte magjistrat dhe pretendoi se kishte provuar pamundësinë objektive për të siguruar dokumentacion. Subjekti vërejti se mospagesa e detyrimeve nuk ishte për fajin e tij, pasi kishte qenë detyrim i punëdhënësit. Ai solli në vëmendje vendime të Kolegjit disa vendime që i konsideroi si raste të ngjashme dhe kërkoi përfshirjen në analizë të kursimeve të deklaruara në vitin 2003, si burime të ligjshme.

Për periudhën pas fillimit të detyrë, evidentoi se kishte punuar edhe si ekspert në Shkollën e Magjistraturës dhe si pedagog. “Vërtetohet se kam pasur burime të ligjshme,” theksoi Hoxha.

Në vijim, ai kundërshtoi Komisionerin për konsiderimin e prindërve të ish-bashkëshortes si persona të lidhur. Subjekti deklaroi se kishte qenë vetë në cilësinë e dorëzanësit në kredinë e marrë prej ish-bashkëshortes dhe shtoi se huaja ishte marrë prej saj. Hoxha sqaroi se deri në momentin e zgjidhjes së martesës, huaja nuk ishte shlyer.

Vëzhguesi ndërkombëtar, Theo Jacobs vërejti se në vitin 2011 rezultonte një rivlerësim i apartamentit në shumën 23 milionë lekë. Sipas tij, dukej se pala shitëse i kishte dhuruar një vlerë 5 milionë lekë edhe vetë subjektit të rivlerësimit. Hoxha e kundërshtoi këtë konstatim duke theksuar faktin se nuk bënte pjesë në shkaqet e ngritura në ankimin e Komisionerit.

Ai kundërshtoi edhe konstatimin se e kishte përdorur banesën përpara deklarimit. Si argument për këtë pretendim, Hoxha solli në vëmendje aktet e dorëzuara për marrjen e kredisë kur rezultonte se apartamenti kishte qenë i pabanueshëm.

Megjithëse Hoxha deklaroi në mënyrë të përsëritur se prindërit e ish-bashkëshortes nuk mund të konsideroheshin si persona të lidhur, ai deklaroi se ishte provuar se ata kishin pasur burime të ligjshme të mjaftueshme për dhënien e huasë.

Me argumente të ngjashme lidhur me mundësitë e kursimeve të ish-bashkëshortëve Hoxha/Lluri, Komisioneri çmoi të nevojshëm rivlerësimin e zërave përbërës të analizës financiare të kryer nga Komisioni, kryesisht lidhur me kursimet e deklaruara në vite prej dy subjekteve të rivlerësimit se kanë shërbyer për krijimin e kësaj pasurie.

Sina kërkoi të rivlerësohej edhe gjendja faktike e një automjeti tip Audi Q7 në pronësi të babait të subjektit e përdorur prej këtij të fundit, si dhe kryerja e analizës financiare të burimeve të krijimit të kësaj pasurie. Komisioneri vërejti se Hoxhës i kishte kaluar e drejta e përdorimit të këtij mjeti të blerë në shumën 37 mijë USD, një javë pasi i ati e kishte blerë. “Duket se subjekti i rivlerësimit ka qenë pronari de facto i këtij aseti,” konstatoi Sina.

Hoxha deklaroi se nuk qëndrojnë dyshimet e ngritura për fshehje të kësaj pasurie. Ai theksoi se babai e kishte blerë një mjet të tillë për arsye të gjendjes shëndetësore. Ndërkohë, shpjegoi se e kishte përdorur automjetin tip Audi Q7 vetëm për udhëtime jashtë shtetit me fëmijët e mitur, për sigurinë e tyre. Ai e argumentoi këtë pretendim me faktin se rezultonte që udhëtimet pa fëmijët i kishte kryer me mjetin e tij tip “Citroen”.

Hoxha u përball me pyetje nga Jacobs edhe për blerjen e automjetit tip Audi, ku gjatë dhënies së shpjegimeve u përfshinë në diskutime me njëri-tjetrin – situatë për të cilën palëve i’u tërhoq vëmendja nga kryesuesja e trupës gjykuese, Rezarta Schuetz, e cila u kërkoi të ruanin solemnitetin e seancës.

Jacobs e pyeti për llojin e automjeteve që kishte zotëruar babai më parë, nëse dhe ato kishin qenë të të njëjtit nivel si Audi Q7. Gjithashtu, ai vërejti se babai kishte blerë në vitin 1997 një shtëpi në Memaliaj në vlerë katër herë më të vogël se automjeti në vitin 2011, si dhe faktin se vetë subjekti kishte paguar një shpenzim për riparimin e kësaj makine.

Hoxha deklaroi se në asnjë rast nuk i kishte paguar ai policat e sigurimit, por i ati. Ai shtoi se prindërit, babai inxhinier dhe nëna mjeke, kishin pasur të ardhura të mjaftueshme. “Është e pabesueshme që mos të përdorja makinën e babait dhe anasjelltas,” deklaroi Hoxha dhe këmbënguli se makina ishte pronë e të atit.

Komisioneri Sina kërkoi që të verifikohet edhe mundësia financiare për blerjen e automjetit tip Citrohen, çmimi i shitjes së të cilit ka shërbyer për blerjen e një mjeti tjetër. Hoxha shpjegoi se për blerjen e automjetit tip Citroen kishte paguar në mënyrë të barabartë me ish-bashkëshorten. Ai vërjeti se kishte pasur të ardhura edhe nga shitja e një automjeti tip Benz.

Profesionalizmi

Duke iu referuar gjetjeve të vëzhguesit të ONM-së, Sina paraqiti edhe shkaqet e ankimit për profesionalizmin. Ai vërejti një prej pesë çështjeve të përzgjedhura me short ku sipas raportit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ ishin konstatuar gabime thelbësore dhe serioze.

Hoxha sqaroi se gjykimi kishte vijuar për dy vjet e dy muaj, por jo për shkak të tij. Ai e konsideroi të pabazuar raportin e KLGJ-së. “Asnjë nga gjetjet e KLGJ-së nuk qëndron”, theksoi ai dhe renditi një sërë argumentesh që sipas tij vërtetonin se raporti nuk qëndronte.

Lidhur me çështjen e dërguar nga Komisioni për inspektim në zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD që ka të bëjë me vendimarjen e ish-KLD-së ku Hoxha në cilësinë e anëtarit në vitin 2018 ka votuar për dhënien e lejes së posaçme ish-gjyqtarit Gjin Gjoni, subjekti sqaroi se tashmë kishte një vendimarrje për këtë situatë.

Sipas Hoxhës, ILD ka vendosur arkivimin e çështjes, pasi nuk ka konstatuar probleme. Gjithashtu ai vërejti se tre subjekte të tjerë rivlerësimi, ish-anëtarë të KLD-së që kishin marrë pjesë në votim nuk janë penalizuar për këtë fakt.

Ai sqaroi se është vendosur arkivimi dhe për gjetjen tjetër të ONM-së lidhur me vendimin e ish-KLD-së për rrëzimin e kërkesës së Ministrit të Drejtësisë së kohës për dhënie mase disiplinore ndaj gjyqtarit të Apelit të Vlorës, Petrit Aliajt.

Në përfundim, Komisioneri Sina e konsideroi të cënueshëm vendimin e Komisionit për gjyqtarin  Hoxha dhe kërkoi çeljen e hetimit. Subjekti nga ana e tij kërkoi që të administrohen si prova aktet që ka dorëzuar.

Pasi trupa gjykuese e KPA u tërhoq, vendosi çeljen e hetimit me qëllim administrimin e provave të subjektit dhe kryerjen e analizës financiare të kërkuar nga Komisioneri Sina. Seanca e radhës u shty për me datë 6 maj, në orën 09:00, kur pritet që trupa të shprehet edhe lidhur me tre denoncime të reja që u referuan gjatë seancës të martën.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *