Prokurorja Elfrida Bregova e Prokurorisë së Tiranës do të përballët të mërkurën më 6 prill me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i tij i vetingut po kryhet nga trupa e përbërë nga Alma Faskaj, Lulzim Hamitaj dhe Genta Tafa Bungo.
Elfrida Bregova përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2006 dhe u emërua fillimisht prokurore pranë Prokurorisë së Kavajës. Prej vitit 2010, ajo e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Tiranë.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga prokurorja Elfrida Bregova nga viti 2006 deri në fund të vitit 2016. [Kliko për skedën në PDF].

Në deklarimin për të herë të parë në vitin 2006, prokurorja Elfrida Bregova deklaronte pasuri me vlerë 300 mijë lekë, ndërsa në fund të vitit 2016, pasuria familjare kap vlerën e 14.7 milionë lekëve.
Ajo zotëron familjarisht pasuri të paluajtshme me vlerë 14.5 milionë lekë, një automjet me vlerë 170 mijë lekë si dhe likujditete bankare prej 105 mijë lekësh.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 14.1 milionë lekë, nga të cilat 65% burojnë nga paga e subjektit dhe rreth 35% nga paga e bashkëshortit.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 11 vite, asnjë prej deklaratave nuk rezultoi me probleme.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” huatë në vlera të konsiderueshme për blerjen e një apartamenti. Më konkretisht në vitin 2012, subjekti Elfrida Bregova deklaron blerje shtëpie banimi në vlerën 104,000 euro, ku si burime financimi shërbejnë huamarrje pa interes me vlera totale 50,000 euro dhe 4,200,000 lekë. Po këtë vit deklarohet kredi bankare në vlerë 20,000 euro, e cila shërben për të shlyer një pjesë të huamarrjes së deklaruar më sipër.
Deklarata Para Fillimit të Detyrës
Deklarata e pasurisë së vitit 2006
Deklarata e pasurisë së vitit 2007
Deklarata e pasurisë së vitit 2008
Deklarata e pasurisë së vitit 2009
Deklarata e pasurisë së vitit 2010
Deklarata e pasurisë së vitit 2011
Deklarata e pasurisë së vitit 2012
Deklarata e pasurisë së vitit 2013
Deklarata e pasurisë së vitit 2014
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al