Prokurori Arben Dollapaj u shkarkua për “deklarime të paplota”

Analiza dhe Opinione
Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi në favor të shkarkimit të anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Arben Dollapaj me argumentin se deklarimet për kohën dhe shpenzimet e bëra për ndërtimin e një shtëpie në Tiranë dhe tjetrës në Tropojë ishin të paplota.

Prokurori Arben Dollapaj dhe avokati i tij Viktor Gumi pas seancës në KPA. Foto LSA

Vendimi i zbardhur i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për prokurorin e karrierës, Arben Dollapaj, ish-anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, është fokusuar te problemet e gjetura në deklarime për investimin e kryer në dy shtëpi të deklaruara prej tij, në Tiranë dhe në Tropojë.

Kolegji rrëzoi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit me argumentin se deklarimet e ish-prokurorit nuk kishin qenë të plota dhe se ai nuk kishte justifikuar të kundërtën e barrës së provës.

“Rezultoi se subjekti i rivlerësimit Arben Dollapaj ka kryer deklarim të paplotë, të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë,” thuhet në vendim.

Dollapaj u konfirmua në detyrë nga KPK në gusht të vitit 2018, por vendimi ndaj tij u apelua nga Komisioneri Publik, i cili pretendoi një sërë parregullsish në deklarimim e pasurive të prokurorit dhe i kërkoi KPA rivlerësimin dhe shkarkimin e tij. Para se të paraqitej në Apel, Dollapaj  u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Trupa që gjykoi Dollapaj në Kolegj u kryesua nga Ardian Hajdari, me relator Luan Dacin dhe anëtarë Albana Shtylla, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo.

Pasakatësitë në deklarim

Nga vendimi i zbardhur rezulton se pasaktësitë në deklarimet vjetore dhe dokumentacioni publik që shkonte përkundër këtyre deklarimeve penalizuan ish-prokurorin Arben Dollapaj. Nga vendimi del se ai është konsideruar se nuk kishte pasur të ardhura të mjaftueshme për ndërtimin e një kati me sipërfaqe 113 metra në një shtëpi në kryeqytet dhe se një kredi e marrë për këtë qëllim ishte pas kohës së ndërtimit.

Deklarimet e Dollapajt mbi mënyrën se si ishte paguar ndërtimi u cilësuan nga KPA si jo të sakta. Kolegji iu referua kohës kur ishin bërë deklarimet për disa dhurata nga të afërmit dhe më pas kohës së marrjes së kredisë së butë me vlerë 5 milionë lekë dhe arsyetoi se ato ishin marrë në kohë të ndryshme nga pagesat dhe nuk mund të konsideroheshin se ishin përdorur për ndërtimin e katit të banimit.

Duke iu referuar përfitimit të kredisë së butë, Kolegji arsyetoi se Dollapaj kishte filluar ndërtimin në vitin 2006 dhe sipas konstatimit të ALUIZNI-t, ky ndërtim kishte qenë banesë e shfrytëzueshme në datën 9 nëntor 2010. Po ashtu, sipas dokumenteve nga ALUIZNI dhe koha e pagesës së taksës së ndikimit në mjedis, investimi ishte mbyllur dhe kishte qenë i gatshëm për banim 6 muaj para marrjes së kredisë në datën 18 maj 2011.

“Kolegji vlerëson se subjekti i rivlerësimit nuk ka deklaruar në deklaratën vetting, në mënyrë të saktë, të plotë dhe të mjaftueshme, shtesën në katin e tretë në këtë shtëpi dhe nuk ka justifikuar me burime të ligjshme krijimin e kësaj pasurie,” thuhet në vendim.

KPA po ashtu ka cilësuar si të pamjaftueshme provat e paraqitura nga Dollapaj për të justifikuar huanë prej 25 mijë dollarësh marrë nga kunati në SHBA, ndonëse paraqiti prova që tregonin se biznesi i tij kishte qarkullim prej më shumë se 3 milionë dollarësh.

KPA këmbënguli edhe në këtë rast në qëndrimet e saj të mëparshme kontraverse, se personi i lidhur duhej të provonte pagesën e taksave, edhe pse paratë ishin në llogari bankare apo kredi për biznes.

KPA citon se provat për të ardhurat, përfshi një kontratë kredie me një bankë amerikane prej 1.1 milionë dollarësh në vitin 2009 dhe gjendje në llogari bankare prej më shumë se 2 milionë dollarësh në vitin 2014, tregonin vetëm që huadhënësi kishte aktivitet ekonomik, por jo që kishte paguar taksat për këto para.

“Por pa vërtetuar shlyerjen e detyrimeve tatimore të personit juridik, pronar i së cilit është kunati, z. H.S. dhe, si pasojë, provueshmërinë e burimeve të ligjshme të këtij të fundit në momentin e dhënies së huas,” thuhet në vendim.

Konfuz është edhe arsyetimi mbi dhuratat e marra nga motrat gjatë një vizite në SHBA. Kolegji arsyeton se pretendimi i Dollapajt se dhurimet e marra në fund të vitit 2006 dhe që ishin deklaruar atë vit duhej të konsideroheshin në analizën financiare të vitit 2007 pasi në atë kohë ishin arkëtuar në Shqipëri, nuk qëndronte.

Shtëpia në Tropojë

Gjetje të ngjashme u cilësuan penalizuese edhe sa i përket një shtëpie në Tropojë të ndërtuar së bashku me vëllanë, nënën dhe një nga motrat e prokurorit Dollapaj. Kolegji arsyetoi se kishte pamjaftueshmëri deklarimi në lidhje me investimin dhe destinacionin e ndërtesës dhe pjesën takuese të secilit anëtar.

Pretendimet e Dollapajt se pjesa e tij në shtëpi nuk ishte përfunduar dhe se ajo nuk ishte përdorur si bujtinë u cilësuan nga Kolegji të paplota, ndërsa u arsyetua se lejet e ndërtimit dhe dokumentacioni nga Bashkia Tropojë ishin në kapërcim të kompetencave ligjore.

Kolegji arsyeton se ishte detyrimi i Dollapaj të kishte dokumentet për lejet e ndërtimit dhe se ai nuk kishte provuar që ato ishin zhdukur.

“Krahas praktikës administrative së dhënies së një leje zhvillimore dhe ndërtimi, për të cilën u vërtetua mungesa e dokumentacionit nga Bashkia Tropojë, investitori vetë është i detyruar të vendosë detyrimisht mbikëqyrësin e punimeve, të pajisur me licencën përkatëse, i cili për llogari të investitorit, është i detyruar të kontrollojë dhe është përgjegjës për zbatimin e punimeve të ndërtimit, në përputhje me lejen e ndërtimit, projektin, kushtet teknike të projektimit, të zbatimit, si dhe destinacionin e objektit”, thuhet në vendim.

Në vendim thuhet edhe se leja e ndërtimit dhe ajo e zhvillimit nuk ishin regjistruar në zyrën kompetente.

Kolegji po ashtu ka arsyetuar kundër pretendimeve të Dollapajt për të marrë në konsideratë dy vendime të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, në lidhje me kufizimin në kohë të procedimit të shkeljeve disiplinore. KPA arsyeton se rastet e sjella nuk ngjanin me procesin e vetingut.

“Në rastin e shkarkimit si masë disiplinore për efekt të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, natyra e shkeljeve në formën e deklarimit të paplotë, fshehjes, deklarimit të rremë apo mungesës së burimeve të ligjshme, nuk përngjan me shkeljet disiplinore të zakonshme/tipike, të cilat lidhen me kryerjen e detyrës së gjyqtarit,” thuhet në vendim.

Kolegji arsyeton se përndryshe nga shkeljet e etikës apo të disiplinës, shkeljet që lidhen me deklarimin e pasurive janë me natyrë “të vazhduar në kohë dhe krijojnë efekte të pandërprera”. KPA thotë se deklarimi i pasurisë në vite nuk është një moment i izoluar, por një zinxhir dhe çdo problem në të ndikon në vijim gjithë pasurinë e deklaruesit.

“Si shembull, pasuria e pambuluar me burime të ligjshme në njërën nga deklaratat periodike vjetore, mbetet e tillë për gjithë periudhën deklaruese për një subjekt,” thuhet në vendim.

Në përfundim, Kolegji i cilëson si të paplota deklarimet e Dollapajt për të dy pasuritë dhe i cilëson këto si shkaqe të mjaftueshme për shkarkimin nga detyra të tij.