Prokurorja e Apelit të Korçës Rozeta Qirjaqi pas vendimit të KPK. Foto:Vladimir Karaj
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Të ardhurat e bashkëshortit nga emigracioni penalizuan prokuroren Rozeta Qirjaqi

Vendimi i KPK-së për shkarkimin e prokurores së Apelit të Korçës, Rozeta Qirjaqi u bazua kryesisht në mungesën e dokumentacionit për të ardhurat e bashkëshortit si emigrant në Greqi. Qirjaqi u rrëzua edhe në kriterin e figurës, pasi nuk kishte deklaruar dënimin e nipit për lëndë narkotike.

Prokurorja e Apelit të Korçës Rozeta Qirjaqi pas vendimit të KPK. Foto:Vladimir Karaj

Prokurorja e Apelit të Korçës, Rozeta Qirjaqi u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pasi nuk e bindi treshen gjykuese se 7.7 milionë lekë të vendosura në llogari bankare nga i shoqi në fund të viteve ‘90 kishin burim të ligjshëm.

Vendimi i zbardhur së fundmi nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit tregon se Qirjaqi u gjend me disa mosdeklarime dhe pasaktësi në deklarimet vjetore, por ajo që duket se e penalizoi ishte arsyetimi i KPK-së se pavarësisht pretendimeve të saj dhe disa dokumenteve bankare nga Greqia, të ardhurat nga emigracioni të vendosura në depozita bankare në vitit 1998 nuk kishin burim të ligjshëm dhe nuk mund të konsideroheshin të tilla.

Trupa e kryesuar nga Etleda Çiftja, Roland Ilia relator dhe Firdes Shuli anëtare, arriti po ashtu në përfundimin se mosdelarimi i dënimit të nipit për akuzën prodhim dhe shitje të narkotikëve”, të kryer në bashkëpunim, penalizonte gjyqtaren në kriterin e figurës.

Rozeta Qirjaqi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në fillim të viteve ’90 dhe ka punuar si prokurore në Prokurorinë e Korçës. Në vitin 2008, ajo është emëruar prokurore e Apelit të Korçës, detyrë të cilën e kryente deri para vendimit të KPK më 8 korrik 2020.

Vendimi i KPK është kryesisht i fokusuar të një shtëpi dykatëshe e ndërtuar mbi një truall 300 metra të blerë nga Qirjaqi në vitet 90. KPK arsyetoi se ajo kishte bilanc negativ të ardhurash për blerjen e truallit në shumën 181 mijë lekë. Ndërsa nuk mori parasysh pretendimet e Qirjaqit për të ardhurat e familjes nga bujqësia.

Ndërkohë, ndërtimi i një shtëpie dy katësheve mes viteve 2004-2006 nga bashkëshorti dhe prokurorja në të njëjtin truall u gjet me një sërë problemesh. Komisioni arsyeton se Qirjaqi kishte deklaruar gabim sipërfaqen totale të ndërtimit, duke deklaruar vetëm 141 metra nga 282 që ishte në të vërtetë ndërtesa.

Komisioni po ashtu arsyetoi duke iu referuar Entit Kombëtar të Banesave se kosto e ndërtimit dhe arredimit e pretenduar si 7 milionë lekë, ishte 2.4 milion lekë më shumë. Komisioni nuk i cilësoi si provuese pretendimet e Qirjaqit se punimet ishin kryer nga bashkëshorti, kunati dhe vëllai i saj. Dhe po ashtu tha se nuk kishte dokumente për të provuar kostot.

Në këtë pikë, KPK arsyetoi se prokurores i mugonin 8.6 milionë lekë për të bërë ndërtimin. Komisoni në analizën financiare thotë se i ka cilësuar zero të ardhurat e bashkëshortit nga puna në emigracion. Qirjaqi i solli KPK-së një sërë dokumentesh që provonin tërthorazi se bashkëshorti kishte qenë emigrant në Greqi, përfshi lindjen e vajzës së tyre atje, disa dëshmi nga fqinjët dhe të dhëna të një llogarie bankare të hapur në vitit 1991 dhe një tërheqje në mbi 4 milionë dhrami nga Banka Kombëtare Greke në vitin 1997.

Por sipas KPK-së, këto nuk provonin që burimi i të ardhurave të bashkëshortit ishte i ligjshëm. Duke iu referuar vendimeve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit në raste të ngjashme, KPK vendosi të mos i merrte parasysh këto të ardhura. Ngjashmërisht KPK veproi për një shumë 1 milion lekë, që sipas prokurores i përkiste vjehrrit, 400 mijë lekë të dhuruara nga vëllai dhe të ardhura të familjes.

Provat e sjella nga Qirjaqi për të kundërshtuar këto gjetje, u konsideruar nga KPK si jo të plota, ndërsa në analizë financiare përfundimtare prokurorja u cilësua me bilanc negativ 9.2 milionë lekë.

Ndërkohë, me probleme për Qirjaqin rezultoi edhe kontrolli i figurës. Siç del nga vendimi, nipi i prokurores ishte arrestuar në vitin 2015 në Korçë për “prodhim dhe shpërndarje lëndësh narkotike” në bashkëpunim, neni 283/2 i Kodit Penal. Ai është dënuar nga Gjykata e Korçës me 4 vjet e 6 muaj burg.

Qirjaqi nuk e kishte deklaruar këtë dënim në deklaratën e Pastërtisë së Figurës. Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, nuk e ka cilësuar si shkelje këtë mosdeklarim dhe në raportin e saj, Qirjaqi konsiderohet e përshtatshme.

Por KPK arsyetoi ndryshe, ndërsa shprehet në vendim se vepra për të cilën ishte dënuar nipi i prokurores ishte në veprat e përfshira në ligjin 84/2016 që duhej të deklaroheshin.

“Vepra penale për të cilën është arrestuar dhe dënuar më pas nipi i subjektit të rivlerësimit përfshihet në kategorinë e veprave penale të parashikuara nga pika 1, e nenit 3, të ligjit nr. 10192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”…,” thuhet në vendim. Mosdeklarimi u cilësua si shkarkues.

Në fund, Qirjaqit iu vu në dukje se kishte mungesë burimesh financiare, kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm për të ardhurat, deklarim të pasaktë për pasuritë dhe nuk kishte deklaruar në deklaratën për kontrollin e figurës procedimin dhe dënimin e nipit të saj- duke vendosur shkarkimin e saj nga detyra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *