Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Prokurori i Korçës Elsion Sadiku shkarkohet nga detyra

Paqartësitë me të ardhurat dhe shpenzimet si dhe hetimi i mangët i dy rasteve të falsifikimit të dokumenteve penalizuan karrierën 15 vjeçare të Sadikut në Prokurorinë e Korçës.

Seanca dëgjimore e KPK ndaj prokurorit Elsion Sadiku | Foto nga : LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli të papërshtatshëm për pozicionin e tij prokurorin e Korçës Elsion Sadiku, i cili iu nënshtrua procesit të vetingut për shkak të kandidimit të tij për anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, institucionit të ri që do të mbikëqyrë dhe përzgjedhë prokurorët e ardhshëm.

Sadiku, i cili ka punuar si prokuror në Korçë që kur mbaroi studimet e magjistraturës në vitin 2006, pati vështirësi në shpjegimin e shpenzimeve të tij familjare për blerjen e një apartamenti dhe blerjen e pajisjeve të përdorura për klinikë dentare.

Analiza financiare e KPK-së gjithashtu ka nxjerrë dy vite ku prokurori Elsion Sadiku ka një balancë negative financiare, 279,630 lekë në vitin 2011 dhe 317,328 lekë në vitin 2013. KPK konsideron “balancë negative” rastet kur shpenzimet e deklaruara të një subjekti plus kostoja normale e jetesës në Shqipëri janë më të larta se sa të ardhurat e tij të ligjshme.

Por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zbuloi edhe dy procese hetimore që ishin përfunduar prej Sadikut me vendim pushimi hetimesh, raste për të cilat KPK gjykon se nuk janë kryer veprime hetimore të nevojshme për të vërtetuar indiciet.

Njëri nga procedimet lidhej me një denoncim të bërë në emisionin investigativ ‘Stop’ në Klan TV, në lidhje me vërtetësinë e diplomës master të dekanit të Fakultetit Ekonomik Universitet të Korçës, Frederik Çuçllari, dhe të bashkëshortes së tij Mirela Çuçllari, të cilët janë diplomuar me master në South-Ëestern University “Neofit Rilski“ , në Bllagoevgrad, Bullgari, pa ditur gjuhën me të cilën jepeshin leksionet. Prokurori Sadiku ka vendosur pushimin e çështjes, me argumentin se nuk plotësohen elementët e veprës penale të falsifikimit të dokumente shkollore dhe të shpërdorimit të detyrës. Sipas KPK-së prokurori Sadiku ka bërë hetim të paplotë sepse nuk ka përcaktuar se si çifti kishte ndjekur leksionet në bullgarisht ose anglisht, pa ditur asnjërën nga këto dy gjuhë të huaja dhe duke depozituar si provë vetëm dy certifikata – njëra për njohuri të italishtes dhe tjetra të rusishtes.

Një tjetër çështje e shqyrtuar nga KPK kishte të bënte me një denoncim të ardhur ndaj subjektit për pushim të padrejtë të një kallzimi penal të bërë ndaj dy ekspertëve për falsifikim aktesh. Prokuori Sadiku ka vendosur mosfillimin e hetimeve. Vendimi i tij është hedhur poshtë nga Gjykata e Korçës dhe nga Gjykata e Apelit Korçë. Sipas KPK-së subjekti nuk ka kryer asnjë akt për hetimin e indicieve në kallëzimin kundrejt ekspertëve.

Procesi i vetingut për prokurorin Elsion Sadiku është realizuar nga trupi gjykues i drejtuar nga Brunilda Bekteshi dhe me anëtarë Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komici.

Sadiku ka të drejtë të apelojë vendimin në Kolegjin e Pavarur të Kualifikimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *