Prokurori Kasëm Berberi (djathtas) në KPK | Foto: Edmond Hoxhaj/BIRN
KPK Lajme Veting

Prokurori Kasëm Berberi përballet me vetingun

Prokurori Kasëm Berberi i Prokurorisë së Tiranës, u përball të premten më 10 mars 2023 pa probleme domethënëse me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime më së shumti lidhur me çështjet e hetuara prej tij, të denoncuara nga publiku. Procesi i vetingut për prokurorin Berberi po kryhet nga trupa e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Genta Tafa Bungo. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishsëm Steven Kessler.

Kasem Berberi e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1977 si hetues, pas përfundimit të studimeve të larta për drejtësi, detyrë që e ka ushtruar deri në vitin 1992. Ai është rikthyer në sistem në vitin 1999 kur është emëruar si prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme ku ka mbajtur edhe detyrën e drejtorit të personelit dhe inspektimit. Prej vitit 2014, ai e ushtron funksionin pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Relatori Lulzim Hamitaj e shpreh se nuk janë gjetur probleme për një apartament me sipërfaqe 105 m2 në Tiranë, të blerë me kredi në shumën 5 milionë lekë nga ish-banka e kursimeve në vitin 2000. Sipas Hamitajt, kredia është marrë me afat 25 vjeçar dhe subjekti vijon ta shlyejë.

Berberi ka rezultuar me mundësi financiare për blerjen e një apartamenti në Durrës në vitin 2005 për çmimin 20 mijë euro. Subjekti ka deklaruar si burim krijimi të kësaj pasurie kursimet familjare në vite dhe nga analiza financiare e kryer prej vitit 1999 e në vijim, ka rezultuar se ka pasur burime të ligjshme të mjaftueshme për këtë investim.

Po ashtu, me burime të ligjshme ka rezultuar të jetë blerë edhe një apartament në Tiranë nga djali i subjektit për vlerën 40 mijë euro në vitin 2015. Subjekti ka deklaruar se për blerjen e kësaj pasurie kanë shërbyer vlerat në depozitat bankare dhe një hua në shumën 2 milionë lekë e marrë nga kunata.

Hamitaj vërejti se kunata ka pasur burime të ligjshme të mjaftueshme për dhënien e huasë nga të ardhurat e saj prej punës si pedagoge.

Po ashtu, depozitat kanë rezultuar të jenë krijuar nga shitja e një njësie që është ndërtuar dhe legalizuar nga subjekti ngjitur një objekti të privatizuar prej tij. Sipas KPK, Berberi ka pasur mundësi financiare për ndërtimin e shtesës dhe për rrjedhojë është konsideruar si burim i ligjshëm vlera e përfituar nga shitja e saj.

Pa probleme ka rezultuar edhe një njësi në Gjirokastër, e privatizuar nga subjekti në vitin 1994 dhe një truall 67 m2 i përfituar nga ALUIZNI po në këtë qytet.

Hamitaj renditi pasuri të përfituara si rrjedhojë e trashëgimisë, konkretisht nga shkëmbimi me një shoqëri ndërtuese të një sipërfaqe trualli 780 m2 të përfituar me trashëgimi nga subjekti dhe familjarët e të afërmit e tij.

Sipas Hamitajt, nuk janë gjetur indicie as për dy dyqane të përfituara në këmbim të një pasurie truall të trashëguar nga i ati.

Nga hetimi Komisionit ka rezultuar se ai ka pasur burime financiare të ligjshme për blerjen e një automjeti në vitin 2009, kundrejt çmimit 850 mijë lekë.

Hamitaj pohoi se, nga analiza financiare e përgjithshme për periudhën 2003-2016, janë konstatuar balanca negative që në total arrijnë në shifrën e rreth 400 mijë lekëve.

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka konstatuar përshtatshmërinë e subjektit për të vijuar detyrën. Megjithatë, i ka përcjellë Komisionit për verifikim një informacion për një kontakt të prokurorit Berberi me një person të dënuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Hamitaj shpjegoi se është pyetur Prokuroria e Posaçme nëse kishte ndonjë procedim për këtë person, por ky institucion ka shpjeguar se nuk ka hetim ndaj tij. Ndërsa Prokuroria e Tiranës ka informuar se Prokuroria e Posaçme ka përcjellë për kompetencë një çështje për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre, ku në materialin e referuar ka qenë dhe emri i personit të përmendur në informacionin e DSIK-së.

Hamitaj sqaroi se Prokuroria e Tiranës ka informuar se ndaj këtij personi nuk ka regjistruar procedim penal.

Bazuar në këto të dhëna, KPK ka konkluduar në vlerësim pozitiv lidhur me kriterin e pastërtisë së figurës.

Për aspektin profesional, Hamitaj relatoi më së shumti për gjetjet në çështjet e denoncuara nga publiku, për pjesën më të madhe të të cilave tha se nuk janë gjetur probleme.

Berberi dha shpjegime lidhur me një denoncim që trajtonte një kallëzim penal, për të cilin tha se ishte referuar në prokurori nga drejtoria e krimit të organizuar në Policinë e Shtetit. Subjekti e ka pushuar procedimin penal duke e konsideruar si gjë të gjykuar. Ai sqaroi se kur kishte mbërritur ky referim nga policia e kishte regjistruar menjëherë pasi objekti dukej problematik.

Berberi pohoi se kishte urdhëruar menjëherë kryerjen e veprimeve, por në vijim kishte mësuar se dy vjet më parë, i njëjti shtetas për të cilin tha se ishte person publik, kishte kryer kallëzim penal me të njëjtin objekt.

Subjekti shpjegoi se kishte marrë fashikujt e dosjes së hetuar nga një prokuror tjetër që kishte dërguar çështjen për gjykim, që ishte pranuar nga Gjykata e Tiranës dhe ishte lënë në fuqi nga Apeli.

Berberi deklaroi se bazuar në rethanat e gjësë së gjykuar kishte vendosur të paraqiste në gjykatë kërkesë për gjykim dhe kishte thirrur kallëzuesin të cilin e kishte orientuar për rrugën ligjore që duhej të ndiqte për rihapjen e çështjes. Sipas subjektit, e vetmja rrugë për rihapjen e çështjes ishte kërkesa për revokimin e pushimit të vendimit nga ana e kallëzuesit. Ai vërejti se këtë sygjerim e kishte pasqyruar edhe në kërkesën për pushim.

Kessler e pyeti subjektin se a duhej të kishte vlerësuar vetë aktet, pavarësisht se çfarë kishte vendosur kolegu i tij dhe gjykata.

Berberi ritheksoi se ashtu si kishte sqaruar në vendimin e pushimit, duhej që nga i kallëzuari të kërkohej revokimi i vendimit nëse ai zotëronte të dhëna të tjera. Sipas subjektit, edhe nëse do të kishte hetuar, do të ishte rrëzuar nga gjykata nëse nuk do të ishin ndjekur procedurat përkatëse ligjore.

Për një denoncim tjetër ku ishte konstatuar se vendimarrja e subjektit për mosfillim të hetimeve ishte shfuqizuar nga gjykata, Berberi sqaroi se kjo kishte ndodhur pasi gjykata kishte vlerësuar se aktet duhej të merreshin në formën e kërkuar nga ligji, ndërkohë që ai kishte pranuar ato të dërguara nëpërmjet email-it. Sipas subjektit, pas administrimit të këtyre akteve kishte vendosur pushimin e çështjes, që sipas tij ishte lënë në fuqi edhe nga gjykata.

Për pretendimet e një denoncuesi për kryerjen e hetimeve tej afatit ligjor, Berberi shpjegoi se bëhej fjalë për një aksident me pasoja. Ai pohoi se bënte shumë kujdes në hetimin e aksidenteve me pasoja dhe se në këtë rast kishte këruar kryerjen e një riekspertimi që kishte sjellë zgjatjen e periudhës së hetimit.

Në përfundim të seancës, prokurori Kasëm Berberi kërkoi konfirmimin e tij në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 13 mars, në orën 12:45.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *