Prokurorja Merita Selimi (djathtas) pas seancës në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme

Prokurorja Merita Selimi jep shpjegime për pasurinë dhe profesionalizmin

Prokurorja e Lushnjës, Merita Selimi u përball të martën më 25 korrik me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dhe shpjegime për burimet financiare të një apartamenti në Tiranë dhe një kredi me kushte lehtësuese, për burimet e likujditeteve, si dhe për gjetjet në kriterin profesional.

Në hyrje të godinës ku zhvillohen seancat dëgjimore, gjashtë qytetarë organizuan një mini-protestë me pankarta në duar kundër prokurores Selimi. Ata ngrinin pretendime për falsifikime të fashikujve të dosjeve, për vonesa në dhënien e drejtësisë dhe u kërkonin institucioneve të vetingut që të largojnë nga detyra të korruptuarit.

Procesi i vetingut për Selimin po kryhet nga trupa e KPK, e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Etleda Çiftjan. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.

Merita Selimi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1992 dhe prej atëherë ka punuar në Prokurorinë e Lushnjës. Së fundmi, pas konfigurimit të hartës së re gjyqësore, ajo e ushtron detyrën në Prokurorinë e Fierit.

Barra e provës për pasurinë

Gjashtë qytetarë duke protestuar ndaj prokurores Selimi. Foto: Edmond Hoxhaj.

Komisioni nuk ka gjetur probleme në një apartament në Lushnjë, ku prokurorja Selimi rezulton bashkëpronare me anëtarët e familjes së origjinës, pasuri e fituar nëpërmjet privatizimit. Po ashtu, ka rezultuar se është kryer deklarim i saktë dhe për një apartament tjetër në Lushnjë, ku bashkëshorti rezulton bashkëpronar me prindërit e tij.

Ndërkohë, asaj i është kaluar barrë prove për një tjetër apartament me sipërfaqe 87 m2, të porositur në vitin 2012, me burim kursimet dhe një kredi me kushte lehtësuese.

KPK konstaton mospërputhje në deklarimet e gjendjes cash dhe për periudhën pas vitit 2003 është konstatuar një pamundësi në shumën rreth 300 mijë lekë për kursimet.

Megjithatë, ka rezultuar se Selimi ka pasur mundësi për pagesën e këstit të parë në vitin 2010 në shumën 22 mijë euro.

Sipas Hamitajt, duket se subjekti e ka përfituar kredinë e butë në mospërmbushje të një pjese të kritereve. Nga ana tjetër, kredia është tërhequr rreth një javë pas kryerjes së pagesës së këstit të dytë të apartamentit.

Prokurorja Selimi deklaroi se ishte emëruar në Prokurorinë e Lushnjës prej vitit 1992, ku dhe kishte vijuar ushtrimin e detyrës për tri dekada. Sipas saj, kostot e jetesës në këtë qytet janë më të ulëta se në qytete të tjera të mëdha.

Ajo theksoi se kishte pasur mundësi kursimi prej vitit 1984 kur kishte filluar punë e në vijim, gjatë gjithë periudhës kur kishte jetuar pranë familjes së origjinës, si dhe më vonë pas lidhjes së martesës. Selimi deklaroi se kishte provuar me dokumentacion se 80% të pagës së saj prej vitit 1984 e kishte kursyer. Ndërkohë, pretendoi se e kishte këmbyer në monedhë të huaj vlerën e kursyer në vitin 1992, duke pasur gjendje 4000 USD.

Sipas subjektit, edhe vëllai kishte pasur mundësi të krijonte të ardhura të mjaftueshme, pasi nga privatizimi kishte përfituar një dyqan prej ndërmarrjes ku ai punonte para viteve ’90. Selimi deklaroi se i vëllai kishte punuar si rrobaqepës dhe më vonë kishte ushtruar aktivitet në këmbimin e valutës, duke krijuar të ardhura të konsiderueshme. Ajo tha se gjendej në pamundësi objektive për të siguruar dokumentacion për të ardhurat e vëllait deri në vitin 1997, kur ai ishte licensuar. Po ashtu, subjekti shtoi se dyqani i përfituar nga vëllai gjendet në qendër të qytetit dhe është dhënë prej tij me qira.

Selimi theksoi se provonte se kishte pasur të ardhura të mjaftueshme për pagesën e parë për apartamentin në Tiranë.

Lidhur me mënyrën e përfitimit të kredisë së butë, ajo shpjegoi se kishte bërë kërkesë pranë Prokurorisë së Përgjithshme për transferim në Tiranë dhe se eprorët e kishin vendosur në dijeni se ishin duke e trajtuar. Sipas subjektit, dhe bashkëshorti, mësues i lëndës së Matematikës, kishte gjetur një vend pune në kryeqytet.

Selimi sqaroi se pasi nga Prokuroria e Përgjithshme kishte mbërritur informacioni për aplikimin për kredi të butë, kishte kryer kërkesë edhe ajo, që ishte miratuar.

Subjekti pohoi se në vijim bashkëshorti e kishte humbur ofertën e punës si dhe vjehrri kishte pasur probleme shëndetësore dhe për këto arsye kishin vazhduar të jetonin dhe punonin në qytetin e Lushnjës. “Fakti se nuk është dhënë me qira tregon se ka pasur destinacion të vetëm banimin tonë,” pohoi ajo.

Nisur nga fakti se vlera e kredisë ishte tërhequr më vonë nga sa është paguar kësti dytë i apartamentit, subjekti dha shpjegime se kishte marrë një hua nga vëllai, që kishte shërbyer për dhënien e vlerës së mbetur për banesën. Megjithë pyetjet e komisionerëve dhe përgjigjet e subjektit, situata mbetej e paqartë, derisa ndërhyri relatori Lulzim Hamitaj i cili saktësoi situatën. Sipas tij, Selimi kishte depozituar kredinë për llogari të shoqërisë ndërtuese, por kjo e fundit e kishte kthyer prapa pasi kërkonte pagesë në euro.

Sipas Hamitajt, në këtë moment subjekti ka marrë huanë në monedhën euro prej të vëllait kambist dhe ia ka dhënë shoqërisë. Më pas, me vlerën në lekë, e kthyer nga kompania, i ka dhënë të vëllait borxhin e marrë. Megjithatë, ai tha se borxhi i vëllait është marrë në konsideratë me rezervë, pasi nuk është deklaruar më parë.

Selimi e konfirmoi këtë version të fundit të paraqitur nga Hamitaj. Lidhur me bilancin negativ për kursimet, ajo tha se shuma prej rreth 300 mijë lekësh nuk mund të sillte penalizim.

Si burim për blerjen e një automjeti në vitin 2009 kundrejt çmimit 300 mijë lekë, Selimi ka deklaruar të ardhurat nga shitja e një makine tjetër. KPK konstaton se makina e mëparshme është shitur për çmim më të lartë nga sa ishte blerë, ndërkohë që nuk janë vërtetuar me dokumentacion shpenzime për përmirësimin e atij automjeti. Bazuar në këto të dhëna, si burim është konstatuar vlera e blerjes. “Duket pa logjikë shitja e mjetit më shtrenjtë, pas 3 vjet përdorimi”, pohoi Hamitaj. Megjithatë, ka rezultuar mjaftueshmëri për krijimin e kësaj pasurie.

Bilanci negativ më i madh është gjetur në krijimin e likujditeteve. Për obligacionet në shumën 2 milion lekë, subjekti ka deklaruar si burim kursime dhe kredinë e butë. Nga analiza financiare ka rezultuar pamundësi për këtë investim. Edhe për një vlerë 2.8 milionë lekë gjendje në llogari rrjedhëse, subjekti ka deklaruar të njëjtat burme krijimi, kursimet dhe kredinë.

Për shkak të mosdeklarimit të pakësimit të gjendjes cash në vitin kur janë krijuar likujditetet, Komisioni nuk e ka konsideruar mundësinë e kursimit, ng aka rezultuar pamundësi financiare në shumën 2.8 milionë lekë.

Nga analiza financiare e përgjishme është konstatuar një bilanc negativ total në vlerën 3.1 milionë lekë.

Selimi këmbënguli se ajo kishte pasur burime financiare të mjaftueshme për krijimin e likujditeteve. Ajo tha se mosdeklarimi i pakësimit të gjendjes cash ka qenë i paqëllishëm. Subjekti argumentoi se nuk ka krijuar pasuri të tjerë dhe për rrjedhojë kursimet kanë shërbyer për likujditetet.

Po ashtu, ajo e cilësoi si lapsus deklarimin si burim të likujditeteve kursimet dhe kredinë. Por, vëzhguesi ndërkombëtar, Francesco Ciardi vërejti se lapsus mund të ndodhë në shënimin e një shifre, dhe jo në deklarimin e përsëritur të një burimi financiar që ka shërbyer për krijimin e pasurive.

Sipas Selimit, Kredia ishte përdorur vetëm për apartamentin. Ajo e cilësoi të drejtë konstatimin e Ciardit, por tha se kishte ndodhur në mënyrë të paqëllimshme, për inerci.

Figura dhe profesionalizmi

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, AKSIK ka konstatuar përshtatshmëri për Selimin. Në vijim ka depozituar në KPK informacione shtesë ku ngriheshin dyshime për veprime të kundëlrigjshme e korruptive në disa çështje penale.

Hamitaj shpjegoi se Komisioni ka kryer hetim të thelluar për këto informacione. Nga verifikimi dy çështjeve të verifikuara ka rezultuar se subjekti nuk i ka hetuar dhe se nuk ka lidhje me ato çështje.

Prokurorja Selimi deklaroi se kishte menduar se do të ndihej më e sigurtë në kriterin e figurës, pasi për rreth 31 vjet që ka punuar në sistemin e drjetësisë, nuk kishte pasur asnjë ankesë në aspektin profesional.

Në dosjet e analizuara në drejtim të aspektin profesional, janë konstatuar pretendime të një qytetari për pezullim të çështjes nga ana e subjektit, kur ajo nuk ishte drejtuese.

Subjekti shpjegoi se ajo kishte nënshkruar për ciklimin e dokumenteve, pasi dosja do të dërgohej në sekretari për qepje.

Lidhur me 11 denoncimet e kryera nga publiku pranë KPK, Hamitaj tha se një pjesë e tyre nuk i plotësojnë kriteret. Në dy prej denoncimeve të verifikuara janë ngritur pretendime për zvarritje të hetimeve. Sipas Hamitajt, në një rast hetimi është shtyrë katër herë dhe nuk janë njoftuar palët.

Prokurorja Selimi deklaroi se kishin pasur ngarkesë të madhe në punë për shkak të vakancave të krijuara nga shkarkimi kolegëve. Ajo tha se pretendimet e ngitura në denoncime ishin ndepozituar dhe në ILD që nuk kishte konstatuar probleme. Sipas subjektit, nuk ka pasur zgjatje të panevojshme si dhe palët janë njoftuar për dërgimin e çështjes për gjykim.

Në përfundim, prokuoria Merita Selimi kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 27 korrik, në orën 09:30.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *