Trupa gjyqësore që po kryen vetingun e gjyqtarit Sami Ujkashi. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme

KPK gjen probleme në të tre kriteret për gjyqtarin Sami Ujkashi

Pasi mungon prej dhjetorit 2022 në seancat dëgjimore të Këshillit të Lartë Gjyqësor lidhur me një procedim disiplinor, gjyqtari i Kukësit, Sami Ujkashi mungoi të martën edhe në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për të dhënë shpjegime lidhur me gjetjet në procesin e vetingut.

Procesi i rivlerësimit për Ujkashin po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Firdes Shuli, me relatore Valbona Sanxhkatarin dhe anëtar Olsi Komicin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Gerrit Sprenger.

Sami Ujkashi e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë si avokat, ndërsa në vitin 2010 u emërua gjyqtar në Gjykatën e Tropojës. Ai u pezullua në vitin 2011 për t’u rikthyer në punë në 2014-ën. Aktualisht e ushtron funksionin në gjykatën e juridiksionit të përgjithshëm të Kukësit.

Prej dhjetorit 2022, Ujkashi po përballet me një procedim disiplinor të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, i cili kërkon pezullimin e tij nga detyra. Hetimi disiplinor ka nisur për shkelje të legjislacionit material dhe cënim të imazhit të magjistratit përmes një vendimi për ulje dënimi dhe lirim në kundërshtim me ligjin të një personi të dënuar me 15 vjet burg – probleme që u konstatuan dhe prej Komisionit.

Relatorja Sanxhaktari evidentoi disa herë se gjyqtari Ujkashi nuk ka kthyer përgjigje për barrën e provës.

Mungesat financiare

Sanxhaktari evidentoi se subjekti ka deklaruar vlera të ndryshme për një apartament me sipërfaqe 116 m2 në Shkodër të blerë në vitin 2008. Në deklaratën veting ka deklaruar çmimin 56 mijë euro dhe si burim ka deklaruar një kredi 50 mijë euro dhe të ardhurat. Nga analiza ka rezultuar pamundësi për shumën 6000 euro.

Në vitin 2011 ka deklaruar si çmim vlerën 78 mijë euro, ku për shumën e pambuluar nga kredia ka deklaruar të ardhurat, kryesisht ato nga emigracioni. Sipas KPK, subjekti nuk ka arritur të vërtetojë të ardhurat nga emigracioni.

Sipas Sanxhaktarit, subjekti ëstë përpjekur të paraqesë në mënyrë të pasaktë pasurinë për shkak të pamundësisë financiare. Ajo theksoi se Ujkashi nuk ka dhënë shpjegime për barrën e provës që i ëstë dërguar lidhur me këtë pronë.

Subjekti ka deklaruar se i ka dhënë të atit një hua në shumën 80 mijë euro, me interes 7%, me qëllim blerjen e një dyqani. Relatorja konstatoi se nuk ka asnjë gjrumë të të ardhurave nga emigracioni të deklaruara si burim krijimi të kësaj shume. Nga analiza financiare ka rezultuar se Ujkashi nuk ka pasur mundësi financiare për krijimin e kësaj vlere monetare.

Në vijim u konstatua se bashkëshortja e subjektit nuk ka pasqyruar në deklaratën “veting” dy llogari rrjedhëse, një prej të cilave në euro ku rezulton që sajo të ketë kryer transaksione të shumta në vlera të konsiderueshme. Sipas Komisionit, këto transaksione janë kryesisht për marrdhënie biznesi dhe dyshohet se janë kryer nëpërmjet llogarive personale të bashkëshortes me qëllim për të shmangur detyrimet e aktivitetit privat.

Nga analiza financiare e përgjithshme kanë rezultuar pamundësi në vlera të mëdha, konkretisht bilanc negativ në shumën 25 mijë euro për apartamentin në Shkodër, pamundësi në vlerën 80 mijë euro për huanë, si dhe 3.4 milionë lekë të tjera në analizën e kryer gjatë periudhës së ushtrimit të detyrës.

Sanxhaktari pohoi se subjekti është telefonuar që të aksesonte postën elektronike për t’u njohur me të dhënat e hetimit administrativ paraprak, por megjithëse ai ka marrë dijeni nuk ka kthyer përgjigje.

Figura dhe profesionalizmi

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, AKSIK nuk ka dalë me një qëndrim përfundimtar lidhur me figurën e gjyqtarit Sami Ujkashi, duke e lënë në dorë të Komisionit që të vlerësonte informacionet e siguruara nga institucionet ligjzbatuese.

Komisioni ka verifikuar çështjet në të cilat janë ngritur dyshime se subjekti ka favorizuar të pandehurit. Në tre çështje ka rezultuar se Ujkashi ka vendosur lehtësimin e masave të sigurisë për tre të dyshuar, nga “arrest në burg”, në “arrest shtëpie”. Në një rast, Ujkashi ka shpallur të pafajshëm një të pandehur për prodhim e shitje narkotikësh, vendimarrje që është rrëzuar nga Apeli që e ka deklaruar fajtor dhe e ka dënuar me burg.

“Konstatohet se indiciet janë në përputhje me provat”, pohoi Sanxhaktari dhe ritheksoi se subjekti nuk ka dhënë shpjegime dhe pse i janë njoftuar këto gjetje.

KPK ka gjetur probleme dhe në aspektin profesional. në një nga dosjet e shortuara është konstatuar se mungojnë aktet e njoftimit të palëve.

Kur subjekti ushtronte detyrën në Gjykatën e Tropojës, ndaj tij është kryer ankesë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për dy vendimarje për lirime me kusht. Sipas Sanxhkatarit, ka dyshime të arsyeshme se subjekti në vendimarrje nuk i është referuar ligjit përkatës, duke sjellë lirimin para kohe të të dënuarve.

Po ashtu, ndaj Ujkashit ka pasur ankesa nga Prokurori i Përgjithshëm për dy vendime lidhur me praktikat e ekstradimit. Sipas Saanxhaktarit, vendimet e subjektit janë rrëzuar nga Apeli.

Po ashtu, në një rast tjetër Apeli ka ndryshuar vendimin e Ujkashit që kishte pezulluar dënimin e një të pandehuri nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda.

“Provohet shkelja disiplinore”, pohoi Sanxhaktari dhe renditoi gjetjet e tjera për probleme në kriterin profesional.

Sipas Relatores, ka rezultuar se Ujkashi ka marrë vendim në favor të një shoqërie që ndërtonte një hec, megjithëse Gjykata e Apelit Administrativ, bazuar në kërkesëpadinë e banorëve të Tropojës dhe të shoqatës “Toka”,  kishte pezulluar punimet.

“Subjekti ka disponuar për sigurimin e padisë, kur në fakt nuk ka pasur një padi. Vendimarrja e subjektit është në dëm të interesit publik dhe në kushtet e shkeljes disiplinore”, pohoi Sanxhaktari.

Ndaj gjyqtarit Ujkashi janë depozituar në Komision 6 denoncime nga publiku, ku në një vendimarrje të subjektit, KPK ngre dyshime për favorizim të një të pandehuri.

Në përfundim, Sanxhaktari ripërsëriti faktin se Ujkashi ishte njoftuar për gjithë rezultatet e hetimit si dhe për datën e sencës dëgjimore, por se ai nuk ka kthyer përgjigje. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 28 korrik, në orën 09:30.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *