Gjyqtari Taulant Tafa pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: BIRN.
Analiza KPK

KPK me dy vlerësime për gjyqtarin Taulant Tafa

Gjyqtari i Elbasanit, Taulant Tafa u shkarkua nga detyra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit më 24 prill 2023, pasi u konkludua se kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë dhe rezultoi me bilanc negativ në vlerë të madhe. Gjetjet në kriterin e pastërtisë së figurës dhe aspektit profesional u trajtuan në vlerësimin tërësor, në drejtim të cënimit të besimit të publikut tek drejtësia. Shkarkimi i Tafës u vendos me votat e relatores Xhensila Pine dhe anëtares Firdes Shuli, ndërsa kryesuesi Olsi Komici doli në pakicë duke çmuar se nuk u krye hetim i plotë për pasurinë dhe se gjetjet për dy kriteret e tjerë nuk mund të sillnin penalizim.

Taulant Tafa e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit të Elbasanit. Në korrik 2022, Tafa u përball me një procedim disiplinor në Këshillin e Lartë Gjyqësor për vendimin e tij për uljen e dënimit me 720 ditë për Arben Grorin. Inspektori i Lartë i Drejtësisë argumentoi se vendimi kishte favorizuar të dënuarin për vrasje dhe kërkoi shkarkimin e Tafës, por KLGJ vendosi atëherë masën e pezullimit 3-mujor për subjektin.

Problemet me pasurinë

Tafa ka deklaruar se ka përfituar me trashëgimi ligjore si trashëgimtar i të atit, 1/3 e një banese dy kate + bodrum + nënçati 101/kati dhe truall në Elbasan, ndërsa 2/3-at e kësaj pasurie i ka përfituar me dhurim nga nëna dhe motra në vitin 2011.

KPK konkludon se subjekti nuk ka arritur të provojë pretendimet se një kredi ka shërbyer për krijimin e kësaj pasurie, pasi shuma është përfituar dhe tërhequr rreth katër muaj pas përfundimit të punimeve të banesës. Për rrjedhojë, ka rezultuar bilanc negativ në vlerën 1.6 milion lekë, që është vlerësuar prej shumicës se e vendos Tafën në kushtet e pamjaftueshmërisë së burimeve të ligjshme për të justifikuar ndërtimin e banesës së deklaruar.

Komici në pakicë shprehet se, pavarësisht se në dokumentin e kredisë është pasqyruar si qëllim i marrjes së saj rikonstruksioni i banesës, ky përcaktim nuk ka logjikë, për sa kohë që objekti kishte përfunduar si në aspektin teknik të ndërtimit, ashtu edhe në aspektin ligjor me regjistrimin e tij. Sipas tij, krijohet bindja se kredia e marrë në vitin 2004, ka pasur si qëllim vetëm kryerjen e pagesave për përfundimin e objektit ose shlyerjen e detyrimeve për punime të kryera nga subjekti ndërtues. Ai kërkon që kredia të përfshihet në analizë, ç’ka do të përmbyste bilancin negativ.

Problemet më të shumta në kriterin pasuror, Komisioni i ka gjetur në transaksionet e blerjes dhe shitjes së një bodrumi me sipërfaqe 194 m2 në Elbasan, në vitin 2004.

Subjekti ka deklaruar se këtë pasuri e ka blerë në bashkëpronësi me shtetasin D.D, kundrejt shumës 14 milionë lekë, me pjesë takuese ½-at secili. Po ashtu, ka deklaruar se në mars të vitit 2005 ka marrë një hua 6 milionë lekë nga shtetasi D.D. me afat 3 vjeçar, që ka shërbyer si burim për këtë pasuri.

Pasi KPK i ka kërkuar të vërtetojë burimin e ligjshëm të huasë, subjekti ka sqaruar se huadhënësi ka qenë për një periudhë kohe emigrant në shtetin italian dhe në emigracion kishte siguruar edhe të ardhura që u përdorën pjesërisht në blerjen e bodrumit. Sipas tij, D.D. ka kryer punë “në të zezë” pasi nuk është regjistruar nga punëdhënësi për mungesë dokumentacioni. Tafa ka theksuar se në këto kushte është objektivisht është e pamundur të sigurohet dokumentacion provues në lidhje me të ardhurat e siguruara prej tij nga emigracioni në shtetin italian.

Ai ka shtuar se kur huadhënësi është kthyer në Shqipëri, nga viti 2005 e në vijim, merrej me aktivitet privat “bar-kafe”, si dhe me “grumbullimin e bimëve mjekësore” së bashku me një të afërmin e tij që e ka pasur këtë aktivitet të regjistruar prej vitesh.

Nga hetimi i KPK për të ardhurat nga aktiviteti huadhënësit ka rezultuar se ai nuk ka qenë asnjëherë pjesë e ortakëve, aksionerëve apo administratorëve të shoqërisë së të afërmit të tij. Në këto kushte, pretendimi mbi të ardhurat e huadhënësit nga aktiviteti tregtar ka mbetur i paprovuar me dokumentacion ligjor dhe për rrjedhojë huaja në shumën 6 milionë lekë nuk është përfshirë në analizën e treguesve financiarë për krijimin e kësaj pasurie.

Subjekti ka deklaruar si burim për bodrumin edhe një kredi në shumën 5 milionë lekë të marrë në vitin 2005 së bashku me ortakun e tij D.D.. Por, nga verifikimi KPK ka rezultuar se pasuria është blerë rreth 2 muaj para disbursimit të kredisë.

Në një procesverbal të mbajtur në ILDKPKI në janar të vitit 2015, subjekti i rivlerësimit ka deklaruar se ka paguar 1 milion lekë nga kredia e marrë dhe se pjesa tjetër është shfrytëzuar nga ortaku për rregullimin e bodruimit që e ktheu në lokal.

Referuar të dhënave për kohën e disbursimit të kredisë, si dhe deklarimit të subjektit në ILDKPKI, Komisioni ka vlerësuar se rezulton e provuar nga dokumentacioni ligjor provues se kjo kredi nuk mund të ketë shërbyer për pagimin e çmimit të bodrumit.

Ndërkohë, nisur nga fakti që subjekti nuk ka deklaruar kursime të mbartura deri dhjetor të 2007-ës, duket se ka qenë në pamundësi për shlyerjen e pjesës së tij takuese në kredinë e mbetur.

Nga analiza financiare e kryer nga shumica, ka rezultuar se Tafa ka qenë në pamundësi në shumën 6.9 milionë lekë për të paguar pjesën e tij takuese në bodrumin e blerë në vitin 2005 për shumën 14 milionë lekë.

Në vitin 2008, Tafa ka deklaruar shitjen e bodrumit me sipërfaqe 194 m2në shumën 200 mijë euro, me pjesë takuese ½-at, duke deklaruar si të ardhura vlerën 100 mijë euro. Në rubrikën e detyrimeve financiare ka deklaruar shlyerjen e detyrimit ndaj shtetasit D.D, në shumën 6 milionë lekë.

Gjatë hetimit administrativ, subjekti ka deklaruar se vlera prej 200 mijë euro është dhënë dorazi nga blerësi jashtë zyrës noteriale. Por shumica e trupës së KPK i konsideron jo bindëse këto shpjegime, pasi nuk është depozituar asnjë provë ligjore apo financiare lidhur me këtë pohim të tijin.

Në përfundim të hetimit paraprak, Komisioni i ka kaluar subjektit barrë prove për këtë pasuri për pamundësi fianciare në investimin e pjesës së tij takuese, pasi rezulton me bilanc negativ në shumën 6.9 milionë lekë; për pamundësi financiare për shlyerjen e pjesës takuese së tij takuese prej 15 mijë e 400 euro; për mosdeklarim në deklaratën “veting” të shumës 100 mijë euro, si e ardhur e përfituar nga shitja e pjesës takuese të bodrumit.

Po ashtu, KPK i ka kërkuar të povojë se nuk gjendet në kushtet e fshehjes së pasurisë lidhur me të ardhurat nga shitja e kësaj pasurie.

Edhe pas shpjegimeve të subjektit, shumica çmon se nuk janë kundërshtuar barrat e provës për këtë pasuri.

Komici në pakicë e konsideron të paplotë hetimin administrativ në lidhje huadhënien e nga shtetasi D.D.. Ai ka kërkuar që në hetim të përfshihet një deklaratë noteriale, ku përcaktohet se huadhënësi D.D., shumën 6 milionë lekë dhënë subjektit, e kishte marrë vetë hua nga një person tjetër. Sipas pakicës, Tafa e ka zbehur balancën financiare negative në kufij të pranueshëm, për të cilën duhej mbajtur në konsideratë parimi i proporcionalitetit.

Shumica konstaton se banesa dhe bodrumi rezultojnë të jenë ndërtuar nga një shoqëri me ortak të vetëm, shtetasin P.K., që ka qenë palë ndërgjyqëse në një çështje të gjykuar nga Tafa.

KPK vëren se subjekti ka pasur marrdhënie me interesa preferencialë ekonomikë të vërtetuara nga hetimi, si dhe marrëdhënie miqësie me P.K., të deklaruara nga vetë subjekti. Për rrjedhojë, shumica vlerëson se Tafa është gjendur në situatën e konfliktit të interesit në këtë vendimarrje.

KPK ka evidentuar dhe raste të tjera të ngjashme të konfliktit të interesit. Në vitin 2019, Tafa ka përdorur një automjet në pronësi të shtetasve K.B. dhe V.B., ndërkohë që në 2012-ën ka gjykuar një çështje penale ndaj një prej bashkëpronarëve të makinës, për veprat penale “plagosje e rëndë në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake” dhe kanosje.

Po ashtu, subjekti ka rezultuar në konflikt interesi në gjykimin e një çështje ku palë ka qenë një shoqëri me administratorin e të cilës ka pasur shoqëri, si dhe ka përdorur automjetin në pronësi të asaj kompanie.

Tafa ka ka deklaruar blerjen e një automjeti në vitin 2012 kundrejt shumës 1000 euro. Nga hetimi Komisionit ka rezultuar se mjeti në fjalë, pas hyrjes në Durrës nga Italia më 6 korrik 2011, ka hyrë rishtas në pikën kufitare Qafë-Thanë më 12 shtator të vitit 2013, ndërkohë që zhdoganimi është kryer një ditë më vonë.

Subjekti ka shpjeguar se mënyra më e mirë për t’u siguruar që mjeti nuk kishte probleme jashtë shtetit, ishte që të kalonte në një pikë doganore, ku më e afërta ishte ajo e kalimit kufitar Qafë-Thanë.

Por, KPK konkludon se Tafa nuk arriti të shpjegojë se si arriti të realizojë daljen e makinës nga territori shqiptar dhe më pas hyrjen. “Kjo procedurë e zgjedhur dhe shpjeguar nga subjekti si mënyra më e mirë për t’u siguruar që mjeti i blerë prej tij nuk kishte probleme, ishte në shkelje të legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë”, konstaton shumica dhe vlerëson se veprimet e Tafës nuk shërbejnë në krijimin e besimit të publikut tek drejtësia.

Ndërsa Komici argumenton se në atë kohë kalimi në një pikë doganore ka qenë e vetmja mënyrë që automjeti të testohej.

Sipas shumicës, nga analiza financiare e përgjithshme për periudhën 2003-2016, Tafaj ka rezultuar me bilanc negativ në vlerën totale 11 milionë lekë dhe për rrjedhojë gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm. Pakica konsideron se subjekti e ka rrudhur mjaftueshëm bilancin negativ, sa të mund të përdoret parimi i proporcionalitetit.

Figura dhe profesionalizmi

Në raportin e përditësuar për pastërtinë e figurës, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka konstatuar se ndaj gjyqtarit Tafa disponohen të dhëna ku ngrihen dyshime për përfshirje në veprime korruptive dhe ushtrim ndikimi të paligjshëm në disa procese gjyqësore.

Nga hetimi i KPK nuk janë kontatuar kontakte të papërshtatshme me ndonjë person të përfshirë në krimin e organizuar, por janë gjetur probleme në çështje të shqyrtuara nga Tafa për të cilat ka raportuar informacione DSIK.

Për një vendim penal të vitit 2022 të dhënë nga subjekti për dhunë në familje, trupi gjykues vlerëson se Tafa është gjetur në zbatim të gabuar dhe në kundërshtim me kërkesat e ligjit penal material dhe procedural. Sipas KPK, pas verifikimit të kësaj çështje, krijohet bindja se informacionet e DSIK-së ishin të bazuara në fakte e rrethana konkrete.

KPK ka arritur të njëjtin konkluzion edhe për një vendimarrje të vitit 2018 dhe një vendim të vitit 2005, ku në këtë të fundit subjekti ka qenë anëtar i treshes gjykuese.

Në përfundim KPK konkludon se, edhe nëse përfundimet e arritura në këtë kriter nuk do të ishin të mjaftueshmë për ta pasur një konkluzion lidhur me kontrollin e pastërtisë së figurës së subjektit, çmohet se mospërmbushja e rregullt e detyrës nga subjekti i rivlerësimit cenon pastërtinë e figurës dhe shkallën e besueshmërisë së tij.

Edhe gjetjet në kriterin profesional janë çmuar në vlerësimin e përgjithshëm, në drejtim të cënimit të besimit të publikut tek drejtësia. “Trupi gjykues vlerëson se edhe nëse mangësitë e konstatuara në vendimet e analizuara të subjektit, në dosjet e shortuara nuk do të mjaftonin për të kualifikuar subjektin të paaftë profesionalisht, sipas parashikimit të nenit 61, pika 4 e ligjit nr. 84/2016, referuar problematikave dhe mangësive të evidentuara, në një vlerësim tërësor të rrethanave dhe procedurave ato do të ishin të mjaftueshme për të arritur në konkluzionin se subjekti i rivlerësimit ndodhet në kushtet e parashikimeve të pikës 5 të nenit 61 të ligjit nr. 84/2016”, citohet në vendim dhe renditen konstatimet për situata të konfliktit të interesit në shqyrtimin dhe vendimarrjet për disa çështje, si dhe gjykime në zbatim të gabuar e në kundërshtim me kërkesat e ligjit penal material dhe procedural.

Komici në pakicë vlerëson se nuk ka elemente të bindëse për ta penalizuar subjektin për figurën, dhe shton se ai ka arritur nivel minimal në aspektin profesional. Edhe problemet e konstatuara në të tre kriteret, të trajtuara në vlerësimin tërësor në drejtim të cënimit të besimit të publikut tek drejtësia, sipas Komicit nuk arrijnë në atë nivel sat ë aplikohet shkarkimi.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *