Skeda e pasurisë së deklaruar –Ejona Lazellari – Gjykata e Fierit
KPK Skeda

Skeda e pasurisë së deklaruar –Ejona Lazellari – Gjykata e Fierit

Gjyqtarja Ejona Lazellari e Gjykatës së Fierit do të përballet të mërkurën më 21 qershor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i saj i vetingut po kryhet nga trupa e përbërë nga Xhensila Pine, Brunilda Bekteshi dhe Pamela Qirko.

Ejona Lazellari përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2013 dhe punoi për dy vjet si gjyqtare pranë Gjykatës së Tiranës. Prej vitit 2015, Lazellari e ushtron funksionin në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë familjare të gjyqtares Ejona Lazellari nga viti 2013 deri në fund të vitit 2019. [Kliko për skedën në PDF].

Skeda e pasurisë familjare të deklaruar nga gjyqtarja Ejona Lazellari.

Në deklarimin për herë të parë në vitin 2013, gjyqtarja Ejona Lazellari deklaronte pasuri me vlerë 8 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2019, pasuria e saj familjare kap vlerën e 16.7 milionë lekëve.

Znj. Lazellari zotëron familjarisht pasuri të paluajtshme me vlerë 7.7 milionë lekë, likujditete bankare prej 6.3 milionë lekësh si dhe automjete me vlerë 2.6 milionë lekë.

Të ardhurat familjare për periudhën e deklarimit janë 20.3 milionë lekë, nga të cilat gati 36% kanë si burim pagën e subjektit, 35% pagat e familjarëve, 2.1% nga shitja e pasurive të patundshme si dhe 26% nga burime të ndryshme si qiraja apo kontributi i babait të subjektit.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 7 vite të deklarimit, asnjë prej deklaratave nuk rezultoi me probleme.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamuj të kuq” deklarimet e paplota mbi pronat e familjes së subjektit si dhe burimet e deklaruara për blerjen e një apartamenti.

Në deklarimin Para Fillimit të Detyrës, subjekti Ejona Lazellari deklaron të ardhura mujore nga qeraja mbi pasurinë e paluajtshme “magazinë”, me kontratë qeraje 10 vjeçare regjistruar në ZRPP. Shuma e qerasë mujore është 1,500 euro. Përveç të ardhurave nga qeraja (kontratë e cila revokohet në vitin 2016), subjekti nuk deklaron të dhëna të tjera lidhur me pronësinë dhe vlerën e krijimit të kësaj pasurie.

Në vitin 2014 deklarohet blerja e apartamentit me sipërfaqe 66.6m2 dhe verandë 34.56 m2 në bashkëpronësi me bashkëjetuesin Laurent Fuçia dhe me burim krijimi një kredi bankare 40,000 euro si dhe 15,000 euro, të cilat subjekti i ka disponuar nga babai i saj. Kjo kredi është shlyer plotësisht në vitin 2016 me të ardhurat nga babai i subjektit, të cilat nuk është e deklaruar qartazi nëse janë dhuratë apo hua.

Deklarata Para Fillimit të Detyrës

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Deklarata e pasurisë së vitit 2018

Deklarata e pasurisë së vitit 2019

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *