Kolegji i Posaçëm i Apelimit Lajme

Shkarkimi i Altina Xhoxhaj bëhet përfundimtar, konfirmohet në KPA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të konfirmojë shkarkimin e ish-anëtares së Gjykatës Kushtetuese Altina Xhoxhaj. Xhoxhaj u shkarkua nga KPK për “cënim të besimit të publikut te drejtësia” dhe “deklarim të pamjaftueshëm” në kriterin e pasurisë.

Altina Xhoxhaj pas seancës dëgjimore të 23 prillit. Foto: Malton Dibra/LSA

Pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të mërkurën Kolegji i Posaçëm i Apelimit, vendosi të konfirmoj vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese Altina Xhoxhaj. Ashtu si në rastet e tjera të ngjashme KPA, nuk e ka kaluar çështje në seancë publike dhe nuk ka rihapur hetim, por ka vendosur bazuar në provat e hetimit të bërë nga KPK.

Trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, kryesuar nga Ina Rama, relator Ardian Hajdari dhe anëtarë Albana Shtylla, Luan Daci, Natasha Mulaj vendosi unanimisht për shkarkimin e Xhoxhajt.

“Në përfundim të gjykimit, bazuar në pikat 3 dhe 5 të nenit D të Aneksit të Kushtetutës, në pikat 3 dhe 5 të nenit 61 të  ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, nenin 66 pika 1, germa “a” të​ ligjit nr.84/2016, trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit vendosi unanimisht:  Lënien në fuqi të vendimit nr. 17, datë 03.05.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që i përket subjektit të rivlerësimit Altina Xhoxhaj”, thuhet në njoftimin e bërë publik nga KPA.

KPA ndërkohë ishte unanime në vendim, ndryshe nga KPK ku pati një mendim pakice sipas të cilit Xhoxhaj duhej të konfirmohej.

Lexo edhe:

Altina Xhoxhaj ishte një ndër katër anëtarët Gjykatës Kushtetuese që u shkarkua në procesin e vetingut. Fatos Lulo, Fatmir Hoxha dhe Gani Dizdari po ashtu u shkarkuan nga KPK dhe për dy të parët vendimi u konfirmua edhe në KPA. Më herët nga gjykata ishin larguar përmes dorëheqjes Vladimir Kristo, Sokol Berberi dhe para procesit të rivlerësimit Bensik Imeraj.

Vetëm dy nga anëtarët e Kushtetueses kaluan procesin e rivlerësimit. Vitore Tushe e cila u konfirmua në detyrë dhe vendimi mori formë të prerë dhe kryetari i saj Bashkim Dedja, ndaj të cilit ka një apelim prej Komisionerit Publik.

Xhoxhaj u zgjodh anëtare e Gjykatës Kushtetuese në vitin 2010, ndërsa më herët ka punuar si juriste në Ministrinë e Drejtësisë, si gjyqtare në Gjykatën e Tiranës, anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në vitet 2006-2010 dhe lektore në Shkollën e Magjistraturës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *