Prokurori Milan Laskaj pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Analiza KPK

Shkarkimi i prokurorit Milan Laskaj për probleme të pasurisë dhe besimit te drejtësia

Prokurori i Tiranës, Milan Laskaj, u shkarkua nga detyra më 27 mars prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, pasi u konkludua se ai ka kryer fshehje të pasurisë, se ka munesë të burimeve financiare për të justifikuar krijimin e tyre, si dhe se ka kryer deklarim të pasaktë e të pa mjaftueshëm në këtë kriter. Konstatimi për fshehje pasurie është konsideruar dhe në vlerësimin tërësor së bashku me probleme të veprimtarisë së subjektit në cilësinë e drejtuesit të Prokurorisë së Lezhës, duke u çmuar se Laskaj gjendet në kushtet e cënimit të besimit të publikut. Ndërkohë, ai u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës.

Procesi i rivlerësimit kalimtar për prokurorin Milan Laskaj u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Alma Faskaj, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Xhensila Pinen.

Milan Laskaj e filloi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 si prokuror në Prokurorinë e Tropojës. Në vijim ai ka punuar në Prokuroritë e Elbasanit dhe Lezhës ku ka qenë edhe në funksionin e drejtuesit. Së fundmi u transferua në Tiranë ku e ushtroi funksionin deri në momentin e shkarkimit nga detyra.

Problemet për pasurinë

Si burime krijimi për një apartament me sipërfaqe 91.4 m2 të porositur në shkurt të vitit 2011, subjekti ka shënuar në deklaratën veting të ardhurat e tij si prokuror, duke sqaruar gjithashtu se në korrik të atij viti ka marrë kredi në shumën 800 mijë lekë, si dhe një overdraft 200 mijë lekë.

Ndërsa në vitin 2011 ka deklaruar se apartamentin e ka blerë për 38 mijë euro, nga të cilat ka shlyer 30 mijë euro me burim të ardhurat e tij vjetore nga paga dhe dietat; kredi në shumën 800 mijë lekë; overdraft 200 mijë lekë dhe dy hua nga 5000 euro, të marra në janar të atij viti.

Kur është pyetur në ILDKPKI në vitin 2016 në lidhje me kontratën e sipërmarrjes të 19 shkurtit 2011, subjekti ka shpjeguar se po në atë datë ka revokuar një kontratë të mëparshme për një apartament me sipërfaqe më të vogël dhe se shuma 10 mijë euro e paguar si kapar në 2010-ën, është konsideruar në vlerën 30 mijë euro të paguar në 2011-ën për apartamentin 91.4 m2.

I pyetur për këto mospërputhje, Laskaj ka shpjeguar se shuma 10 mijë euro e kaparit për apartamentin e porositur në vitin 2010, është paguar përgjatë periudhës 2009-2010, e ndarë në këste. Ai ka pretenduar se për kryerjen e kësaj pagese ka shërbyer edhe një hua në shumën 3000 euro.

Nga hetimi ka rezultuar se subjekti nuk ka deklaruar pagesë në vitin 2009 për kaparin dhe për rrjedhojë në analizën financiare është reflektuar si shpenzim në vitin 2010, e gjitha shuma 10 mijë euro.

Pasi shuma 3000 euro e pretenduar se është marrë hua në 2010-ën, nuk është deklaruar atë vit, por si burim për kaparin janë deklaruar vetëm të ardhurat e tij, KPK ka vlerësuar të mos e konsiderojë në analizën financiare për pagesën e shumës 10 mijë euro. Për rrjedhojë ka rezultuar pamundësi për pagesën e kaparit në vitin 2010.

Nga hetimi i kryer ka rezultuar se kredia e marrë në Credins Bank dhe overdraft-i, të deklaruara si burime për apartamentin e porositur në shkurt të 2011-ës, nuk mund të kenë shërbyer si burim krijimi i kësaj pasurie. Kjo, pasi kredia është marrë më vonë, ndërsa overdraft-i nuk është tërhequr në datën e pagesës.

Bazuar në këto të dhëna Komisioni arrin në konkluzionin se subjekti ka kryer deklarim të pasaktë të burimeve të krijimit. Po ashtu, është konstatuar se Laskaj nuk ka deklaruar revokimin e kontratës së kaparit në vitin 2011.  Nisur dhe nga fakti se për pagesën e shumës së kaparit ka rezultuar pamundësi financiare, KPK ka vlerësuar të mos e reflektojë vlerën 10 mijë euro në analizën e burimeve për apartamentin 91.4 m2.

Në vijim, KPK konstaton se vetëm gjatë hetimit administrativ subjekti ka pretenduar se si burim ka shërbyer dhe një hua e marrë prej tij nga shtetasja Z.B në shumën 10 mijë euro, për të cilën pretendon se e ka shlyer brenda vitit. Për shkak të mos pasqyrimit të kësaj huaje në deklaratën “veting”, KPK ka çmuar të mos e reflektojë këtë shumë si burim për pagesën e vlerës 30 mijë euro, megjithëse huadhënësia ka rezultuar me mundësi.

Komisioni ka analizuar edhe dy huatë e deklaruara nga 5000 euro, për të cilat konstaton se ato janë shënuar në deklaratën e vitit 2011, por nuk janë pasqyruar në atë veting. Trupa e KPK ka çmuar se si burim krijimi të kësaj pasurie mund të kenë shërbyer dhe dy huatë nga 5000 euro, por vlerëson se pranimi kësaj rrethane çon në konstatimin se subjekti ka kryer deklarim të pasaktë në deklaratën “veting”.

Nga hetimi ka rezultuar se një prej huadhënësve ka pasur mundësi, ndërsa tjetri jo.

Në përfundim të analizimit të apartamentit me sipërfaqe 91.4 m2 porositur në shkurt të vitit 2012, KPK konkludon se Laskaj ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm, si dhe se nuk ka pasur të ardhura nga burime financiare të ligjshme për pagesën e vlerës 30 mijë euro.

Laskaj është gjendur në pamundësi për të vërtetuar bindshëm edhe burimin e një gjendje cash në shumën 1 milion lekë, të deklaruar nga bashkëshortja, me burim krijimi kursimet nga veprimtaria si avokate dhe dhuratat e njerëzve të afërt.

Nga hetimi ka rezultuar se Laskaj ka përdorur një automjet që nuk e ka pasqyruar në deklaratën “Veting”. Kur është pyetur nga Komisioni, ai ka deklaruar se e ka përdorur këtë makinë për të udhëtuar drejt republikës së Kosovës.

Sipas KPK, afro një muaj e gjysmë pasi pronari i mjetit është pajisur me certifikatën e pronësisë, në korrik të vitit 2015 ka nënshkruar një prokurë të posaçme, në referim të së cilës ka emëruar prokurorin Milan Laskaj si përfaqësues të posaçëm, duke i dhënë tagrat për ta përfaqësuar pranë autoriteteve doganore dhe Drejtorisë së Transportit Rrugor për kryerjen e veprimeve që lidhen me këtë automjet, për ta përfaqësuar në çdo zyrë noteriale për nënshkrimin e kontratave të tjetërsimit në favorin e vetë subjektit ose palëve të treta, si dhe të drejtën për ta përdorur  brenda dhe jashtë Shqipërisë, pa afat kohor të përcaktuar.

Në vendim thhet, se referuar të dhënave të përfituara nga sistemi TIMS, duket se ky automjet nuk është përdorur asnjëherë nga pronarët e tij de jure për udhëtime jashtë vendit. “Për më tepër, në vijim të verifikimeve të kryera në sistemin TIMS dhe atë të AMF-së, rezulton se në periudhën që ka pasur në pronësi këtë automjet, shtetasi B.D ka bërë disa hyrje-dalje në pikën kufitare të Morinës me automjete të tjera, njëri nga të cilët duket se është në pronësi të tij, një tjetër në pronësi të babait të tij dhe automjetet e tjera në pronësi të shtetasve të tjerë. Por, siç u evidentua edhe më sipër, në asnjë rast nuk ka kaluar pikën kufitare me automjetin e blerë nga shtetasi A.L, përfaqësuar me prokurë nga subjekti i rivlerësimit”, citohet në vendim.

Nisur nga faktet se Laskaj nuk e ka deklaruar këtë pasuri të luajtshme në përdorim, si dhe se ka pasur tagra të plotë mbi këtë automjet dhe e ka përdorur në mënyrë të vazhdueshme, edhe pasi i ka ndryshuar pronari, KPK arin në përfundimin se ky automjet është pasuri e fshehur e subjektit, që konsiderohet si shkak për shkarkimin e tij.

Nga analiza financiare e përgjithshme, subjekti është gjendur në bilanc negativ në vlerën totale prej 1.9 milionë lekësh.

Cënimi besimit të publikut

Gjetjet kryesore në kriterin profesional, KPK i evidenton në drejtim të funksionit të Laskajt si drejtues i Prokurorisë së Lezhës. Në vendim sqarohet se janë konstatuar probleme në lidhje me krijimin e seksioneve të reja, si dhe për procedurën e ndjekur për shortimin dhe ndarjen e çështjeve për periudhën kur subjekti drejtonte këtë prokurori.

Komisioni konstaton se, krijimi nga subjekti i një seksioni të ri në Prokurorinë e Lezhës, ka shkaktuar pamundësinë e funksionimit të sistemit elektronik të ndarjes së çështjeve. Po ashtu, ka rezultuar se Laskaj nuk ka zbatuar kërkesat ligjore për krijimin e strukturës së re, pasi nuk evidentohet asnjë gjurmë e urdhërit që pretendon se ka lëshuar për ndryshimin e strukturës, si dhe ka mbetur e paqartë se kur është rikuperuar sistemi elektronik.

Në vijim KPK vëren se Laskaj ka bërë ndarjen e çështjeve penale pa iu nënshtruar procedurave të shortit manual apo elektronik. Gjithashtu, është evidentuar moskalimi te prokurori i gatshëm i një çështjeje penale që kishte pasur nevojën për kryerjen e veprimeve të menjëhershme hetimore.

Ndër të tjera, KPK konstaton se subjekti ka përpiluar dy urdhra për kthim të sendeve të sekuestruara në cilësinë e provës materiale në kuadër të një procedimi penal që nuk hetohej prej tij. Trupa e KPK vlerëson se me këto veprime ai ka cënuar pavarësinë e prokurorit të çështjes.

Në një tjetër çështje evidentohet aplikim i gabuar i përcaktimeve të Kodit të Procedurës Penale, duke shpallur moskompetencën për ndjekjen e një procedimi.

“Gjithashtu, duket se subjekti i rivlerësimit në cilësinë e drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit Lezhë nuk ka ndjekur procedurat e rregullta ligjore për rekrutimin e një punonjësi në këtë Prokurori”, citohet më tej në vendim.

Megjithëse gjetjet në aspektin profesional nuk janë konsideruar veçmas si shkarkuese, ato janë çmuar në vlerësimin tërësor të çështjes. Trupa e KPK arrin në përfundimin se subjekti ka cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë, pasi ka pasur pasuri të fshehur; se në cilësinë e drejtuesit ka dështuar të krijojë seksionet, të organizojë dhe dokumentojë shpërndarjen e çështjeve të regjistruara dhe të sigurojë përdorimin e sistemit të menaxhimit të çështjeve; si dhe se ka cenuar pavarësinë e prokurorit të çështjes.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *