Avokati Jordan Daci dhe trupa e KPK gjatë shpalljes së vendimit për prokurorin Edmond Hyka. FOTO:BIRN
KPK Lajme Vendi

Shkarkohet nga KPK, prokurori i Apelit Edmond Hyka

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi shkarkimin e prokurorit të Apelit të Tiranës Edmond Hyka, pasi gjeti atë me probleme të pasurisë.

Avokati Jordan Daci dhe trupa e KPK gjatë shpalljes së vendimit për prokurorin Edmond Hyka. FOTO:BIRN

Prokurori i Apelit të Tiranës Edmond Hyka u shkarkua të premten nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pas një seance dëgjimore ku u vunë në dukje probleme të pasurisë. Hyka nuk ishte i pranishëm, por u përfaqësua në seancë nga avokati Jordan Daci. Ky i fundit pati kërkuar gjatë seancës dëgjimore shtyerjen e procesit për shkak të situatës së krijuar nga tërmeti, duke pretenduar se klienti i tij nuk mund të shkonte në shtëpi për të siguruar dokumente.

Gjatë seancës dëgjimore të enjten më 19 dhjetor, KPK relatoi se kishte gjetur nga analiza financiare se Hykës i mungonin 18.2 milion lekë për të justifikuar pasurinë. Nga relatimi rezultoi mungesë dokumentesh për 2.6 milion lekë dhe 35 mijë euro të trashëguara nga babai.

Trupa gjykuese e KPK-së, e përbërë nga Xhensila Pine kryesuese, Olsi Komici relator dhe Brunilda Bekteshi anëtare dëgjoi më pas avokatin mbrojtës, Jordan Daci, i cili parashtroi se për shkak të situatës nga tërmeti Hyka nuk kishte mundur të shkonte në apartamentet në Durrës për të siguruar dokumentacion shtesë të kërkuar nga KPK. Ai po ashtu kërkoi shtyrje të seancës, kërkesë që u rrëzua nga Komisioni.

Edmond Hyka ka punuar si avokat nga viti 1998 deri në vitin 2005; kohë kur u emërua prokuror në Prokurorinë e Apelit të Durrësit. Në vitin 2006, Hyka u transferua në Prokurorinë e Apelit të Tiranës dhe vazhdon ta ushtrojë funksionin aty për 13 vjet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *